Në kuadër të shënimit të Ditës së Kushtetutës, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, mbajti një fjalim ku theksoi rëndësinë e Kushtetutës si themeli i demokracisë dhe drejtësisë.

VanHorn u shpreh se Kushtetuta nuk është thjesht një dokument ligjor, por përfaqëson një premtim të gjallë për mbrojtjen e të drejtave individuale, ndarjen e pushteteve, lirinë e shprehjes dhe sundimin e ligjit parime që, sipas saj, janë thelbësore për një demokraci funksionale dhe të qëndrueshme.


Gjatë fjalës së saj, diplomatja amerikane vlerësoi rolin e gjyqtarëve, prokurorëve, shoqërisë civile dhe medias së lirë si mbrojtës të të drejtave të çdo qytetari shqiptar, duke i ftuar të angazhohen për më shumë drejtësi, transparencë dhe llogaridhënie.

“Ju keni fuqinë të siguroni që drejtësia të mos jetë thjesht një fjalë, por një realitet për të gjithë shqiptarët,” tha VanHorn, duke shtuar se mbrojtja e këtyre parimeve kërkon guxim për të marrë vendime të vështira dhe për të qëndruar të palëkundur përballë korrupsionit dhe trysnive.

Sipas saj, një kushtetutë është më shumë se një akt juridik; është një premtim për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më të mirë. VanHorn përmbylli fjalimin duke falënderuar të gjithë ata që punojnë çdo ditë për të forcuar themelet e demokracisë dhe për të mbajtur gjallë idealet që qëndrojnë në themel të saj. /euronews.al/