Site icon Telegrafi

Elezi: Në çdo kohë mund të vijnë pakot me fletëvotime nga jashtë Kosovës

Pakot me fletëvotime të nisura nga diaspora për në Kosovë nga dita e djeshme pritet të vijnë në çdo kohë në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Janë 67 vende anë e mbanë globit, prej nga kanë arritur aplikacione në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga persona të interesuar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen në Republikën e Kosovës më 14 shkurt 2021.

Gjithsej 102,100 qytetarë që janë regjistruar dhe verifikuar në KQZ për të votuar nga jashtë për dallim nga zgjedhjet e vitit 2019 ku ishin 35,087 të regjistruar, por që në Kosovë brenda afatit arritën 20,200 vota.

Sa i përket arritjes së votave nga diaspora, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se në çdo kohë këto pako me vota mund të arrijnë në KQZ.

“Në çdo kohë mund të vijnë pakot e supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosovës, sepse jemi në periudhën e votimit përmes postës. Kjo periudhë përmbyllet më 12 shkurt. Pra, deri në këtë datë fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja”, ka thënë Elezi për Telegrafin.

Ndryshe, pesë vendet e para, prej nga kanë arritur më shumë aplikime janë: Gjermania, Zvicra, Austria, Franca e Suedia.

Sipas të dhënave që Telegrafi ka siguruar nga KQZ-ja, në listën e aplikacioneve të aprovuara, prinë Gjermania me 43 mijë e 49 aplikacione, pastaj Zvicra, 26 mijë e 686, Austria me 4 mijë e 758, Franca me 4 mijë e 164 dhe Suedia 4 mijë e 69.

Lexo po ashtu Lista e shteteve prej nga aplikuan mërgimtarët për zgjedhjet e 14 shkurtit

Përveç këtyre vendeve, janë pastaj edhe me mijëra aplikacione të aprovuara që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, SHBA-të, Belgjika, Kroacia, Sllovenia e shumë të tjera vende të largëta si: Japoni, Meksikë, Lituani, Panama, Somali, Kosta Rikë etj. /Telegrafi/

Exit mobile version