LAJMI I FUNDIT:

Doku kah Prizreni

Doku kah Prizreni

Në edicionin e shtatë të Festivalit të Filmit Dikumentar, "Dukufest", do të shfaqen 130 filma. Ndërkaq, pjesëmarrjen në festival e kanë konfirmuar mbi 30 autorë. Filmat do të shfaqen në kinemanë Lumbardhi, Procredit dhe Shtëpinë e Kulturës në Prizren nga data 4 deri me 10 gusht. Në programin kryesor janë afro 80 filma.

Edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtarë të Filmit Dokumentar dhe të shkurtër “Dokufest” në Prizren, i cili do të mbahet nga data 4 gusht deri me 10 gusht ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm për të konkurruar në të. Nga 655 filma sa kanë konkurruar në festival vetëm 80 prej tyre do të futen në konkurrencë zyrtare.

Nga këta filma 475 kanë qenë filma dokumentarë kurse 160 të tjerë filma të shkurtër dhe të animuar.

Sipas organizatorëve, interesimi më i madh për edicionin e tanishëm ka ardhur nga SHBA, Anglia, Spanja dhe Gjermania. Kurse, adhuruesit e filmit do të mund t’i përcjellin 139 filma në katër hapësira të ndryshme.


Për çmimin kryesor të “Dokufest 2008” në garën ndërkombëtare të filmave dokumentar të gjatë gjithsejtë do të garojnë 10 filma. Ndër ta ndodhen edhe filmat “English Surgeon” fitues i festivaleve “HotDocs” të Torontos dhe “Silverdocs” të Washingtonit. Pastaj filmi mbi ish-kryetarin Çek, Vaclav Havel, i titulluar “Citizen Havel, To See if I’m Smiling”, fituesi i dyfishtë i festivalit më të rëndësishëm të filmit dokumentar në botë, IDFA të Amsterdamit si dhe filmi “Blind Loves” nga Sllovakia i cili vjen i freskët nga paraqitja në festivalin e Kanës dhe Karlovy Varit.

Ndërsa në garën ndërkombëtare për filmin më të mirë të shkurtë do të garojnë 29 filma. Prej tyre filmi “Hekurishtja” i regjisorit Burim Haliti është i vetmi film nga Kosova i cili ka arritur të jetë pjesëmarrës në këtë garë për çmimin si filmi më i mire i shkurtër. Sponsor gjeneral i “Dokufest 2008” është Procredit Bank, kurse sponsor i artë, kompania e njohur e telefonisë mobile IPKO.