Filmi “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna”, i cili la gjurmë në kinematografinë shqiptare me pjesën e parë dhe të dytë, rikthehet sërish me pjesën e tretë.
Dashuria , pasioni dhe dhembja, ishin të gjitha këto që karakterizuan dy pjesët e para të filmit, të cilin çdo shqiptar e ka parë të paktën një herë.
Në një intervistë për Telegrafin, skenaristi dhe regjisori Ekrem Kryeziu, ka thënë se “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna # 3” , do të jetë një vazhdim i natyrshëm, jetësor i dy pjesëve të para, aksion,dashuri me pasion, tentim hakmarrjedhe dhembje e pafund prindërore.
Të gjitha elementet e këtij trinomi fabulativ do të shpalosen në ambiente të papara, që shquhen me bukuri, të cilat me teknologji edhe më cilësore, se në dy vazhdimet e para, do ta befasojë shikuesin, duke e kënaqur dhe tronditur si asnjëherë më parë.
“Ritmi i kësaj pjese do të jetë marramendës, se vetëm kështu do të mund t’i ndërlidhim të gjitha fijet e fabulës që do ta sjell filmi para shikuesve”, deklaron skenaristi dhe regjisorit duke shtuar se protagonistët e filmit do të jenë të njëjtë por, gjithashtu do të këtë aktorë të rinj.
Por, ajo që bëri bujë menjëherë pas paralajmërimit të fillimit ishte Aurela Hoxha, e cila llogaritet të jetë protagonistja më e re e këtij filmi.
“Aurela Hoxha, ka një rol shumë kompleksiv dhe do të jetë një pandan i mrekullueshëm i Diellzës. Aurela me praninë e saj do ta fuqizojë rolin e Djellzës dhe me dramaticitetin që e brumos karakterin e saj, që ajo e bart në film gjithë fabulës filmike do t’i japë peshë të duhur që dhembja të jetë dhembje dhe gëzimi i dashurisë të jetë plot shkëlqim”, është shprehur Kryeziu.
Fillimisht u mendua se Aurela do ta zëvendësojë Diellzën, por regjisori e mohoi një gjë të tillë.
Rreth gjysmës së gushtit do të nisë xhirimi i 15 minutave të para të filmit në një pjesë të panjohur deri tash të Grykës së Rugovës. Ky tregim i ri, pretendohet se do t’ua kalojë dy pjesëve të para. /Telegrafi/