Dritëro Agolli nderohet me “Dritën e minatorit”

Manifestimi, që u mbajt nën përkujdesjen e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, iu kushtua poetit Dritëro Agolli, në 80-vjetorin e lindjes së tij. Adem Demaçi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK), i cili mirënjohjen e manifestimit ia dorëzoi poetes nga Shqipëria, Beatriqa Balliçit, në mungesë të Agollit, i cili nuk kishte mundur të jetë i pranishëm për shkaqe shëndetësore, tha se është nder për këtë manifestim që të nderojë një poet kaq të madh.
“Ne duke nderuar një poet të madh të shqiptarëve, siç është Dritëro Agolli, nderojmë Kosovën, vetën tonë dhe gjithë shqiptarët”, tha ai, duke shtuar, “Mendojmë dhe shpresojmë që ky manifestim të jetë tradicional dhe të reflektojë vlera të mirëfillta”.
Zëvendësministri i MKRS-së, Hajdin Abazi, tha se ministria do të mbështesë çdo projekt të rëndësishëm kulturor. Lidhur me manifestimin “Drita e minatorit” dhe nderimin për poetin Dritëro Agolli, ai shtoi se, “Është mirë që njerëzit të nderohen para se të vdesin, meqë kjo na nderon neve si institucione dhe qytetarë”.
Në manifestim një fjalë rasti e mbajti edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.
Manifestimi letrar “Drita e minatorit” është organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës “Jakup Ceraja”, ndërsa është financuar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Komuna e Mitrovicës.
Në pjesën e dytë të programit të ditë së parë të manifestimit është mbajtur një tribunë letrare në temën: “Krijimtaria letrare e Dritëro Agollit”, ndërsa në ditën e dytë do të mbahet një orë letrare në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”.

















































