Festivali i Filmit në Venecia me protestuesit që mbajtën pankarta me titull "Çlironi Palestinën" përpara hapjes

Festivali i Filmit në Venecia fillon sot, me 21 filma që konkurrojnë për Luanin e Artë. Demonstruesit në ceremoninë e hapjes, të cilët mbanin pankarta ku shkruhej "Çlironi Palestinën" dhe "Ndaloni Gjenocidin", tërhoqën vëmendje të veçantë.
Konkretisht, disa orë para hapjes së Festivalit të Filmit në Venecia, demonstruesit u mblodhën para ndërtesës kryesore me pankarta që shkruanin "Çlironi Palestinën" dhe "Ndaloni gjenocidin".
Rreth 20 aktivistë nga një kolektiv politik rajonal i krahut të majtë nga Italia mbanin një banderolë të punuar me dorë dhe flamuj palestinezë përpara ceremonisë së hapjes së festivalit.
Giulia Cacopardo, një përfaqësuese 28-vjeçare e Qendrave Sociale të Italisë Verilindore, i tha AFP-së: "Ne duhet ta përdorim vëmendjen që sjell ky festival filmi për të sjellë fokusin te Palestina".
Grupi i vogël i protestuesve shënon preludin e demonstratave më të mëdha të planifikuara për festivalin, i cili do të përfshijë një dokumentar për gjashtëvjeçaren Hind Rajab, e cila u vra me familjen e saj në Gaza.
Festivali hapet me premierën e “La Grazia”, një dramë nga Paolo Sorrentino, i njohur më së miri jashtë Italisë për filmin e vitit 2013 “The Great Beauty”, ku luan sërish bashkëpunëtori i tij i shpeshtë, aktori Toni Servillo.
Krahas yjeve të shumtë dhe atmosferës së shkëlqyer, ka edhe filma që pritet të nxisin debate, siç është filmi për Gazën "Zëri i Hind Rajab" nga kandidati dy herë për çmimin Oscar, Kaouther Ben Hania.
Përpara se të fillonte festivali, një grup regjisorë italianë u bënë thirrje organizatorëve të thyejnë heshtjen e tyre për luftën në Gaza, dhe protesta janë planifikuar për të shtunën në ishullin Lido. Drejtori artistik i festivalit, Alberto Barbera, i tha AFP-së se ai pa "një kthim në realitet" midis regjisorëve. /Telegrafi/




























































