Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me dorëheqjet e policëve, të cilat sipas tij, po ndodhin për shkak të pakënaqësive të tyre me kushtet e punës.
Zeqiri në një intervistë për Telegrafin ka thënë së pret që sa më shpejtë të realizohen kërkesat e paraqitur për përmirësimin e kushteve të punës të policëve.
Ai ka folur edhe për takimin që kanë pasur me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Në realitet ne patëm një takim, në vazhdën e takimeve që i kemi pasë edhe me takimin paraprak dhe vërtet i kemi diskutu të gjitha nevojat dhe kërkesat që i ka Sindikata për Policinë e Kosovës.
Në këtë takim na u thanë shumë gjëra domethënë se janë bërë për Policinë e Kosovës, sidomos në investime kapitale, investime në infrastrukturë, pajisje logjistike të tjera, të gjitha këto me një fjalë, të gjitha ato çka janë të nevojshme për Policinë e Kosovës që të veprojnë në terren, qoftë për mbrojtje të rendit të qetësisë publike, qoftë për mbrojtje të integritetit të vendit, domethënë investime kapitale në shuma, me një përqindje krahasuar me vitet e tjera, shumë më shumë”, pohoi ai.
Imeri po ashtu tha se në takim kanë diskutuar edhe për sigurimet shëndetësore, ligjin për pensionimi, transportin e policëve, shujtat ditore, si dhe për kërkesa të tjera.
Ai tha se “ përmirësimi i kushteve dhe mirëqenies në Policinë e Kosovës do të ishte një parandalim për dorëheqjet që po ndodhin në Policinë e Kosovës në vazhdimësi. Edhe në vitet e kaluara edhe këtë vit kanë filluar me disa dorëheqje dhe definitivisht krejt dorëheqjet çka po ndodhin në Policinë e Kosovës janë dorëheqje për shkak të pakënaqësive të kushteve, apo më mirë me thënë të një page e cila nuk i mbulon shpenzimet për një familje, qoftë ajo katër anëtarësh”, theksoi ai.
Zeqiri gjatë intervistës tha se që “po kërkojmë që të plotësohen këto kushte sado kudo që ta ruajmë strukturën, këtë strukturë policore që është jashtëzakonisht profesionale, që mund të krahasohemi jo vetëm me shtetet e rajonit, po edhe më gjerë”.
Në intervistë ai ka shpalosur edhe detaje tjera për takimin me ministrin Sveçla dhe 14 kërkesat e paraqitura si sindikatë./Telegrafi/