Fadil Ismaili, miliona euro “Komtel”-it

“Komtel” varësisht nga posti zyrtar që ka marrë Ismajli ka ndryshuar edhe veprimtarinë e saj, duke iu përshtatur kështu kompanisë publike që ka udhëhequr ai. Gazeta “Zëri” ka siguruar dokumentet që dëshmojnë se “Komtel” ka marrë tenderë mbi dhjetë milionë euro nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) sa ka qenë Fadil Ismajli në krye të saj dhe miliona euro të tjerë përmes dhjetëra tenderëve nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Tenderët të cilët janë dhënë në KEK sa ka qenë Ismajli në krye të saj janë hetuar edhe nga zyra e BE-së Kundërmashtrim OLAF e cila disa vite më parë kishte gjetur konflikt direkt interesi mes Ismajlit dhe kompanisë “Komtel”.
Tenderët janë dhënë për veprimtari të larmishme prej furnizimit me kompjuter, mirëmbajtje të softuerëve, furnizim me njehsorë e shumë të tjerë, që s’kishin të bënin asgjë me veprimtarinë fillestare që kishte pasur ky biznes.
Pas emërimit nëpër pozita zyrtare disa vite më parë, Fadil Ismajli, pronësinë e kompanisë “Komtel” e ka bartuar në emër të mikut të tij, Vegim Gashi. i cili në zgjedhjet e fundit lokale ka qenë kandidat për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR) të Behgjet Pacollit. Gazeta “Zëri” ka gjetur se Fadil Ismajli ka fshehur se është aksionar edhe në disa kompani me kapital miliona euro duke mos i deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). /Telegrafi/


















































