Kriza mes Tiranës dhe Beogradit e shpërthyer në stadium për të zbritur më pas në politikë, vazhdon të jetë e pranishme në Ballkan. Vetëm dy net më parë 5 biznese shqiptare të drejtuara nga shqiptarët janë sulmuar në qytetet serbe në Novi Sad dhe Vrsac.

Mbeten mister autorët dhe arsyet e këtyre akteve vandale. Të enjten ishte radha e Ambasadës shqiptare në Podgoricë, kryeqyteti i Malit të Zi, që u bë objekt i sulmit me gurë. Policia arrestoi tre persona. Sulmi erdhi një ditë pas incidenteve që shkaktuan ndërprerjen e ndeshjes për eliminatoret e 2016-ës mes Serbisë dhe Shqipërisë.


Ngjarja detyroi komisionin europian që të dënonte atë që ndodhi. Zëdhënësja për çështjet e jashtme dhe sigurinë, Maja Kocijancic u shpreh se Bashkimi Europian nuk kishte asnjë rol në atë që kishte ndodhur, dhe se politika nuk duhej të përzihej me incidentet në stadiumin e partizanit të Beogradit.

Kocijancic ritheksoi disa herë se vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd e planifikuar për në 22 tetor ishte shumë e rëndësishme. Nga ana e tij kryeministri shqiptar mohoi çdo lidhje të mundshme të vëllait të tij që ndodhej në tribunë, në ngjarjet e së mërkurës. Duke konfirmuar se do të udhëtonte drejt Beogardit në 22 tetor. Kjo do të ishte vizita e parë e një kreu të qeverisë shqiptare në kryeqytetin serb pas 70 vjetësh dhe duhet të shënojnë një etapë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve, që janë tensionuar edhe më shumë pas pavarësisë së Kosovës.

Nga ana e saj qeveria serbe ka pritur si një hero presidentin rus Putin, duke zhvilluar katër ditë para festimet për 70 vjetorin e çlirimit të kryeqytetit nga Ushtria e Kuqe. Kjo për të bërë të mundur që dhe presidenti rus të merrte pjesë. Një mënyrë për të treguar se sa shumë është e lidhur dhe e varur Serbia nga Moska, pavarësisht dëshirës për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, transmeton Euronews.

Ndërsa sot, sipas mediave serbe, sulme të reja kanë ndodhur si pasojë e incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Xhamia e Suboticës është sulmuar me koktej molotovi gjatë natës në mes të së shtunës dhe të dielës, ndërsa në qytetin e Novi Sadit, ku u sulmuan më parë nëntë furra të shqiptarëve është sulmuar me gur ëmbëltorja Telep, në pronësi të pjesëtarëve të komunitetit goran me prejardhje nga Prizreni.

Imami i Xhamisë së Suboticës, Selmo Drekovic ka konfirmuar lajmin, por ai ka shprehur besimin se organet e rendit do të gjejnë autorët.

Sipas videove të xhamisë, të cilat i ka kontrolluar policia, kanë qenë dy persona që kanë sulmuar këtë objekt fetar.

Zjarrin thuhet se e kanë fikur kalimtarët e rastit dhe përfaqësuesit e xhamisë dëmin e kanë vërejtur vetëm në mëngjes. /Telegrafi/