LAJMI I FUNDIT:

Fati i Kosovës

Sa më shumë që po flasin për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, aq më shumë duket sikur nuk do të ndodh asgjë. Aktivizimi i udhëheqjes së Kosovës për të folur vend e pavend për këto fenomene, nuk është asgjë më shumë sesa përpjekje për të neutralizuar veprimet e fundit të ndërmarra nga Misioni Evropian për Drejtësi dhe Polici në Kosovë, EULEX. Edhe ftesa për takim me kryeprokurorin e Kosovës dhe shefin e policisë nga ana e kryeministrit dhe Presidentit të vendit është përpjekje për të kontrolluar dhe diktuar veprimet e këtyre dy institucioneve, për të mos thënë një nxitje për t‘iu kundërvënë nismës së EULEX-it dhe për ta bërë sa më të paqartë idenë fillestare, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në sektorë të caktuar ose edhe për ta përgjithësuar adresën e të dyshuarve.

Nëse Kosova proklamon ndarjen e pushteteve, (e kështu shkruan në Kushtetutë), atëherë pse ekzekutivi duhet të përzihet dhe t‘i tregoj gjyqësorit se çfarë dhe si duhet bërë punën e vet? Një gjyqësor i pavarur e di shumë mirë se kur duhet të veproj ndaj një çështje të caktuar dhe si duhet ta kryejë detyrën e vet. Megjithatë, pajtohem më shumë njohës dhe raporte vendore e ndërkombëtare që thonë se Kosova nuk ka gjyqësor të pavarur! Arsyeja e mospasjes së një gjyqësori të tillë qëndron në faktin se nuk është lejuar të bëhet i tillë për këto dhjetë vjet po nga këta njerëz që sot flasin për pavarësi të tij dhe se ¨mbrojtësit¨ e sotëm të gjyqësorit të pavarur, janë sulmuesit e tij të djeshëm, kur ai ka provuar të hetojë veprimtaritë e tyre ditore.

Kjo po dëshmohet edhe tani, ngase në momentin që në skenë doli një fajtor tjetër për të marrë timonin e luftës ndaj dukurive negative në vendin tonë, ¨patriotët¨ vendorë u aktivizuan në përpjekje për të penguar nismën, më arsyetimin se të ¨huajt¨ nuk kanë se çfarë të kërkojnë në këtë fushëbetejë, por se vendorë duhet të jenë në ballë të luftës kundër dukurive negative. Nëse vendorët vërtetë do të donin që të viheshin në ballë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç deklaron që tre vjet kryeministri Thaçci, kush i ndalojë që të mos e bëjnë këtë gjë deri më tani? Por, jo! Nuk është këtu qëllimi i vërtetë i tyre! Aktivizimi i ¨politikanëve kosovarë¨ tani ka të bëjë me faktin, se ata frikësohen nga vendimet e një gjyqësor vërtet të pavarur, ngase vendimet e tij mund të jenë fatal për të ardhmen e tyre politike dhe ekonomike, në mos edhe jetësore.


Në këtë kontekst, një gjyqësor i udhëhequr nga EULEX-i, dhe larg mundësisë për t‘i lejuar politikanët vendorë që të ndërhyjnë në punën e tij, do të nënkuptonte edhe fundin e perceptimit qytetarë, se fati i Kosovës është i lidhur me fatin e individëve të caktuar, të cilën bindje kjo klasë politike e ka rrënjosur qëllimisht për dhjetë vjet tek qytetarët, me të vetmin shkak, qasjen e lirë të tyre në bizneset dhe punët kriminale e korruptive që u ka sjell pushtet dhe para dhe, e cila sjellje jo pak është mundësuar edhe nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, me arsyetimin se veprimi ndaj ¨njerëzve të fortë¨ rrezikon stabilitetin dhe të ardhmen e vendit tonë.

Prandaj, logjika e bajraktarizmit, se ej a dinë kush jam unë ose kush jemi ne, që ju (EULEX) të na hyni nëpër zyra, është vërejtur gjatë këtyre dy muajve në Kosovë, çka e vërtetojnë edhe deklarimet e të dyshuarve për korrupsion dhe krim të organizuar para mediave, se ishin ata që e sollën Kosovën këtu ku është sot dhe se ata sakrifikuan edhe pas luftës çdo gjë nga vetja e tyre për këtë vend. Askush zotërinj nuk po mohon këtë gjë ! Por ky angazhim nuk u jep të drejtë juve që pasi ta keni shpëtuar njeriun nga vdekja, të filloni vet pastaj ta vidhni dhe masakroni në mënyrën me të keqe që mundeni apo që pasi ta çlironi vendin tuaj nga një pushtet i huaj, ta pushtoni vet dhe ta shndërroni në pronë private, duke ja mohuar të drejtën e të qenit pjesë e barabartë në procese rreth 95 për qind të bashkëqytetarëve tuaj!

Jo pak veta, secili nga fusha e vet, janë angazhuar që ju zotërinj të liroheni të pafajshëm, p.sh. nga Gjykata e Hagës, sepse atje mbrohej një kauzë tjetër, por tani duhet të jeni të sigurt po ashtu, se shumë nga ne do të japim kontributin tonë që përmes punës që bëjmë të mundësojmë sjelljen e të gjithëve të dyshuarve për përfshirje në aferat korruptive dhe kriminale para drejtësisë në mënyrë që të përgjigjeni për dyshimet e ngritura, pavarësisht nga pozita që keni dhe punës që keni bërë në të kaluarën, por që në vitet e fundit e keni plaçkit këtë vend duke ja vjedhur të ardhmen rinisë kosovare).

Duhet besuar se ky është momenti kur duhet ndërruar logjika e të menduarit dhjetë vjeçar në këtë vend, se fati i Kosovës është i varur nga fati i ¨bajlozëve kosovarë¨. Një angazhim i fuqishëm në këtë drejtim do t‘ua shuante shpresat të gjithëve, se mund të gjejnë mbështetje dhe mbrojtje tek qytetarët për veprimet e tyre, mbase edhe do të ishte një mesazh i mirë edhe për pasardhësit e tyre, se çfarë nuk duhet të bëjnë në Kosovë, nëse u besohet ndonjë përgjegjësi. Ata duhet ta kuptojnë se askush nuk do të dal më në rrugë për t‘i mbrojtur, edhe pse shihet se kërkohen forma tjera për t‘u dalë në mbrojtje këtyre njerëzve, kjo ndoshta për faktin se ka nja frikë tek të gjithë që sot kanë pozita vendimmarrëse, se mos do të gjendet emri i tyre i shkruar me të zezë diku në fletën e bardhë të Prokurorisë Speciale të Kosovës apo ndoshta nga frika se në momentet e fundit të dyshuarit do të thonë, se nuk ishin të vetëm në kurbën kriminale dhe korruptive në Kosovë.

Prandaj, EULEX-i nuk duhet ta ndalë ¨luftën¨ e filluar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, pavarësisht shkopinjve nën rrota që mund t‘i vendosen nga liderët politikë vendorë, ngase kjo është një ¨luftë¨ që në fund nuk mund të nxjerr dy fitues. Kjo që kemi parë këta dy muajt e fundit në Kosovë, EULEX-in duke ¨luftuar¨ korrupsionin dhe krimin e organizuar në terren dhe deklarimet e ashpra mediale të udhëheqësve shtetëror të Kosovës ndaj këtyre veprimeve, na sjellin në përfundimin se e gjitha kjo do të ketë njërin nga këto dy përfundime: ose ky do të jetë fillimi i fundit të misionit të EULEX-it, nëse dorëzohet para presioneve të vendorëve, ose fundi i kësaj qeverie dhe nxjerrja para përgjegjësisë e të gjithë të dyshuarve për përfshirje në krim dhe korrupsion.

Marrëveshje të heshtur mes palëve, e cila nuk do të nxirrte fitues në këtë ¨betejë¨, me pretekstin e ruajtjes së stabilitetit politik në vend, nuk guxon të ketë, sepse kjo do të shuante përfundimisht shpresat e njerëzve për ndryshime pozitive në Kosovë në njërën anë dhe në anën tjetër do të konfirmonte fuqinë kriminale të ¨peshqve të mëdhenj¨ në Kosovë, duke nënkuptuar edhe mbledhjen e plaçkave nga EULEX-i për t‘u larguar nga Kosova, pa e pritur vitin 2012, siç u tha në Bruksel për ta finalizuar detyrën e tij! Heqja dorë e EULEX-it nga misioni që ka filluar tani do ta shndërronte Kosovën në parajsë për kriminelët dhe do të konfirmonte dyshimet se Kosova nuk është shtet funksional. Mbase nga ky përfundim Shtetin e Kosovës nuk do ta shpëtonte as paraqitja e mërzitshme në televizionin publik (qeveritar) të Kosovës e kryeministri Hashim Thaçi, me refrenin e përsëritur për afër tre vjet, se qeveria e tij është e angazhuar dhe e përkushtuar ta luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë. Mbase kryeministri Thaçi ende nuk e ka kuptuar se nuk është aq i fuqishëm sa t‘u kundërvihet vartësve të tij, që në këtë rast nënkupton kundërvënie ndaj vetës së tij!

(Autori ka magjistruar për politik të jashtme dhe është gazetar)