LAJMI I FUNDIT:

Edi Rama, ky humbës i madh

Sali Berisha, me LSI-në i qetë mund të bëjë qeverinë dhe të mendojë për pensionin e merituar, pas katër vjetësh. Ilir Meta, në rast koalicioni, do të humbë ndjeshëm peshë dhe terren në elektoratin e tij, kurse të ardhmen politike lirisht mund ta projektojë vetëm nën petkun “blu”. Edi Rama, pas kthesës (devijimit) të Ilir Metës, duhet të tërhiqet edhe nga kutitë e Fierit dhe me “trofeun e argjendtë” të kthehet në bastionin e tij – Bashkinë e Tiranës, kurse PS-në dhe të majtën t’ia lë ndonjë shpëtimtari të mundshëm. Kjo do të ishte terren i mirë për rikthimin e Nanos, por, pse jo edhe për vënien e Pandeli Majkos në krye të partisë

Me idenë e shkeljes së majtistëve të vegjël të Shqipërisë, kryesocialisti Edi Rama pati marrë iniciativën dhe pati gjetur përkrahjen e grupimit tjetër të madh politik, të udhëhequr nga Sali Berisha, për ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri. Që të dy “bosët” e politikës shqiptare patën rënë dakord dhe me shumicë votash e ndërruan sistemin zgjedhor të vendit, duke e kopjuar pjesshëm variantin “kosovar” të zgjedhjeve (për dallim nga Kosova që ishte e tëra një zonë zgjedhore, në Shqipëri zgjedhjet u organizuan në dymbëdhjetë sosh). Në fund, më 28 qershor 2009, lideri “blu” nxori një fitore të brishtë, kurse Rama i hoqi nga duart “rozës’ fitoren e sigurt. Edhe pse me më shumë vota, koalicioni i të majtëve mori më pak mandate në Kuvendin e Shqipërisë.
Kështu e kishte sistemi.

Tani është shumë e pakuptimtë zhurma për një mandat më shumë ose më pak që na qenka i fshehur në kutitë e Fierit. Edhe më e pakuptimtë bëhet kjo zhurmë, kur tashmë, lideri i LSI-së, Ilir Meta, pak “për inat të së resë le të më vdesë djali” e më shumë hatri i dy-tri karrigeve në qeveri, vendosi që ta përmbysë gjithë veten e tij dhe të bëhet i shurdhër ndaj mbi 80 mijë votuesve LSI-stë, duke pranuar ofertën e doktorit për koalicion paszgjedhor. Edhe në këtë rast në Tiranë erdhi në shprehje imitimi i zbehtë i Prishtinës së fundvitit 2004, kur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, pati bërë koalicionin e kthesës, me liderin e atëhershëm të LDK-së, Ibrahim Rugovën. Megjithatë, krejt të tjera ishin atëbotë specifikat në Prishtinë, e krejt të tjera janë sot ato në Tiranë. Kosova nuk e kishte (ashtu sikur edhe vazhdon të mos e ketë ende) të profilizuar spektrin politik në të majtë e në të djathtë, ndërkohë që edhe me orientime programore partitë kosovare ishin aty-aty: të gjitha kishin një synim parësor, pavarësinë e Kosovës, kurse gjithçka tjetër sillej e pështillej rreth këtij premtimi të madh.


Ilir Meta është derivat i së majtës në Shqipëri, ndërkohë që një të djathtë të fortë e përfaqëson Sali Berisha. I pari e quajti të dytin Hamza Kastriot (tradhëtuesi i Skënderbeut), kurse i dyti (Berisha) e quajti, një ditë pas zgjedhjeve, “gomar”, Ilir Metën. Lënë anash programet dhe orientimet politike, është fjalori, gjuha me të cilën ata janë shërbyer jo vetëm gjatë kësaj periudhe parazgjedhore, por në tërë dekadën e fundit, ajo që i ka ndarë dhe shtyrë në pole krejt të kundërta Ilirin dhe doktorin. E, të mos e kujtojmë këtu skenën e para dy apo tre viteve kur vetë kreu i LSI-së ishte protagonist i një përleshjeje me grushte, shqyerje këmishësh dhe tërheqje prej kravatash midis deputetëve të majtë dhe atyre të djathtë. Madje, Meta e pati mësyrë direkt kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, për t’i qëruar fizikisht hesapet…

Deri aty patën shkuar punët e këtyre burrave të Shqipërisë, të cilët sot u bënë bashkë. Por, nuk do të kishte asgjë të keqe në këtë bashkim, sikur ky të mos ishte koalicion me bazë prej inateve, hakmarrjes dhe idesë së shkatërrimit të tjetrit.
Armiku i armikut tim është miku im. Kjo, fatkeqësisht, është ideja mbi të cilën po ndërtohet koalicioni kuq e kaltër i Shqipërisë. Gjithçka tjetër është e paqëndrueshme, ashtu siç është e paqëndrueshme edhe deklarata e Metës se po bashkohet me Berishën në mënyrë që ta bëjnë më të lehtë rrugën drejt BE-së, duke harmonizuar platformën e majtë dhe atë të djathtë.

Edi minus

Por, i gjithë ky blof Berisha-Meta, nuk e justifikon fustrimin e liderit të majtë Edi Rama. Nëse dikush është fajtor kujdestar i demolimit të së majtës në qershorin e vitit 2009, ai është vetë Edi Rama, i cili duket që s’e ka bërë mirë dallimin midis lehtësisë së pastrimit të lumit Lana apo të ngjyrosjes lara-lara të Tiranës, me atë të të udhëhequrit të një partie apo spektri të tërë politik, me shumë përgjegjësi në Shqipëri, siç është e majta. Kryetari historik i Bashkisë së Tiranës, u shndërrua në udhëheqës tragjik të së majtës, u shndërrua në humbësin e madh të Shqipërisë, në gjithë këtë proces zgjedhor.

Pas evitimit të Nanos, timonieri Rama nisi t’i vë në bisht të partisë emra të mëdhenj të saj, ndër të cilët edhe ish-kryeministrin e kohës së luftës së Kosovës, Pandeli Majkon. Iritoi shumë të tjerë, kurse nuk bëri asnjë përpjekje që t’i ruajë nën një çati personalitet e njohura të së majtës, ose së paku t’i ofrojë, si Paskal Milon (Demokracia Sociale) dhe Skënder Gjinushin (PSD), ndërkohë që hapi front me Metën (LSI). Për t’ia dhënë vulën gjithë kësaj, ai inicoi një sistem zgjedhor, të cilit pa një pa dy i duartrokiti edhe Berisha. Thënë të drejtën, që të dy kishin një qëllim, shkatërrimin e partizave apo satelitëve të tyre (të majtë e të djathtë). E, kjo më shumë i konvenoi Berishës. PS-ja me të gjithë satelitët e majtë mori dukshëm më shumë vota në terren, por humbi ulëse në parlament.

Jashtë Kuvendit të Shqipërisë mbetën, majtas e djathtas, emra të njohur të politikës shqiptare, si Milo, Gjinushi, Ceka, Ndoka etj., kurse mezi hyri Meta (që tani, pas koalicionit me Berishën, flitet të vijë në shprehje për hiq më pak se kryetar parlamenti).
Këto janë minuset e së majtës në Shqipëri, deficit ky i krijuar në këtë tabor pikërisht falë qasjes së një lideri prej të cilit ata prisnin shumë. Nëse ka shkëlqyer në Bashki, Rama nuk shkëlqeu edhe në parti. Dhe kjo nuk ishte me doemos. Por, me doemos është të lëshuarit rrugë, për një prijës tjetër në krye të së majtës. Kjo pjesë e spektrit politik i duhet e fuqishme Shqipërisë, po aq sa e djathta.

Rama duhet të tërhiqet në bastionin e tij, në Bashkinë e Tiranës. Në krye të PS-së duhet ardhur të tjerë njerëz. Nëse nuk mund të ndodhë rikthimi i Nanos, në stilin alla-Gjukanoviq, i cili i u tërhoq një kohë krejtësisht nga politika dhe më pas u kthye sërish në krye të Malit të Zi, atëherë ka edhe të tjerë emra të pranueshëm dhe të njohur të PS-së apo të ish-PS-së, ndër të cilët, si timonier i ardhshëm, do të mund të vinte në shprehje ish-kryeministri Pandeli Majko.

Rama duhet të tërhiqet edhe nga insistimi për kutitë e fundit zgjedhore. Duhet të tërhiqet nga Fieri me atë trofe “të argjendtë” dhe me këtë të ruajë shkëlqimin e këtyre zgjedhjeve, të cilat nga partnerët ndërkombëtarë u vlerësuan lartë, edhe pse jo krejt shkëlqyeshëm.
Ilir Meta, në rast të finalizimit të koalicionit (dukshëm të panatyrshëm me PD-në), të ardhmen e tij politike duhet ta mendojë nën petkun e kaltër dhe në kornizat e së djathtës. Majtas do ta humbë terrenin dhe peshën.

Kryeministri aktual, Sali Berisha, edhe me dy tri vota më shumë, mund të ndihet komod në të udhëhequrit e Shqipërisë në katër vjetët e ardhshme dhe, pastaj, pse të mos e mendojë një pension të qetë, në moshën mbi 70 vjeç dhe pas një karriere plot sfida e ulje-ngritje politike.
Në fund, sërish Edi Rama, humbësi i madh i 2009-tës duhet të heqë dorë nga apetitet për qeverisje të Shqipërisë në katër vjetët e ardhshme. Të heq dorë, po ashtu, nga lidershipi i Partisë Socialiste, t’u lëshojë rrugë të tjerëve dhe, nëse është i prirur, të nisë numërimin e gabimeve të tij.
Kështu do të ishte më mirë për Shqipërinë.

(Autori është publicist dhe gazetar i lirë nga Prishtina. Kontakt: ernestluma@hotmail.com)

Në trend

Më shumë
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Kalo në kategori