- Malësorja e urtë shkodrane nuk ka thënë kot: “Me kenë let me majt shpi, Kola jem i kish majt tri”! -

Mirëpo, kujt t’i thuash se, kur karrieristët janë verbuar nga karrierizmi-lufta për pushtet dhe për mbushjen e xhepave të tyre me euro dhe me dollarë, jo vetëm në kohë paqeje, por nga kjo sëmundje kronike ata vuajnë që nga ditët e luftës. Që atëherë ata e kanë bërë “bilancin” e llogarisë së tyre se si, dhe kush duhej të “kacavirrej” në kupolën e piramidës së pushtetit shtetëror. Ata, që me të drejtë dhe objektivisht e kanë kritikuar dhe kundërshtuar një politikë të tillë ekstremiste, bajraktariste, joparimore dhe jodemokratike të karrierizmit dhe të karrieristëve të pangopshëm për lavdi, për pushtet dhe për xhep, e kanë paguar me çmim shumë të shtrenjtë (me strajca në krahë, të braktisur, të papunë, të varfër dhe, pa kurrfarë mjetesh dhe të ardhurash për të mbijetuar), edhe në kohë lufte, edhe në kohë paqeje.

*** Sikur juristët dhe politikanët e rangut më të lartë të politikës drejtuese shtetërore të Kosovës, Kryetari Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi ta kishin ditur se ç’do të thotë përkufizimi juridiko-politik i nocionit “sovranitet”, sigurisht se nuk do të kishin deklaruar në sy të botës se: “Përfundimi i Protokollit të EULEX-it me Serbinë nuk cenon sovranitetin e Kosovës”.
Si mund të nxirret konkluzioni nga kryetari dhe nga kryeministri i Kosovës (Fatmir Sjediu dhe Hashim Thaçi) se arritja e Protokollit të EULEX-it me Serbinë “nuk e rrezikon sovranitetin e Kosovës”?!
Çfarë “jusitifikimi” absurd ky?! Po ai Protokoll i EULEX-it, i nënshkruar me Serbinë për bashkëpunimin në fushën policore, doganore dhe gjyqësore etj., ka të bëjë direkt dhe indirekt me Kosovën, jo me Kinën, as me Rusinë!?


Kontradikta dhe naiviteti politik

Po, meqë, sipas “kandarit juridiko-politik” të Fatmir Sejdiut dhe të Hashim Thaçit, nënshkrimi i Protokollit bilateral EULEX-Serbi “nuk e cenon sovranitetin”, atëherë PSE qeveria, parlamenti dhe presidenca e Kosovës me në krye kryeministrin Hashim Thaçi, me kryekuvendarin Jakup Krasniqi, dhe me Presidentin Fatmir Sejdiu nuk e kanë nënshkruar si palë e tretë Protokollin e theksuar të EULEX-it?

Derisa Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi kanë deklaruar se: “ Republika e Kosovës nuk është palë e aranzhmanit teknik të EULEX-it dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë”, atëherë, është i qartë përfundimi-Protokolli i nënshkruar ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë prek thellë interesat vitale (pavarësinë dhe sovranitetin) të Kosovës.
Pra, derisa Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar të jetë palë e Protokollit të EULEX-it dhe të Serbisë, është absurd dhe naivitet politik, të pohohet se Protokolli EULEX-Serbi “nuk cenon sovranitetin e Kosovës”, ashtu siç kanë deklaruar të dehur politikisht kryetari dhe kryeministri i Kosovës (Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi).

Shpërfillja dhe anashkalimi i qeverisë së Kosovës nga ana e EULEX-it, përkatësisht e BE-së dhe e partnerëve të tyre aminues, me rastin e nënshkrimit të Protokollit me Serbinë, nxori në pah jo vetëm kontradiktën dhe naivitetin politik të qarqeve të theksuara zyrtare të Kosovës, sepse me komunikatën e tyre të përbashkët kontradiktore (politikisht dhe juridikisht) kanë dëshmuar të pavërtetën, sepse, sipas tyre “Protokolli nuk cenon sovranitetin” e Kosovës, domethënë qenka në interes të Kosovës!? – Atëherë, pse nuk e keni nënshkruar, por e keni refuzuar të jeni palë nënshkruese e tij?!

Mu këtu, edhe qëndron kontradikta dhe naiviteti politik, sepse “refuzimi” i Prishtinës zyrtare si palë e tretë e Protokollit dhe “justifikimi” i tij për moscenimin e sovranitetit të Kosovës kanë karakter dihotomik.

Edhe pse Thaçi dhe Sejdiu kanë deklaruar se Prishtina ka refuzuar të jetë palë nënshkruese e Protokollit të EULEX-it me Serbinë, kjo nuk është për të besuar, sepse përmbajtja politike e deklaratës së tyre, më tepër përputhet me parullën e dikurshme politiko-propagandistike dezinsformuese dhe çoroditëse të Josip B. Titos, i cili, iu pat drejtuar “deleve” të tij, se e kishte kërcënuar Stalinin me: -“JO STALINIT!” – Kjo ka qenë një rrenë e kulluar, sa për t’i hedhur “hi syve” opinionit publik jugosllav, sepse dokumentet e asaj kohe, pohojnë të kundërtën- “NJET, Tito!”

Kështu, duhet kuptuar edhe komunikatën e Thaçit dhe të Sejdiut, sepse ata, askujt nuk kanë pasur guximin t’i thonë “NJET”, sikurse Stalini, që ia ka tërhequr vërejtjen e fundit Titos për zhvillimin e politikës së tij të gabuar dhe të deformuar ndaj realsocializmit, por është e kundërta, EULEX-i, as BE-ja së bashku me partnerët e tjerë të tyre, nuk i “ka ba hesap, dhe nuk i kanë vetë kah i kanë dajtë”, duke i “ngushëlluar” se Protokolli në fjalë “ nuk e cenon sovranitetin e Kosovës”. Ky është pohim i EULEX-it dhe i komunikatës së përbashkët të përfaqësuesve të disa ambasadave të BE-së në Prishtinë.

Një relacion i tillë i tutorisë së jashtme (EULEX-BE, UNMIK etj.) ndaj qeverisë së Kosovës, provon sheshit se si qeveria, si parlamenti, si kryetari i Kosovës bëjnë një politikë të mjerë, që nuk ka kurrfarë kuptimi dhe, kurrfarë ndikimi as në politikën e brendshme, as në atë të jashtme të Kosovës.

Të shprehemi thjesht, kjo varësi dhe ndërvarësi e politikës dhe e institucioneve të Kosovës, do të thotë se Kosova (me gjithë pavarësinë dhe sovranitetin e kufizuar dhe të brishtë) këmbë e krye është nën protektotorain evro-ndërkombëtar. Pa marrë parasysh se çka deklarojnë Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu për të qetësuar opinion publik me komunikatat dhe deklaratat e tyre të marketingut politiko-propagandistik (për t’i ruajtur karriget dhe privilegjet e tyre), edhe nënshkrimi i Protokollit të EULEX-it me Serbinë “pa e ba teklif” as Fatmir Sejdiun, as Hashim Thaçin e as Jakup Krasniqin, do të thotë se, as Presidenca. As Qeveria e as Parlamenti i Kosovës nuk mund të marrin asnjë vendim në formë të mëvetësishme dhe sovrane, pa pëlqimin e “TUTORIT” (BE-së-EULEX-it), që është produkt politiko-juridik, kushtetues dhe ndërkombëtar i Planit të Marti Ahtisarit, sipas të cilit Kosova është nën protektoratin evro-ndërkombëtar. Ky është kompensimi për njohjen e pavarësisë së kushtëzuar dhe të supervizuar evro-ndërkombëtare të Kosovës, por që bie ndesh parimin e vetëvendosjes dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare ngaqë kjo “kategori pavarëse” nuk ekziston në doktrinën e derisotme të së drejtës ndërkombëtare, as në Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Edhe pse, paraprakisht kam shkruar disa herë lidhur me këtë temë (por që shtypi dhe disa masmedia të verdha-pazh të politikës ditore, nuk i kanë publikuar, sepse iu pengon titulli shkencor i Profesorit, si dhe përcaktimi ideor i mbrojtjes së kauzës së bashkimit kombëtar shqiptar dhe i Shqipërisë Etnike), po ritheksoj se nënshkrimi i Protokollit të EULEX-it me Serbinë cenon paprecedencë sovranitetin e Kosovës.
Këtë, duhet ta dinë si “politika e lartë” e shtetarëve të Kosovës, ashtu edhe mbarë populli shqiptar i Kosovës.

Kjo politikë kërkon një revizionim rrënjësor, për shkak se nuk është parimore, etike, profesionale dhe kombëtare. Në njërën anë, në sy të popullit, deklaron se e kundërshton varësinë, kushtëzimin, diktatin dhe ultimatumet e ndryshme të EULEX-it, të UNMIK-ut etj., kurse në anën tjetër, vepron ndryshe, duke u solidarizuar dhe miratuar vendimet dhe sugjerimet e tyre në praktikë.