Fillon festivali “Hyjnesha në Fron”

Për të fituar çmimet e festivalit me prodhimet e tyre kinematografike do të konkurrojnë Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Turqia, Maqedonia dhe Franca.
Nga pesëmbëdhjetë filma, tetë janë të metrazhit të gjatë (artistik), ndërsa shtatë të tjerët të metrazhit të shkurtër. Në konkurrencë, ndërkaq, janë pesë filma të metrazhit të gjatë dhe të gjithë filmat e shkurtër, që janë prodhime të kineastëve të rinj kosovarë dhe shfaqen në programin “Kinemaja e së ardhmes”. Tre filma të tjerë të metrazhit të gjatë do të shfaqen jashtë konkurrencës.
Pjesa konkurruese e festivalit do të hapet të enjten me filmin “Farat e fikut” (Turqi), në regji të Selda Cicek e me Ozge Namal e Derya Durmaz në rolet kryesore, për të vazhduar të premten me filmin “Në rrugë” (Bosnjë e Hercegovinë), në regji të Jasmila Žbanić, me aktorët Zrinka Cvitesic, Leon Lucev, Ermin Bravo, Mirjana Karanovic etj.
Të shtunën do të jepet filmi “Panku nuk ka vdekur ” (Maqedoni) në regji të Milan Blazevskit, me protagonistë Jordan Simonov, Kamka Tacinovski, Toni Mihajlovki e Xhevdet Jashari, kurse të dielën filmi “Emri i njerëzve” (Francë) i regjisorit Michel Leclerc me aktorin Jacques Gamblin në rolin kryesor.
Të hënën, mbrëmjen edhe kur do të ndahen shpërblimet e festivalit, do të shfaqet filmi “Gjallë ” (Shqipëri) në regji të Artan Minarollit, me Nik Xhelilaj, Niada Saliasi, Besart Kallaku e Xhevdet Ferri në rolet kryesore.
Kosova, ndërkaq, prezantohet në festival me “Kinemaja e së ardhmes”, një program i veçantë, për filmin më të mirë të të cilit do të ndahet një çmim.
Për çmimin “Kinemaja e së ardhmes” do të konkurrojnë këta filma: “Loja" i Rina Kllokoqit, “Kuleta” i Diar Xanit, “Intervista” i Burim Halitit, "Pa skenografi" dhe "TV Kosova" të Mahir Musliut dhe "Rrjeta" i Arbër Krasniqit.
Kurse jashtë konkurrencës do të shfaqen tre filma francezë: “Misioni Kleopatra” i Alain Chabat me aktorët Gerard Depardieu e Christian Clavie, “Mirë se erdhët në veri” i regjisorit Dany Boon me Kad Merad e Dany Boon, si dhe “15 vjeçare e gjysmë” në regji të Francois Desagnar e Thomas Sorriaux, me Daniel Auteuil në rolin kryesor.
Në ceremoninë përmbyllëse të festivalit, që mbahet të hënën, më 21 nëntor, nga ora 21, do të ndahen çmimet tradicionale “Hyjnesha në Fron” për filmin më të mirë, regjinë më të mirë, skenarin më të mirë, rolet më të mira kryesore për aktor dhe aktore, rolet më të mira dytësore për aktor dhe aktore, çmimi “Kinemaja e së ardhmes” dhe çmimi special.
Festivali mbahet në Teatrin “Adriana“ në Ferizaj./Telegrafi/










































