Gjykata Themelore në Pejë, të martën, e ka shpallur fajtor të akuzuarin Bali Berisha, i cili ka pranuar fajësinë se me dokumente false kishte përfituar nga pensioni për veteranët e luftës së UÇK-së.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Ahmet Rexhaj, të akuzuarit i është shqiptuar dënim me kusht prej një viti, mirëpo që nuk të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda periudhës dy vjeçare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndaj të akuzuarit Berisha, është shqiptuar edhe dënimi plotësues, kompensimi i dëmit në vlerë prej 1.190 euro, si dhe urdhri për publikimin e këtij aktgjykimi.
Sipas gjykatësit Rexhaj, i akuzuari gjithashtu obligohet që të paguajë paushallin gjyqësor në shumë prej 20 euro, si dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 euro.
Në seancën fillestare, prokurorja Lumturije Vuçetaj, ka konstatuar se e bën plotësimin e aktakuzës, në të cilën sipas saj, do të shtojë dy propozime që ndaj të pandehurit të shqiptohet dënimi plotësues që të bëhet kompensimi i dëmit, si dhe urdhri që të bëhet publikimi i aktgjykimit.
“Publikimi i aktgjykimeve është në interes të shoqërisë dhe konsideroj që të njëjtat kanë efekt pozitiv dhe preventiv që si i pandehuri ashtu edhe të tjerët mos të kryejnë vepra të kësaj natyre, e bazuar edhe në faktin që dosja e veteranëve konsiderohet si një ndër çështjet më të ndjeshme të shoqërisë tonë, andaj është më se e arsyeshme propozimi i shqiptimit të dënimeve plotësuese”, ka thënë Vuçetaj.
Pasi që aktakuza është konsideruar e lexuar, i pandehuri Berisha, ka deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.
“E ndjej veten fajtor se dokumentet i kom dorëzuar personalisht në zyrën e veteranëve, në Pejë”, ka thënë ai.
Pranimin e fajësisë e ka pranuar prokurorja Vuçetaj, e më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi Rexhaj.
Sipas aktakuzës së ngritur më 23 maj 2019, Bali Berisha ngarkohej me veprën penale “legalizim i përmbajtjes së rrem”.
Ai akuzohej se më 19 mars 2018, e gjerë në kohë të pacaktuar, në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, zyra në Pejë, pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), e ka vënë në lajthim organin kompetent të lartcekur.
Në aktakuzë thuhet që i pandehuri me dokument të falsifikuar dhe atë me certifikatë mbi statusin e veteranit luftëtar, si dhe me vërtetim të datës 14 mars 2019, kinse është “Veteran Luftëtar i UÇK”-së, ka arritur të përfitojë statusin e veteranit luftëtar, duke përfituar pagë mujore prej 170 euro, ku të dëmtuarës MPMS-së, i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 1.1190 euro.
Ndërkaq, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), më 8 shtator të këtij viti, ka prezantuar raportin analitik: “Drejtësia “amniston” veteranët e rrejshëm, dëmton buxhetin e Republikës së Kosovës: Analizë e aktakuzave, proceseve gjyqësore dhe aktgjykimeve në rastet e “veteranëve të rrejshëm”.
Sipas të gjeturave të këtij raporti, IKD kishte gjetur se sistemi i drejtësisë ka dështuar në mbrojtjen e buxhetit të Republikës së Kosovës në rastet e “veteranëve të rrejshëm”.
Ndërsa, si rrjedhojë IKD ka rekomanduar që me qëllim të mbrojtjes së buxhetit në trajtimin e këtyre rasteve, Prokuroria e Shtetit të bëjë propozime për shqiptimin e dënimeve plotësuese për kompensimin e dëmit të shkaktuar me përfitimet e kundërligjshme të “veteranëve mashtrues” nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe se gjykatat e Republikës së Kosovës, edhe në mungesë të një propozimi nga Prokurori i Shtetit, kanë kompetencë ligjore që sipas detyrës zyrtare të shqiptojnë dënime plotësuese./BetimipërDrejtësi/Telegrafi/