LAJMI I FUNDIT:

Dorëshkrim “ëndrrash” i shekullit X, në Arkivin Qendror Shtetëror të Shqipërisë

Dorëshkrim “ëndrrash” i shekullit X, në Arkivin Qendror Shtetëror të Shqipërisë

Nga: Sokol Çunga

Dikush më merr në mëngjes në telefon dhe thotë: “Të pashë në ëndërr. Mirë je?” Sigurisht që jam mirë. Kam ngrënë mëngjes dhe kam pirë kafenë.

Po ti që më telefonon, përse shqetësohesh thjesht nga një ëndërr?


Është e zakontë kjo për njeriun, megjithëse jetojmë në kohëra moderne. Ku i ka gjurmët ky supersticion?

Sigurisht, te paraardhësit, të cilët jo vetëm i besonin ëndrrat si parathënie të diçkaje që do të ndodhte, por i interpretonin si një komunikim i hyjnores me njeriun.

Për paganët ishin zotat. Për të krishterët ishte Perëndia i Triqenshëm. Për myslimanët ishte Allahu, e kështu me radhë. Secili besimtar përdorte emërtimet e veta. Kurse tekstet, ama, i kishin fort të ngjashme: që nga Artemidori i Greqisë klasike, tek astrologët anonimë të Bizantit të krishterë apo të perandorive teokratike islame, të gjithë përdorin pothuaj të njëjtat tekste të cilat i modifikojnë dhe i përshtatin për kohën dhe religjionin e tyre.

Një tekst të tillë, që në Bizant quhet Oneirokritis (Interpretues ëndrrash), e pikasëm para katër vitesh në bibliotekën e Arkivit Qendror Shtetëror të Shqipërisë. Është një dorëshkrim i vogël, kopjuar në shekullin XV, i cili na flet për vijimësinë e kësaj tradite edhe në trojet shqiptare gjatë Perandorisë Bizantine.

Oneirokritikon nga Ahmed ibn Serimi është një tekst i kopjuar në gjysmën e dytë të shekullit XV, shkruar në letër, përmban 96 fletë me përmasa 145×110 milimetra. Dorëshkrimi nuk ka kapakë, por ruan një pjesë të dëmtuar të lidhjes. Fashikujt përbëhen prej gjashtë apo tetë fletësh dhe nuk bartin numërtim.

I pari prej këtyre fashikujve mungon, duke bërë që teksti të fillojë me kreun 15. Dorëshkrimi përfundon me kreun 272. Është kopjuar nga një kopist anonim. Teksti, siç e thotë edhe titulli, është një interpretim ëndrrash.

Autorësia i atribuohet Ahmetit, të birit të Serimit, informacion që jepet edhe në f. 3 të dorëshkrimit: “Ἠλθεν ἄν(θρωπ)ος ἱρότι|σας με τὸν Ἀχμέτην, τὸν ὐιών Σιρεὶμ τὸν ὄνιρω|κριτὴν τοῦ προτουσηβούλου Μαμμουνή…” (Erdhi një njeri dhe më pyeti, mua, Ahmedin, të birin e Serimit, interpretuesin e ëndrrave të këshilltarit të parë, Mamunit). Në faqen 13 dorëshkrimit i është ngjitur një letër e trashë, bashkëkohore, e cila mban nr. 289.

Përveç kësaj shenje, dorëshkrimi nuk mban asnjë shënim tjetër, duke mos na dhënë asnjë informacion mbi kopistin, prejardhjen apo përdoruesit e mëparshëm.

Interpretimi i ëndrrave është një traditë fort e lashtë. Interpretimi më i hershëm i një ëndrre jepet tek Epi i Gilgameshit, ku Gilgameshi sheh ëndërr një sëpatë që bie nga qielli, të cilën e përqafon. Në Egjiptin e lashtë ëndrrat dhe priftërinjtë që interpretonin ato kishin vend të veçantë në shoqëri.

Interpretimi i ëndrrave shfaqet disa herë, në çaste kyçe, në Torahun e hebrenjve, dhe sillet mes të krishterëve dhe myslimanëve në Dhiatën e Vjetër dhe në Kuran, duke e bartur interpretimin e ëndrrave si një nga mënyrat përmes të cilave Zoti komunikon me njerëzit dhe interpretimi i tyre është privilegj i njerëzve të zgjedhur.

Grekët e lashtë u besonin kaq shumë ëndrrave, saqë ndërtuan tempujt e Asklepit, ku të sëmurët mjekoheshin përmes ëndrrave. Prandaj dhe Artemidori, në shek. II pas Krishtit, shkroi një libër të gjatë titulluar Oneirokritikon (njësoj si libri ynë), për interpretimin e ëndrrave.

Pas Artemidorit, bizantinët, nga njëra anë, dhe arabët, nga ana tjetër, hartojnë tekstet e tyre, sa duke huazuar diturinë e paraardhësve, aq edhe duke shkëmbyer informacion rreth tyre.

Libri të cilin prezantojmë është një pranëvënie fragmentesh nga tekste ekzistuese shkruar në arabisht, të cilat, nga ana e tyre qenë ndikuar dhe patën huazuar fragmente nga interpretimi i ëndrrave të Artemidorit. Kështu, te libri i Ahmed ibn Serimit hasim edhe traditën e interpretimit të ëndrrave sipas grekëve të lashtë, por edhe sipas arabëve myslimanë. Të dyja këto tradita, ndërkaq, bartin brenda tyre elemente të interpretimit të ëndrrave sipas persëve dhe egjiptianëve.

Interpretimi i ëndrrave, sipas Ahmedit, të birit të Serimit, është një variant i krishterë i interpretimit të ëndrrave, shkruar në fund të shekullit IX ose në shekullin X. Autorësia i atribuohet Ahmed/Muhamed ibn Serimit, i cili vdiq më 728 dhe ishte një nga figurat më të rëndësishme të islamit gjatë periudhës fillestare të besimit. Ndoshta teksti i atribuohet atij për t’i dhënë më shumë autoritet librit, ose ndoshta si pasojë e një keqkuptimi të njërit prej kopjuesve të tekstit.

Temat e ëndrrave që trajton libri nuk janë renditur në rend alfabetik, por në rend tematik me prirje zbritëse: në fillim trajtohet hyjnia dhe bota qiellore, pastaj tematika zbret te njeriu, duke interpretuar pjesët e trupit, nga koka deri te këmbët, trajton veprimtaritë njerëzore dhe kalon te mjedisi tokësor, te flora dhe fauna. Ngjallja e të vdekurve është simboli i parë të cilin trajton Interpretimi i ëndrrave. Më pas vjen interpretimi i parajsës, ferrit dhe engjëjve.

Interpretimi i ëndrrave i Ahmed ibn Serimit është përkthyer dy herë në latinisht në periudhën e Mesjetës, më pas në frëngjishten e vjetër, në anglishten e Normandisë, në italisht, në sllavishte të vjetër, në gjermanisht, etj.

Po përkthejmë këtu disa fragmente nga Oneirokritis i Ahmet ibn Serim-it

1. Erdhi një njeri dhe më pyeti mua, Ahmetin, të birin e Serimit, interpretuesin e ëndrrave të kryekëshilltarit të Mamunit: pashë në ëndërr se qimet e këmbëve të mia u shtuan dhe u zgjatën, ndaj mora gërshërën dhe i preva. Iu përgjigja: paratë dhe pasuria jote t’u shtuan, dhe aq sa i preve qimet, në po atë masë ke administruar keq pasurinë tënde. Dhe kështu ishte. (fl. 3r, kap. 19)

2. Qerpikët dhe vetullat janë stolia e syrit. Po të shohë njeri ëndërr se iu zbukuruan qerpikët dhe vetullat, do të bëhet më i vendosur në besim dhe do të kënaqet me fëmijët e tij. Po të shohë se iu shëmtuan, në qoftë perandor, do të sëmuret dhe do të ketë frikë nga armiqtë, por nuk do të mposhtet.

Në qoftë njeri i thjeshtë, do të sëmuret, por nuk do ta humbasë besimin. Po të shohë njeriu sikur zbukuron me brisk dhe bojë vetullat e tij, do të përpiqet t’u sigurojë lavdi fëmijëve të vet dhe vërtet, do t’ia arrijë.

Po të shikojë sikur i bien vetullat, siç i bien të lebrosurit, në qoftë perandor, forcat e armatosura [flota e koçive] do të shfarosen dhe ushtria [këmbësoria] do të administrohet keq. Në qoftë njeri i thjeshtë, njerëzit nuk do t’i kenë më besim. (fl. 14v, kap. 54)

[Shënim: Vetullat pa qime nënkuptojnë zinë dhe vajin dhe lidhen me një traditë të vjetër greko-romake. Për këtë arsye, në variantet e ngjashme të interpretimit të ëndrrave në arabisht ky pasazh mungon, por haset tek Artemidori dhe Oneirokritikon-i ynë. Frymëzimin, ndërkohë, e ka marrë nga interpretimet e ëndrrave sipas indianëve.]

3. Po të shohë njeriu në ëndërr se i prenë kokën dhe koka u nda nga trupi, në qoftë skllav, do të lirohet; në qoftë i sëmurë, do të shërohet; në pastë mërzi a borxhe, do të çlirohet prej tyre. Po ta shohë këtë ëndërr mbreti, gjithë shqetësimet, frikërat dhe turbullirat do të ndryshojnë për mirë.

Po të shohë njeriu se iu pre koka prej një të njohuri, ky njeri do të bëhet pjesë në gëzimin e atij (që pa ëndrrën). Po të shohë në ëndërr se u vra prej një fëmije, në qoftë i sëmurë, do të vdesë shpejt… [Paragraf i ngjashëm me interpretimin e ëndrrave të Ibn Qutayba-s]. (fl. 38r-39v, kap. 118). /ExLibris/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori