Prodhimi i pasaportave do të bëhet në Austri, ndërsa personalizmi i pasaportave biometrike do të bëhet në Departamentin për Prodhimin e Dokumenteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në njoftimin për media të MPB-së thuhet se qytetarët e Republikës së Kosovës do të kenë mundësi që të pajisen me pasaporta biometrik që nga muaji tetor i këtij viti.


Rexhepi me këtë rast tha se, me fillimin e prodhimit të pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, është bërë edhe një hap tjetër në përmbushjen e obligimeve që ka Kosova në rrugën e saj evropiane, në procesin e liberalizmit të vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ai siguroi se këto pasaporta janë të nivelit më të lartë dhe përmbajnë elementet më të sofistikuara sa i përket sigurisë së tyre dhe se janë të njëjta si të gjitha pasaportat biometrike të shteteve të BE-së.

Ministria e Punëve të Brendshme ka paraparë, që brenda 3 viteve të prodhohen më tepër se 1 milion e 300 mijë pasaporta biometrike, që do të jenë të mjaftueshme, që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të pajisen me këto dokumente. /Telegrafi/