Me këtë rast, zyrtarë të strukturave të LKD-së, kanë bërë homazhe pranë bustit të tij, në oborrin e shkollës fillore “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i LDK-së, në 10 vjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, tha se ai ishte një njeri që tërë jetën e tij ia përkushtoi demokracisë, lirisë dhe tolerancës.


“Për fat të keq u vra mu për këto arsye, sepse kishte të tillë që nuk e duronin këtë, ne do të përpiqemi edhe më tutje që t’ia bëjmë nderin të gjithë atyre që punuan për Kosovë, të gjithë atyre që punuan për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës, të gjithë atyre që me sjelljet e tyre u treguan shumë tolerantë, të kulturuar dhe e kultivuan këtë, pa marrë parasysh se çfarë ndodhi pas luftës, në ato ditë që ishin ditë të dhimbjes edhe për familjen dhe për ne, ditë që nuk dëshirojmë të përsëriten më në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Xhemail Mustafa ka qenë njëri ndër nismëtarët dhe themeluesit e LDK së, bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i kryetarit të LDK së dhe presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Dhjetë vjet ka qenë këshilltar për informim i Ibrahim Rugovës dhe ka punuar në Zyrën e Presidentit të Republikës. Ndonëse kanë kaluar dhjetë vrasja e tij ende nuk është zbardhur.
Zyrtarë të LDK-së, të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe të Podujevës, si dhe familjarë bënë homazhe edhe të varri i Xhemajl Mustafës në fshatin Gllamnik të Podujevës. /Telegrafi/