Themeluesi dhe kreu i grupit famëkeq mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, njoftoi gjatë fundjavës se forcat ukrainase mund të kenë rifituar disa nga pozicionet e tyre të humbura në jugperëndim të qytetit të Bakhmutit.
Sipas Prigozhin, raportet tregojnë se forcat ukrainase krijuan poste vëzhgimi në qytet dhe i detyruan forcat ruse të reagonin, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë se zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Haana Maljar, ashtu si zyrtarë të tjerë ukrainas, pohon se forcat ukrainase vazhdojnë të mbajnë pozicione në qytet, ‘pushtimi i plotë’ i të cilit u shpall nga Prigozhin dy javë më parë.
Por është interesante se një nga gjeneralët më të rëndësishëm ukrainas njoftoi sot se forcat ukrainase vazhdojnë të avancojnë pranë Bakhmutit.
Oleksandr Sirski, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, njoftoi se forcat ukrainase kishin shkatërruar me sukses pozicionin rus pranë Bakhmutit.
Sirski nuk e përmendi kundërofensivën e shumëpritur ukrainase, por komentet e tij erdhën pasi ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte zmbrapsur një kundërofensivë të madhe ukrainase në Donetsk, e cila vrau 250 ushtarë ukrainas. /Telegrafi/