Nga: Linda Colley / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Çfarë është iluminizmi, dhe ku, kur dhe si ndodhi? Përgjigje tradicionale është se Iluminizmi me shkronjën “I” të madhe, ishte pjesë e krijimit të botës moderne dhe se ashiqare lulëzoi në Evropën e shekullit XVIII – sidomos në sallonet dhe në rrugët e rrëmujshme të Parisit para-revolucionar.
Ky lulëzim kulturor dhe intelektual, i nxitur nga rritja e shtypit, nga shoqëritë e ditura, nga shkrim-leximi mes femrave dhe meshkujve dhe nga debati politik dhe fetar, gjithashtu e ushqeu vetëkënaqësinë për epërsinë e qytetërimit evropian – duke ndihmuar kështu në përshpejtimin dhe legjitimimin e ekspansionit kolonial.
Por, komentuesit e tjerë kanë tjetër qëndrim. Kurrë nuk ka pasur Iluminizëm të vetëm, këmbëngulin ata. Më shumë kishte një si pluralitet iluminimesh, të karakterizuara nga theksimet dhe paramendimet e ndryshme – dhe që ndodhnin në qytete, në shtete dhe kontinente të ndryshme e në periudha të ndryshme. Për një artist japonez, që për shembull punonte në vitet 1870, Iluminizmi ende ishte shumë aktual dhe e nënkuptonte triumfin e së resë mbi të vjetrën. Në përputhje me rrethanat dhe i emocionuar nga përqafimi gjithnjë e më i madh i modernes nga vetë Japonia, si emblema më përfaqësuese të Iluminizmit ai përzgjodhi trenin me avull dhe llambën e gazit.
Në thelb është sfiduese arritja te një vlerësim i gjerë, i nuancuar dhe historikisht i vlefshëm i asaj që përbënte Iluminizmin. Si fenomen i përzier, i përhapur dhe i diskutueshëm, lëvizja gjithashtu gjithmonë është interpretuar në mënyra të ndryshme, me komentues të ndryshëm që e shohin atë përmes lenteve të veta që ndonjëherë janë edhe shtrembëruese.
Përkthimi i ri në anglisht i Anna Patersonit, i librit të vitit 2019 i të ndjerit Gunnar Broberg për jetën e natyralistit suedez, Carl Linnaeus, megjithatë ofron diçka vërtet të re dhe të vlefshme. Sinqerisht, 38 kapitujt e Njeriu që organizoi natyrën shumë pak e paraqesin një biografi standarde e më shumë një seri të meditimeve mbi njeriun dhe karrierën e tij. Por, libri është rrëfim interesant dhe profesional për një individ të jashtëzakonshëm që ndihmoi në formësimin e të kuptuarit tonë për botën natyrore. Është gjithashtu kujtesë për gjërat që shpeshherë harrohen: pasurinë e historive skandinave dhe aspektet shkencore të iluminizmit – jo vetëm ato letrare dhe filozofike.
Ashtu si shumë njerëz të tjerë gjenialë, vitet e hershme të Linnaeusit nuk ishin mbresëlënëse. I lindur në vitin 1707 mes një konflikti katastrofik të Suedisë me Rusinë dhe me mbretëritë e tjera, ishte djali i një pastori të varfër luteran, ndërsa mediokre ishte performanca e tij fillestare arsimore. Por, Lineusi e zotëronte një vetëbesim masiv. Para moshës 23-vjeçare, ai veçse shkroi se “të gjitha gjërat i kishte konceptuar”. Gjithashtu zotëronte nivele të jashtëzakonshme të profesionit, sipërmarrjes, magnetizmit personal dhe fuqive të vëzhgimit, duke operuar në ekspedita të shumta nëpër natyrën e gjerë të Suedisë si “një aparat fotografik të cilit asgjë nuk i mungon”.
Në 1732, Linnaeus shkoi në një mision revolucionar në Lapland, duke hulumtuar, duke mbajtur kronika dhe duke u ngazëllyer nga territoret e kafshëve, të bimëve, nga peizazhet dhe nga njerëzit indigjenë sami. Rezultat i këtyre takimeve ishte Diaeta Naturalis (1733), një grup rregullash mjekësore për një jetë më të qetë dhe të natyrshme.
Do të vijnë 70 libra të tjerë dhe shumë udhëtime të tjera. Në vitin 1734, Linnaeusi shkoi në Dalarna të Suedisë qendrore, duke bërë harta të rezervave të lëndëve drusore dhe të minierave e bakrit, dhe po ashtu të florës dhe faunës, e më pas shkoi në Holandë, në tokat gjermane, në Londër dhe në Paris, duke ekzaminuar speciet dhe duke takuar kolegët shkencëtarë dhe koleksionistët. Kur mosha e pengoi të bënte shumë më tepër sesa udhëtimet e shkurtra dhe të këndshme për mbledhje të bimëve, gjithmonë ishin dishepujt e tij për të vepruar: Linnaeus dërgoi 20 persona në kontinente të ndryshme. (Një e treta e tyre nuk u kthyen më.)
Realizimi i këtyre misioneve nuk kishte të bënte vetëm me etjen e Linnaeusit për specie të pakataloguara deri atëherë, por edhe vendosmëria për t’iu dhënë të gjithave emra të caktuar shkencorë si hyrje kjo e domosdoshme për klasifikimin e tyre të saktë. Ishte oreksi i tij për krijimin e rendit dhe për t’i ndarë në kategori fikse, gjë që ka bërë që Lineusi të akuzohet për avancimin e hierarkive racore.
Siç thekson Brobergu, nuk do të thotë se vetë ai e ka përdorur termin “racë”. Megjithatë, me kalimin e kohës, rritet edhe dëshira e Linnaeusit për kategorizime. Systema Naturae e tij e vitit 1735 kishte avancuar ndarjen e trefishtë të mineraleve, perimeve dhe kafshëve, me qeniet njerëzore të pozicionuara në kategorinë e fundit. Megjithatë, botimet e mëvonshme e miratuan një ndarje më të qartë të katërfishtë të njerëzimit: evropianë, amerikanë, aziatikë dhe afrikanë. Në botimin e vitit 1758, këta të fundit përfaqësoheshin jo vetëm në fund të hierarkisë, por edhe si dinakë dhe dembelë. Paragjykimet e tilla nuk ishin krejtësisht të reja. Por, reputacioni i Linnaeusit ua dha atyre një shkëlqimin shtesë dhe gjoja vërtetimin shkencor, duke ushqyer llojet e reja të racizmit.
Megjithatë, edhe pse Linnaeusi kategorizonte dhe shpikte, ai ishte gjithnjë e më i vetëdijshëm se puna e numërimit dhe klasifikimit po zgjerohej jashtë kontrollit të tij. Në total, ai dhe ndihmësit e tij identifikuan rreth 18 mijë specie. Sot ne dimë për të paktën 1.8 milion specie – shumë prej të cilave ndoshta së shpejti do të zhduken. Kjo është pjesë e rëndësisë së qëndrueshme shkencore të Linnaeusit. Tok me mënyrat e paragjykimit, ai i popullarizoi dhe nguliti shumë prej teknikave dhe supozimeve që sot njoftojnë për bazat e të dhënave të bimëve dhe të kafshëve, për treguesit thelbësorë të planetit tonë të gjallë – nëse jo të shëndetshëm.
Karriera e tij konfirmon gjithashtu diversitetin e stilit të Iluminizmit. Po kështu bën edhe libri shumë inteligjent dhe i shkruar me ndjeshmëri nga Richard Whatmore, Fundi i Iluminizmit, i cili fokusohet te kontribuuesit britanikë dhe irlandezë të lëvizjes – pas vitit 1750.
Shkalla në të cilën Ishujt Britanikë morën pjesë si kolektiv në Iluminizëm, lehtësisht nënvlerësohet meqë akterët më të rëndësishëm prireshin të vepronin nëpër shumë vende – ndërsa versioni francez ishte i fokusuar në Paris. David Hume, – filozofi dhe historiani kryesor që shërben si shtylla e librit të Whatmoreit – ishte skocez. Dy nga personazhet e tjerë të Whatmoreit ishin irlandezët Edmund Burke dhe William Petty – konti i Shelburnit, një politikan që krijoi një lloj të think-tankut intelektual, Qarkun Bovud.
Shkrimtarja dhe feministja Mary Wollstonecraft, njëra nga dy gratë e përfshira aty – së bashku me historianen Catherine Macaulay – i kishin borxh patronazhit Richard Price, intelektualit uellsian që jetonte në Londër. Anglezët e vetëm në kastin e personazheve të Whatmoreit, Edward Gibbon dhe Thomas Paine, që të dy pjesën më kreative të jetës e kaluan jashtë shtetit.
Ajo që i bashkoi këta njerëz të ndryshëm, pretendon Whatmore, ishte bindja e shtuar se Iluminizmi ishte në rrezik dhe – në vetë Britaninë – potencialisht në rënie. Këto shqetësime erdhën kryesisht nga një sërë ngjarjesh të mëdha dhe të diskutueshme: ardhja më 1760 e një monarku të ri problematik, George III; kostot e suksesit britanik në Luftën Shtatëvjeçare (1756-1763) që ngjallën frikën e shtrirjes së tepërt perandorake dhe tregtare, si dhe të shkatërrimit financiar; humbja e kolonive amerikane të Britanisë, pas vitit 1776; dhe, shpërthimi i Revolucionit Francez më 1789.
Në fillim të karrierës së tij, David Hume kishte besuar se, ndryshe nga epokat e mëparshme, Britania dhe pjesa tjetër e Evropës po përjetonin një reduktim të fanatizmit fetar dhe rritje të moderimit, të ligjit dhe të tolerancës. Gjithnjë e më shumë, optimizmi i tillë vihej në pikëpyetje.
Megjithatë, siç dokumenton Whatmore, teksa personazhet e tij të zgjedhur ishin që të gjithë vigjilentë ndaj ndryshimit, që të gjithë nuk e shihnin këtë në të njëjtën dritë. Paine, dhe në fund Macaulay, ishin të bindur se Britania – me gjithë pasurinë dhe shtrirjen e saj – në thelb kishte përfunduar në vitet 1770 dhe se përparësia evropiane së shpejti do t’i rikthehej Francës. Ndërkohë, Burke dhe Gibboni e panë Revolucionin Francez si kërcënimin kryesor për rendin dhe qytetërimin evropian, me Britaninë si një nga pak oazat e mbetura të stabilitetit. Dhe, për pjesën më të madhe të jetës krijuese, Wollstonecraft mendoi shumë më pak për një Iluminizëm kontraktues sesa për një të tillë që më në fund mund të pranonte pretendimet dhe aspiratat e grave.
Vërtet, dikush pyet veten nëse Whatmore – duke pasur kaq shumë theks për dështimet dhe lëkundjet e Iluminizmit – e shikonte atë përmes thjerrëzave të dëshpërimeve tona aktuale. Siç pranonte ai, rezultuan si të gabuara parashikimet e njerëzve, si Shelburne, se Britania mund të shembet nga kriza shkatërruese revolucionare. Mbijetesa aktuale e Britanisë, sugjeron Whatmore, do të kishte habitur “të gjithë të përndriturit e epokës së iluminizmit”. Por, varet se kë e shihni si të përndritur.
Merrni si shembull abolicionistin Olaudah Equiano, një burrë që nuk shfaqet në librin e Whatmoreit. Narrativa Interesante e të cilit – e botuar në Londër më 1789, një lloj autobiografie dhe kritikë e tregtisë së skllevërve – ishte bestseller pionier në anglisht nga një shkrimtar me ngjyrë. Për Equianon, dukej se Britania e fundit të shekullit XVIII po bëhej më e shkolluar e jo e kundërta.
Për më tepër, siç tregon edhe rasti i Linnaeusit, shkencëtarët dhe sipërmarrësit duhet të përfshihen në vizionin dhe vlerësimin tonë të Iluminizmit. Matthew Boulton nga Birmingemi, promovuesi i motorit me avull, ndonjëherë ishte radikal politik, por kurrë nuk do të kishte pranuar se Britania gjithnjë e më e ndërgjegjshme në aspektin industrial, në fund do të tejkalohej nga Franca.
Për fund, është përhapja dhe diversiteti, por edhe pasuria e Iluminizmit, që të këta dy libra evokojnë. Në vitet 1700, kryesisht ka qenë lëvizje në Euro-Amerikë, por kurrë nuk ishte plotësisht kështu. Disa nga krijimet e tij nxitën kontrollin dhe pushtimin, por gjithashtu mund të ketë qenë thellësisht çlirues. Mësimi dhe njohuria përfundimisht u zhvendosën nga objektet fetare dhe akademike. Prodhimet e shtypura pushuan së qeni të dominuara nga lexuesit dhe nga shkrimtarët që ishin meshkuj. Kishte zhgënjime, por kishte edhe eufori. Linnaeusi, një gjeni i papërsosur, e përcolli mirë këtë mishmash. Njerëzit ishin “drita në pallatin e Zotit”, deklaroi ai dikur. Por, ata ishin të kërcënuar nga djegia. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët