Djali i biznesmenit të zhdukur në vitin 1995, Ardian Hoxha i kërkoi gjykatës së Lartë që “të mos vonojë vendimin mbi çështjen ndaj Ilir Kumbaros, ish-shikasit që rrëmbeu, torturoi dhe më pas zhduku babain tim, Remzi Hoxhën, 16 vite më parë.”

“Jemi këtu për t’i treguar drejtësisë së Shqipërisë se vendimi i tyre i stërvonuar është duke u pritur nga çdo Shqiptar, kudo që jeton dhe ky vendim do t’i dëshmojë çdo Shqiptari nëse në Shqipëri ka drejtësi, apo drejtësia është akoma e ozurpuar nga klanet mafioze shtetërore”, tha djali i biznesmenit të zhdukur, Hoxha, citoi BW.


“Sot jemi para jush për të ritheksuar se Shaqa Shatri është gjallë dhe pak ditë më parë ishim dëshmitarë të dokumentarit në News 24, të Shaqa Shatrit i cili akoma është i gjallë dhe jeton në fshatin Kushnin të Kosovës, i cili në detaje tregoi se si i është vjedhur dokumentacioni dhe identiteti i tij, dhe u deklaruar se e dënon vjedhjen e identitetit të tij nga Ilir Kumbaro dhe përfitimet e tija nga qeveria Britanike në emrin e tij”, theksoi djali i biznesmenit të zhdukur, Hoxha.

“Sot jemi ketu për të kërkuar nga Drejtësia Shqiptare që të vendos për të drejtën, duke urdhëruar ekstradimin e Ilir Kumbaros për në Shqipëri, dhe të na e dëshmojë se në Shqipëri ka drejtësi dhe se në Shqipëri mundet të jetohet, dhe të na dëshmojë se Shqipëria nuk i zhduk dhe vret më shqiptarët nga Maqedonia dhe Kosova, sepse për 16 vite jemi duke pritur për drejtësi dhe po kërkojmë fatin e babait tim dhe eshtrat e tija”, tha ai. /Telegrafi/