Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, zhvilloi disa takime me përfaqësues të lartë politikë francezë gjatë vizitës njëditore të punës, ku në fokus të bisedimeve ishte axhenda e reformave dhe Rezoluta e propozuar e LSDM-së, si garanci për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe një zgjidhje për zhbllokimin e negociatave me BE-në.

Filipçe zhvilloi një takim pune me deputeten dhe nënkryetaren e Grupit të Miqësisë Francë-Maqedoni e Veriut në Parlamentin Francez, Liliane Tanguy, me Shefin e Zyrës për Fqinjësi, Zgjerim dhe Mbrojtje në Sekretariatin e Përgjithshëm për Çështjet Evropiane, Joseph Giustiniani, si dhe me Drejtorin për Evropën Kontinentale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Brice Roquefay, dhe me Përfaqësuesin Special për Ballkanin, Rene Trocaz, thuhet në njoftimin e LSDM-së.


"Në takime u vu në dukje mbështetja e Francës për procesin e integrimit evropian, si dhe nevoja për rezultate të shpejta në përmbushjen e detyrimeve dhe punën për reformat.

Filipce prezantoi qëndrimet e LSDM-së dhe theksoi se partia ka një qasje proaktive dhe po punon për zgjidhje për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Ai theksoi se përgatitja e Rezolutës, e cila do të konfirmojë vijat e kuqe kombëtare - gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedonas, si dhe mekanizmat për t'u marrë me kërkesat e mundshme joparimore që shkojnë përtej Kornizës Negociuese, është në fazën e saj përfundimtare.

Në bisedime u theksua se ekziston një konsensus i qartë në Bashkimin Evropian për zgjerimin dhe se kjo është një mundësi që Maqedonia duhet ta shfrytëzojë. Përfaqësuesit francezë përcollën pritjet se vendi ynë duhet të bëjë përparim në procesin e integrimit evropian, siç po bëjnë tashmë vendet e rajonit, veçanërisht Shqipëria dhe Mali i Zi", thuhet në njoftim./Telegrafi/