LAJMI I FUNDIT:

Drejtori ekzekutiv i Volkswagenit, Diess: Është e pamundur të përshpejtohet kalimi në automjete elektrike

Drejtori ekzekutiv i Volkswagenit, Diess: Është e pamundur të përshpejtohet kalimi në automjete elektrike

Volkswagen, Daimler dhe BMW po përballen me padi ligjore nëse nuk angazhohen për një plan më ambicioz të gjelbër.

“Do të jetë e pamundur të përshpejtohet kalimi i Volkswagen në automjete elektrike”, paralajmëroi Herbert Diess, drejtor ekzekutiv i prodhuesit të dytë më të madh të veturave në botë.

Volkswagen, si dhe konkurrentët e tyre gjermanë Daimler dhe BMW, po përballen me kërcënimin e padive ligjore nga Greenpeace dhe DUH (Deutsche Umwelthilfe) nëse nuk angazhohen për një plan më ambicioz për të ndaluar plotësisht prodhimin e automjeteve me motorë me djegie të brendshme sa më shpejt e mundshme.


“Ne jemi vërtet të shpejtë … A mund të jemi edhe më të shpejtë? Nuk ka shans. Ky tranzicion është kaq i ndërlikuar, kërkon kaq shumë investime, dhe këto nuk janë vetëm probleme të shpërndarjes së kapitalit, por edhe kufizime në ndërtimin e një fabrike të prodhimit të baterive”, u tha Dis gazetarëve përpara konferencës së IAA Mobility në Munich.

Volkswagen ka investuar 35 miliardë euro në zhvillimin e veturave elektrike, por aktivistët e mjedisit po kërkojnë të bëjnë shumë më tepër.

Situata u komplikua më tej nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese Gjermane në muajin prill, i cili urdhëroi industrinë gjermane të përshpejtojë planet e saj për të zvogëluar CO2, pasi gjykata konsideron se ato nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur qëllimet e dakorduara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.

Ndryshe, Volkswagen prodhoi veturën e parë elektrike ID.3, vitin e kaluar dhe planifikon të nxjerr disa dhjetëra modele të tjera në dekadën e ardhshme. Sidoqoftë, automjeti i tyre i parë elektrik për tregun masiv, i paraqitur të hënën në IAA, do të jetë i disponueshëm vetëm nga viti 2025, me një çmim prej rreth 20 mijë euro. /Telegrafi/