Zhvillimi i teknikës dhe i teknologjisë e kanë bërë që jeta dhe puna e njeriut të ndryshojë shumë. Në kuadër të zhvillimeve dhe përsosjes së teknologjisë në përgjithësi, dhe asaj informative në veçanti, bën pjesë edhe televizioni. Televizioni është bashkimi i fotografisë, zërit, lëvizjeve dhe ngjyrave. Ky kombinim e bënë shumë më interesantë dhe më tërheqës për fëmijët, por edhe për të rriturit. Ngjyra dhe lëvizja, si dhe përmbajtjet që jepen, tërheqin shumë vëmendjen e fëmijës. Ndikimi në të tre sferat e pranimit të informatës, dëgjimi, pamja dhe efektet lëvizëse janë formë më e lehtë për t’u shikuar dhe më lehtë për t’u pranuar nga ana e fëmijëve. Shpesh edhe pse nuk kuptohet gjuha në të cilën emetohet një emision ai kuptohet nga ana e fëmijëve.

Me përjashtim të emisioneve të veçanta edukative e arsimore, në kuptimin e zhvillimit të kreativitetit, fëmijët marrin përgjigjet e gatshme. Këtu edhe mund të themi se televizioni ka bërë shumë ndryshime në jetën e njeriut, na bënë më të lehtë marrjen e informatave të shumta dhe interesante. Por, shtrohet pyetja se çfarë është ndikimi i televizionit në moshat parashkollore dhe cilat janë efektet e tij në shëndetin e fëmijës? A po keqpërdoret TV dhe a jemi sa duhet të kujdesshëm me të kur është fjala për qëndrimin e fëmijëve para tij? A është më mirë të mos shikohet fare nga fëmijët apo të vendosim rregulla për shikimin e tij?


Televizioni, pa mëdyshje, ushtron ndikim pozitiv dhe negativ në fëmijët e vegjël. Ana pozitive e televizionit mund të jetë argëtues, edukativ dhe mund të hap dritare të reja informimi për fëmijët duke u mundësuar atyre për të udhëtuar edhe atje ku nuk mund të jenë për momentin, të mësojnë leximin dhe shkrimin, gjuhë të tjera, dukuritë e natyrës, kulturat e popujve të ndryshëm, të përcjellin emisione të ndryshme edukative, të mësojnë për ato gjëra në të cilat ata nuk kanë qenë pjesëmarrës, për kafshët që nuk i kanë parë, etj.

Përzgjedhja e programeve dhe përmbajtjeve

Te ne, ende nuk është ndërtuar kultura për përcjelljen e programit televiziv. Nuk kemi vënë kritere, në familje, për përzgjedhjen e programeve të cilat janë të përshtatshme edhe për fëmijët. Me shumë rëndësi dhe domosdoshmëri, është që të përzgjidhen programet që i përgjigjen moshës së fëmijës. Emisionet në TV, duhet të jenë në përshtatshmëri me moshën kalendarike të fëmijës. Çdo shmangie nga kjo mund të ketë më shumë efekte të dëmshme se sa pozitive. Në këtë mënyrë fëmijët parashkollorë (por edhe të tjerët), mund të mësojnë gjëra të dobishme dhe të pa dobishme të cilat ndihmojnë të zhvillojnë imagjinatën e tyre. Nuk ka dyshim se televizioni mund të jetë një mësues i shkëlqyer dhe argëtues. Efekti parësor i tij qëndron në faktin se ndikon në sferën e perceptimin vizual dhe dëgjimor.

Pamja vizuale ushtron ndikim të lartë tërheqës për fëmijët dhe të rriturit, për të gjitha moshat. Këtë fëmijët e përcjellin pa kurrfarë shtytje nga të tjerët, shtytje të cilën në shumë raste ata mund ta marrin si imponim. TV-në e shikojnë me dëshirë dhe me kureshtje të lartë. Por a janë të gjitha emisionet me përmbajtje pozitive apo negative për fëmijët. Si ndikojnë këto përmbajtje të televizioni te fëmijët parashkollor? Është shumë e vërtetë që sot shumica e fëmijëve parashkollorë kalojnë kohë të gjatë para televizionit. Sipas Fondacionit Kaiser Family (KFF):

• Dy të tretat e foshnjave dhe të vegjëlve shikojnë në TV me një mesatare prej 2 orësh në ditë.
• Fëmijët nën moshën gjashtë vjeçare mesatarisht shikojnë rreth 2 orë në ditë në ekran, kryesisht TV dhe video ose DVD.
• Fëmijët dhe adoleshentët e moshës 8-18vjeç shpenzojnë gati 4 orë në ditë para ekranit televiziv dhe gati 2 orë shtesë në kompjuter dhe duke luajtur video lojëra.

Por çfarë statistike kemi ne në Kosovë, kur nuk kemi ndonjë të dhënë se sa kohë kalojnë fëmijët duke parë TV-në? Kjo është shqetësuese kur kemi parasysh kohën që fëmijët e kalojnë para TV-së, por dhe kur e dimë se çfarë janë llojet e programeve në të cilat fëmijët parashkollor janë të ekspozuar. Qëndrimi i gjatë para ekranit shkakton varësi të fëmijëve ndaj televizionit. Sidomos kjo varësi mund të shprehet te fëmijët parashkollor të cilët qëndrojnë gjatë para televizorit kur dihet se personaliteti i tyre është në formim e sipër. Në shumë raste, në realitetin kosovar, fëmijët jetojnë në familjet ku televizioni është gjithmonë, apo në pjesën më të madhe të kohës i ndezur edhe pse nuk është duke e shikuar askush. Fatkeqësisht, në këto raste, “kontribuojnë” edhe prindërit, në mënyrë të pavetëdijshme apo në mungesë të informimit apo të kulturës për përcjelljen e televizionit.

Prindërit shpesh, në mungesë të kohës që t’u përkushtohen fëmijëve, si mjet për t’i qetësuar ata, zgjedhin si “kujdestar-edukator “ televizorin. Fëmijët parashkollor kanë nevojë të hulumtojnë rrethin, të lëvizin, manipulojnë dhe të mësojnë duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe duke i prekur gjërat që i rrethojnë. Por duke shikuar televizor, ata mbërthehen për vendin ku janë ulur dhe nuk shprehin interesim apo vëmendje në gjëra të tjera, nuk krijojnë raport sociale,por edhe nuk i nxisin aftësitë krijuese të tyre. Në këtë fazë të zhvillimit ata janë imitues, atë që e shohin edhe e shfaqin duke imituar.

Mbjella e ndjenjës së dhunës nga TV

Shikimi i TV-së pa një përzgjedhje të emisioneve dhe kanaleve, ka mundësi që fëmija të shoh edhe raste të paraqitjes të skenave të dhunës. Kësi kanalesh ka me bollëk në TV. Qysh nga filmat e ndryshëm, aksion etj., deri te dokumentarët ose emisionet e veçanta. Ekspozimi i dhunës në TV rrit nivelin e rrezikut për sjellje agresive edhe të fëmijës dhe tendenca për tu frikësua nga bota që i rrethon. Te ai krijohet, ose ngulitet bindja, se ajo që shfaqet në ekran është reale dhe se mund të ndodhë edhe në realitet. Dihet se fëmijët e moshës parashkollore janë në fazën e zhvillimit emocional dhe se ndikimet e jashtme mbi ta janë të fuqishme, por edhe shpesh me pasoja për të ardhmen emocionale të tyre.

Këtu duhet të kemi kujdes të shtuar sepse ndikimi negativ i TV-së mund të jetë i pashmangshëm kur dihet se shumë fëmijë nuk kanë kapacitet mendor për të dalluar realitetin nga fantazia. Ata gjithashtu shikojnë filma vizatimor, shumë të dashur për fëmijët, videot muzikore e shumë të tjera të cilat nuk janë reale, por imagjinatë apo trillime të kreatorëve të tyre. Për shkak të mungesës së përvojës jetësore e mendore, ata thjeshtë nuk mund ta dallojnë botën reale dhe përmbajtjen që u shfaqet përmes ekranit të TV-së. Për këtë arsye ata(fëmijët) mund të më pak krijues dhe imagjinativ, nëse përmbajtjet e tyre nuk përkojnë me moshën dhe kapacitetet absorbuese të tyre .

Ky është një problem shqetësues sepse ka implikime shëndetësore. Qëndrimi i gjatë i fëmijëve para ekrani të TV-së, bënë që ata të mos janë aktiv në aktivitete fizike dhe të mos kërkojnë aktivitete të reja në të cilat ata do të ishin më aktiv dhe në lëvizje më të gjatë. Kështu ata konsumojnë ushqim, por nuk bëjnë lëvizje të cilat do të shpenzonin kaloritë e tepërta. Sipas hulumtimeve një gjendje e këtillë ka shkaktuar edhe problemin e paraqitjes së mbipeshës në mosha të reja.

Në TV-të tona shpesh kemi edhe reklama e paraqitje të skenave në të cilat aktorët konsumojnë duhan, alkool, drogë e të ngjashme, por edhe sjellje të tjera të rrezikshme e të pahijshme, të cilat po nuk u biseduan e sqaruan me fëmijët, ato mund të merren si diçka që edhe ai duhet ti bëjë, ti provojë ose edhe të merren si diçka që aktori a personazhi i tyre i bënë prandaj edhe ai duhet ta imitojë atë.

Mund të përfundojmë se zhvillimi i teknikës dhe i teknologjisë ka quar para zhvillimin njerëzor. Ka lehtësuar shumë punën e tij dhe ka shkurtuar rrugën e ardhjes deri te informata. Përparimi që është bërë në fushën e zhvillimit të mjeteve audio vizuale ka ndikuar që ato të bëhen pjesë e jetës së përditshme të njeriut. Ky hap kaq i madh për njeriut ka edhe pjesën tjetër jo të mirë. Ka ndikuar që njeriu në një farë mënyre të bëhet rob i teknologjisë. Në këtë mes viktima më të mëdha janë fëmijët të cilët po rriten me teknologjinë audio vizuale elektronike. Ky nuk do të ishte ndonjë problem i madh sikur të vendosej ndonjë kontroll mbi pjesën e programeve të cilat ndikojnë keq në zhvillimin e fëmijës.

Pasojat e këtyre ndikimeve sot janë bërë objekt i hulumtimeve të shumta në botë. Sidomos brengosëse është vartësia e fëmijëve nga ekrani, qoftë TV ose kompjuter. Kjo sindromë është duke prekur me të madhe, ndoshta edhe më me vrull, edhe familjen kosovare dhe fëmijët. Prandaj do të ishte e rrugës që të parandalojmë ndikimin negativ të TV-së, duke u përkujdesur për kohën e qëndrimit të fëmijëve para televizorit dhe lojërave elektronike. Prindërit, por dhe edukatorët janë faktorë kryesor në këtë drejtim.

Prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët e tyre në aspektin pozitiv duke u përfshirë në shikimin e përbashkët të TV-së, duke përzgjedhur programet dhe së bashku me fëmijët duhet diskutuar për atë çfarë shohin, për të mirat por edhe për anët e këqija të asaj që shohin në TV. Ata duhet të përcaktojnë rregullat në raport me shikimin dhe kohën e qëndrimit para televizorit si dhe ambientet ku qëndrojnë fëmijët, kryesisht të ketë libra, revista të fëmijëve, lodra të ndryshme etj. Por assesi në dhomat e gjumit të ketë TV dhe gjatë ngrënies të shikohet ai.

Në qoftë se fëmijët duan të shohin TV-në sugjeroni fëmijëve ndonjë lojë, shëtitje të vogël, lexoni së bashku me ta,të vizatojnë ose ndonjë aktivitet që fëmijët kanë dëshirë e pse jo edhe të dëgjoni muzikë e të vallëzoni së bashku me ta, e shumë mënyra të tjera. Pra përdorni taktikën e orientimit pozitiv të dëshirave dhe të kërkesave të fëmijës. Samiu ynë i madh pat thënë:” Fëmijës duhet dhënë atë që i duhet, jo atë që e kërkon”.

Duhet shmangur situatën kur ne të biem në pozitën e fëmijës e fëmija në pozitën e prindit. Nëse ata përfitojnë ndjenjat dhe emocionet tona dhe në një mënyrë ata marrin frenat e komandimit në dorë, ndërsa ne si prindër, vetëm plotësojmë dëshirat e tyre, nuk do të arrijmë që të ndërtojmë personalitete të përshtatshëm për shoqërinë. Me këtë nuk do të nënkuptonim tutorizmin ose ndonjë formë të kontrollit të përhershëm mbi ta, por një zhvillim normal, mjedis kreativ dhe mbjellje e ndjenjës së përgjegjësisë në varësi me pozitën që zë fëmija në familje, kopsht, shkollë e më vonë në rrethin e gjerë shoqëror.

Jeta pa rregulla dhe papërgjegjësi nuk garanton ndërtimin e brezit të shëndosh. Këtu bën pjesë patjetër edhe krijimi i mjedisit pedagogjik në raport me mjetet audio vizuale si dhe raportin e tyre me fëmijët, kohën e qëndrimit para ekranit, llojin dhe cilësinë e emisionit çfarë bën dhe nuk bën të jetë material edukativ për fëmijët.

Edhe pse nganjëherë gjërat teorike është vështirë të zbatohen në praktikë nuk do të thotë se nuk është e domosdoshme të punojmë, të përpiqemi që të gjejmë rrugë, të debatojmë e të diskutojmë që ta ndërtojmë një urë, duke ndihmuar fëmijët që në këtë drejtim të zhvillojnë aftësitë dhe predispozitat e tyre.