Nëse mendon për një ditë, mbjellë oriz; nëse mendon për një vit, mbjellë drunj; nëse mendon për shekuj, kultivo njerëz (thënie kineze).

Sistemi i arsimit në Kosovë është në gjendje jo të mirë, edhe pse janë bërë përmirësime në infrastrukturë. Që nga niveli fillor e deri tek universitetet paraqiten disa probleme, një ndër to është mungesa kuadrove të kualifikuara dhe një metodologji mësimdhënieje e vjetruar!


Duke i pas parasysh këto dhe elemente tjera që do të cekim me vonë, vështirë mund të pritet që sistemi i arsimit mund të përgatisë kuadro që mund të udhëheqin me procesin e evropianizimit të Kosovës.

Sistemi arsimor dhe administrata publike nuk e plotësojnë njëra-tjetrën. Shumë njerëz në ndërtesat e Qeverisë nuk e dinë se ç’bëjnë. edhe pse marrin rrogë për punën e tyre. Kjo tregon për mos efikasitetin e administratës shtetërore edhe pse është e madhe në numër. Nevojitet veprim i menjëhershëm për të aftësuar administratën që të jetë në gjendje të përmirësojë kualitetin e shërbimeve për qytetaret, të përmbushë standardet evropiane dhe të menaxhojë procesin e integrimit të Kosovës drejt BE-së. Administrata e Kosovës ka nevojë për disa qindra shërbyes civil të aftësuar në Perëndim, që do të reformonin dhe të kryenin punën si duhet në institucione.

Dhe për këtë, Universiteti i Prishtinës dhe universitet tjera duhet të krijojnë, themelojnë departamente të cilat në mënyrë të veçantë dhe strategjike iu adresohen nevojave të Kosovës në të ardhmen. Po ashtu, arsimi i lartë duhet të jetë në hap me kohën, vizionar dhe orientues i së ardhmes për studentët me departamentet që i përgjigjen kohës dhe nevojave të së ardhmes. Kjo duhet të parashihet me Planin Strategjik Zhvillimor të Vendit.

Në plan programet e UP-së, nuk ka ndonjë ndryshim, por vetëm riciklim të plan programeve të viteve “tejet të shkuara”! Mungon inovacioni. Për ketë, universitetet kanë nevojë për një kuadër të profesorëve të diplomuar jashtë vendit. Nëse vazhdohet me një gjendje të tillë, UP-ja vështirë që do të mund të përgatisë kuadro që do të mund t’u bëjnë ballë sfidave të shekullit të integrimeve.

Sfida me madhe për UP-në ka qenë dhe vazhdon të jetë dalja nga sfera e ndikimit politik. Lufta politike për ta kontrolluar UP-në i ka kushtuar shumë këtij Institucioni. Kjo vjen për shkak të “prestigjit dhe monopolit moral” që ka UP-ja!

Një tjetër problem për arsimin e lartë është mbajtja relativisht e shkëputur nga politika e punësimit. Universitetet duhet të rrisin bashkëveprimin me institucionet publike, kompanitë e biznesit dhe shoqërinë civile përmes përfshirjes së tyre në borde.

Arsimi i lartë, me theks të veçantë UP-ja, duhet të investojë në degë që nuk janë komerciale; në degë që kanë interes për vendin, p.sh. në bujqësi, fizikë, kimi, biologji, makineri dhe departamente tjera të Fakultetit Teknik, duke u krijuar favore studentëve të këtyre fakulteteve - si lirimi nga semestri, lirimi në strehim e lehtësira tjera. Në anën tjetër, vërehet një orientim gjithnjë e më i madh i institucioneve të arsimit të lartë, por edhe i vet UP-së, në drejtime apo në pranimin e një numri të madh të studentëve si në ekonomik, juridik, shkenca politike, e në përgjithësi në shkenca shoqërore.

Një tjetër problem është edhe “gjuetia e talenteve dhe panairet e karrierës” (Head Hunting and Job fair). Universiteteve tona për çdo vit u “rrjedhin” talentet sepse askush për ta nuk kujdeset, e ata do të ishin përcaktues për të ardhmen e vendit.

Arsim i lartë duhet të reformohet në teknikat e ligjërimit. Ky Universitet po “prodhon” gjenerata me studentë pasivë pa “critical thinking”. Këta studentë, duke e ditur se si janë formuar, dyshojnë në aftësitë vendimmarrëse për të gjykuar objektivisht. Si pasojë e mos pasjes së mendimit kritik, ne po krijojmë një shoqëri apatike dhe kjo po na dërgon në një apati kolektive.

Duket se një pjesë e ligjëruesve në UP mendojnë se qëllimi i edukimit është mbushja e mendjes me njohuri apo edhe projektim i shablloneve dhe paragjykimeve, duke injoruar se qëllimi i edukimit është zëvendësimi i një mendjeje të zbrazët me një mendje të hapur, kritike dhe tolerante.

Një tjetër problem që rëndon në arsimin e lartë është mungesa e theksuar e kuadrit akademik. Tanimë pagat në UP janë të nivelit të mirë dhe nuk duhet lejuar që profesorët me përvojë të braktisin universitetin për ndonjë punë tjetër më të leverdishme ose të punojnë edhe ndonjë punë tjetër. E vërteta është se sot një profesor ka disa vende punë dhe jep disa lëndë. Kjo bënë që cilësia e mësimdhënies mos të jetë e nivelit të duhur.

Universiteti publik i Prishtinës dhe universitetet private vuajnë për kuadro. Për të gjitha këto UP duhet të nxjerrë një skemë të re të llogarisë që do të ofronte pagesa shtesë për profesorët e posaçëm, për t’i mbajtur ata në universitet. Për ta zënë boshllëkun e mungesës së kuadrove, UP duhet të themelojë një program për doktorantë thuajse në të gjitha fakultetet, por edhe për Universitetet tjera, në mënyrë që të përgatitet stafi mësimdhënës për të ardhmen. Kjo do t’i mundësonte UP-së dhe universiteteve tjera rritjen e cilësisë garuese dhe angazhim më të plotë në programet e shkëmbimit akademik të BE-së (tani është hapur një konkurs për doktoraturë, por ky numër nuk mjafton, kur për me tepër nuk ka edhe staf të mjaftueshëm e adekuatë akademikë).

Arsimi duhet të jetë i arritshëm për këdo, përfshirë personat me nevoja të veçanta: ata nga shtresa socio-ekonomike të ulëta, anëtarë të minoriteteve etnike, persona nga rajone të largëta dhe të pa zhvilluara. Sistemi i arsimit duhet të dizajnohet dhe organizohet në mënyrë të tillë që të sigurojë barazi në qasje në arsimim dhe në këtë drejtim UP ka një rol lideri.

Kosova ka nevojë për një skemë të gjerë të bursave për të dërguar studentët që t’i mbarojnë programet master dhe doktoratë në vendet perëndimore, për të qenë gjendje që të përgatisin Kosovën për proceset e ardhshme të integrimeve evropiane. Skema bursave do të duhej të rikthehej drejtë në administratë publike, për të rritur nivelin e tanishëm të efektivitetit. Po ashtu, nga ky program duhet të dalin mësimdhënës për universitet. Skema bursave duhet t’i përfshijë edhe studentet që studiojnë brenda vendit.

Qeveria duhet të ndajë një përqindje të buxhetit të përgjithshëm dhe të krijojë skemën e bursave. Kjo duhet të menaxhohet nga një agjenci qeveritare dhe të qeveriset nga një bord i pavarur. Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka rekomanduar që 20 mijë studentë të Kosovës të dërgohen për të studiuar jashtë. Përfituesit e bursave duhet të obligohen të kthehen dhe të punojnë për një periudhë të caktuar, për të ndalur kështu tretjen e kuadrove. Për këtë skemë duhet të gjenden edhe donatorë, si: Banka Botërore, Bashkimi Evropian, qeveritë të shteteve mike etj. Ministria e Arsimit duhet të fillojë një fushatë me qeveritë e huaja për të përfituar nga programet e atyre qeverive për studentët e Kosovës.

Në UP duhet patjetër të hapet një program master për Integrim Evropiane. Vërehet një mungesë e njohurive mbi politiken e BE-së, institucionet dhe proceduarat. Kjo mos njohuri ndikon negativisht në përafrimin e Kosovës me BE-në. Ky program i masterit duhet të jetë në kuadër të Filozofikut, gjegjësisht të departamentit i Shkencës Politike, si departamenti më i thirrur për ketë program. Do të ishte mirë që ky program të zhvillohet në partneritet me ndonjë nga universitetet evropiane, gjë që mendoj të bëhet. Ky program duhet të synojë të përgatisë 20 deri 40 studentë si njohës të fushës së integrimeve.

Një problem tjetër me të cilinë përballet arsimi i lartë është mos njohja e gjuhës angleze nga studentët. Gjuha angleze është gjuha kryesore në BE. Është shumë e rëndësishme të iniciohen programe për përmirësimin e aftësive për gjuhë brenda administratës dhe sistemit arsimor.

Ministria e Arsimit duhet të hartojë një strategji për mësimin e gjuhës angleze dhe kjo strategji duhet t’i përfshijë edhe komunat. Qeveria në bashkëpunim me OJQ-të dhe institucionet akademike, por edhe me mekanizma tjerë, duhet formojë një skemë vullnetarësh për të tërhequr studentë nga universitet perëndimore që të vijnë vullnetarisht në Kosovë për të dhënë mësim në gjuhën angleze - në shkollat dhe universitet e Kosovës.

Duke i pasur parasysh këto rekomandime dhe rekomandime të tjera që mund të dalin, çelësi për përafrim me Bashkimin Evropian është përmes një arsimi cilësor, si promotor kryesor i çdo fushe të zhvillimit ekonomik, social e kulturor, e që për emërues të përbashkët kanë integrimin në BE. Për të ardhur deri të ky integrim ka një “maratonë vrapi”, dhe për të kaluar këtë maratonë duhen përgatitur një armatë të terë të njohësve të përgjegjësive dhe të standardeve që dalin nga rrugëtimi për në BE.

Për të përgatitur këta njohës duhet patjetër të kemi një sistem të arsimit që është në gjendje me kalitë njerëz për një mision kaq specifik.