Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Petras Vaitiekūnas, pas takimit të shefave të diplomacive të shteteve anëtare të BE-së ka deklaruar se në situatën e tashme pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për ta siguruar perspektivën, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, njoftojnë mediat baltike.

Vaitiekūnas i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së presidentit të Lituanisë, Valtas Adamkus, për të nisur procedurën e njohjes të Kosovës nga Lituania, duke thënë se do t’i drejtohet parlamentit lituanez për të nisur procedurën e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Edhe Letonia ka vendosur të njohë pavarësinë e Kosovës brenda disa ditësh, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Letonisë, Maris Reikstims. Ai ka thënë për BNS-së se, Letonia do t’i informojë autoritetet e Kosovës për vendimin e saj duke dërguar dokumentin zyrtar nëpërmjet kanaleve diplomatike.

“Vendimi është marrë bazuar në analizat e Ministrisë së Punëve të Jashtme rreth situatës dhe zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor në kontekstin historik, politik dhe ligjor”, ka thënë ai, duke potencuar se Kosova është rast unik dhe nuk do të krijojë precedent për ndonjë “konflikt të ngrirë”.

Po ashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Paet, ka thënë se Estonia është e gatshme të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Themelimi i pavarësisë së Kosovës do të krijojë një qartësi në rajon dhe me shpresë edhe stabilitet, të cilit i referohet deklarata e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Paet, duke shtuar se Kosova duhet t’i përmbahet udhëzimeve që dalin nga plani i Ahtisaarit.

Australia edhe zyrtarisht njeh pavarësinë e Kosovës


Australia sot ka njohur edhe zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ndërsa shumë shpejt ka premtuar vendosjen e raporteve diplomatike me Republikën tonë.

"Australia i dëshiron çdo të mirë Qeverisë së Kosovës në detyrat që e presin”, thuhet në njoftimin e ministrit të Jashtëm të Australisë, Stephen Smith.

Australia fuqishëm mbështet liderët e Kosovës dhe Serbisë që me rrugë paqësore të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre, thuhet në këtë njoftim.

Tajvani njeh pavarësinë e Kosovës

Tajvani ka njohur sot zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme të Tajvanit, James Huang, u ka thënë gazetarëve se Tajvani nuk përjashton vënien e lidhjeve zyrtare me Kosovën dhe se është i gatshëm t’i ofrojë ndihmë asaj, bën të ditur DPA.

Ndërkaq zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Liu Jianchao, ka deklaruar të hënën se Tajvani nuk ka kurrfarë të drejtash dhe as që i plotëson kushtet për ta njohur Kosovën.

"Është e njohur se i gjithë Tajvani është pjesë e Kinës dhe nuk ka asnjë të drejtë e as kushte për ta bërë një njohje të tillë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë kineze.

Kina dhe Tajvani janë ndarë në vitin 1949, mirëpo Pekini edhe më tutje e konsideron këtë ishull si pjesë përbërëse të Kinës dhe ka kërcënuar se do ta mbrojë integritetin territorial po që nevoja edhe me armë.

Edhe Kostarika njeh Kosovën

Edhe Qeveria e Kostarikës ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme të Kostarikës në letrën e tij zyrtare shkruan se nën ushtrimin e fuqive të tij diplomatike dhe në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare mbështet pavarësinë e Kosovës. 

Senegali njeh Kosovën

Senegali ka njohur shtetin e ri të Kosovës ka bërë të ditur ministria e jashtme e këtij vendi, njofton REL.

Senegali ka bërë të ditur gjithashtu se do të ndihmojë në përpjekjet për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira, ndërmjet popujve dhe shteteve të rajonit të Ballkanit.

Austria dhe Gjermania të mërkurën njohin Kosovën

Kancelari i Austrisë, Alfred Gusenbauer, ka deklaruar sot se qeveria e Austrisë nesër do të miratojë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Austria njeh realitetet e reja që janë krijuar, ka thënë ai në një konferencë për media kushtuar Kosovës. 

Pavarësia e Kosovës deri më tash është pranuar (apo është në proces të njohjes) nga këto shtete: SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Estonia, Afganistani, Italia, Letonia, Shqipëria, Australia, Belgjika, Turqia, Finlanda, Lituania, Austria, Polonia, Suedia dhe Bullgaria.

Bush: Pavarësia e Kosovës sjell paqe

Presidenti amerikan, George Bush, ka deklaruar sot se lidhur me pavarësinë e Kosovës ka mospajtime, por "ne besojmë, sikur edhe shumë vende të tjera, se ajo do të sjellë paqe në Ballkan".

"Ne kemi punuar për së afërmi me rusët, siç kemi punuar edhe me evropianët dhe vendet tjera, për pavarësinë e Kosovës, sepse besojmë se kjo është një gjë e drejtë. Ka mospajtime, por ne dhe shumë vende të tjera besojmë se ky veprim është i drejtë dhe sjell paqe në Ballkan", u tha gazetarëve presidenti Bush, në Dar Es Salam të Tanzanisë, ku ndodhet për vizitë, në kuadër të turneut të tij në Afrikë.

"Tash, të gjithë duhet ta ndihmojmë Kosovën që ta jetësojë paqen", ka thënë presidenti amerikan dhe ka ftuar autoritetet në Prishtinë që t'i respektojnë të drejtat e jo shqiptarëve në Kosovë.

Duke folur për kundërshtimin e Rusisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, presidenti Bush ka thënë se Moska në këtë çështje nuk pajtohet me Washingtonin, por "historia do të dëshmojë se ky ishte një veprim i drejtë për të vendosur paqe në Ballkan".

"Qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë... Kemi qenë në konsultime të ngushta me rusët... Dhe, vendimi nuk ka paraqitur risi për Rusinë", ka thënë presidenti Bush.

Miliband: Kosova është rast unik

Qeveria britanike nuk konsideron se duhet shtuar numrin e ushtarëve të saj në Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, ka deklaruar shefi i diplomacisë britanike, David Miliband.

Miliband, në një intervistë për BBC, ka thënë se ka marrë njoftime nga diplomatët britanikë në Prishtinë e Beograd për rreziqet që ekzistojnë pas situatës së re të krijuar, mirëpo ka shtuar se ata nuk besojnë që “do të vije deri të prishja e rendit, që do të kërkonte shtimin e numrit të ushtarëve të KFOR-it”.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës është rast unik dhe nuk paraqet precedent për lëvizjet të tjera separatiste në Evropë, ka thënë ai. "Ajo që e bën këtë rast të veçantë është protektorati 9-vjeçar i Kombeve të Bashkuara brenda shtetit të pavarur të Serbisë”, ka shpjeguar ai.

Lavrov: Pavarësia e Kosovës e rrezikshme

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar homologen e tij amerikane, Condoleezza Rice, se shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës rrezikon stabilitetin ndërkombëtar, njofton Evropa e Lirë.

Ministria e Jashtme ruse, në një kumtesë të shkurtër, ka bërë të ditur se Lavrov dhe Rice, të hënën, kanë biseduar për Kosovën me nismën e Washingtonit.

Gjatë bisedës, Lavrov ka përsëritur kundërshtimin e Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës. 

Digjen dy pika doganore në veri të Kosovës

Shërbimi Policor i Kosovës ndërkaq ka njoftuar se një turmë qytetarësh serbë kanë djegur sot pikën doganore në Jarinë të Leposaviqit dhe atë në Zubin Potok.

Veton Elshani, zëdhënës i SHPK së, ka njoftuar se janë djegur dhe demoluar edhe disa vetura të Shërbimit Doganor të Kosovës, Shërbimit Policor dhe të Kombeve të Bashkuara.

Një shpërthim tjetër pranë ndërtesës së OSBE-së në qytetin e Mitrovicës, në veri të Kosovës, ka dëmtuar tri automjete të këtij misioni.

Të hënën në këtë rajon ende të ndarë të Kosovës kishin protestuar rreth 8 mijë serbë duke kundërshtuar pavarësinë e Kosovës

Situata, sipas zotit Elshani, tash është qetësuar.