LAJMI I FUNDIT:

Energjia, troket kriza në Ballkan

Energjia, troket kriza në Ballkan

Kriza energjetike ka filluar të japë tashmë sinjalet e para në Ballkan. Ministri bullgar i Energjisë, Petar Dimitrov, kërkoi nga të gjitha vendet e rajonit që të bashkohen me Bullgarinë në betejën për të rihapur centralin e Kozloduyt, mbyllja e të cilit u urdhërua nga Bashkimi Evropian, vitin e kaluar.

"Shqipëria dhe Maqedonia përballen shpesh me kufizime të energjisë. Greqia pritet që këtë vit të ketë probleme të mëdha me furnizimin, kështu që situata nuk është aspak e mirë në rajon", ka thënë kreu i Energjetikës bullgare.
Situata e vështirë energjetike e ka detyruar qeverinë e Sofjes t‘i kthehet edhe një herë betejës me Bashkimin Evropian për të lejuar rivënien në punë të dy reaktorëve të vjetër të termocentralit. Në krah të Sofjes në këtë betejë është rreshtuar deri tani Shqipëria dhe Maqedonia.

Bullgaria njëkohësisht, prodhuesi më i madh i energjisë në Ballkan, është detyruar të rrisë çmimet për konsumatorët familjarë, jo pak, por me 16 për qind.
Rritja i është imponuar qeverisë bullgare nga dy shoqëritë private CEZ dhe EVN, të cilat janë njëkohësisht dhe dy pretendente për të privatizuar Korporatën Energjetike Shqiptare. Nën presionin e vazhdueshëm të shoqërive privatëve, qeveria e Sofjes është detyruar të autorizojë rritjen e çmimeve të energjisë, edhe pse kundër vullnetit të saj.

Paralelisht me Bullgarinë, një debat i fortë për çmimet e energjisë vazhdon edhe në Maqedoni, ku sërish kompania EVN, e cila zotëron rrjetin e shpërndarjes, është në luftë me autoritetet për të rritur çmimin e energjisë.


Pothuajse i gjithë Ballkani është përfshirë nga konfliktet mes privatëve që kanë shpërndarjen e energjisë dhe qeverive. /Shqip/