Trajneri nga Kosova, Edon Ibrahimi, ka ndarë rrugët me KV Fer Volley për të nënshkruar me klubin e volejbollit nga Hungaria, Veszpremi Egyetemi Sport Club, i cili bën gara në ligën e parë në volejbollin hungarez.
Ai ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me këtë ekip, pas një sezoni relativisht të suksesshëm me Fer Volley, ku arriti të fitojë Kupën e Federatës, siguroi finalen e Kupës së Kosovës, si dhe ishte finalist i ‘play-offit’ në Superligën e Kosovës.
Ibrahimi gjithashtu shkroi historinë në volejbollin kosovar duke i siguruar Kosovës medaljen e argjendtë në Kampionatin Ballkanik për senior në Beach Volley, teksa udhëhoqi dyshen Dhuratë Sylejmani/Valmira Ramadani drejt këtij suksesi.
Ibrahimi është gjithashtu trajner i ekipit U-17 të Kosovës në konkurrencën e femrave.
“FVK uron Ibrahimin në aventurën e re dhe i dëshiron suksese të mëtutjeshme në karrierë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Volejbollit të Kosovës.