Parullat e hedhura me bënë përshtypje shumë dhe vendosa t’i them disa gjëra qe kujtoj se janë me rëndësi të ceken dhe të ndahen nga njëra tjetra.

Mysliman po, por jo arab, kemi gjuhë tjetër kulturë tjetër, doke dhe zakone tjera. Ritet dhe veshja fetare nuk duhet të na dallojë dhe ndajënga përkatësia kombëtare. Predikimi i islamit duhet t’i përshtatet kushteve tona. Islami shqiptar duhet të flasë për historinë tonë, vuajtjet tona, dinjitetin tonë, të flasë për alfabetin tonë të shenjtë, sepse është i yni dhe Zoti nuk është arab e as nuk madhërohet vetëm me gjuhën arabe. Krijuesi i gjithësisë Zoti, Allahu, nuk ka krijuar privilegje.


Sunduesit shkollën dhe alfabetin shqip, në emër të islamit na e ndaluan dhe atdhetaret tanë i shpallen të pa fe dhe i anatemuan. Vetëm kujtoni mësuesit që mësuan gjuhën shqipe u shpallen të pa fe, kaurë, ndërsa "kaurët" shqiptarë si Petro Nini Luarasi e Papa Kristo Negovani u helmuan, u masakruan, u ç’ kishëruan vetëm pse mësuan gjuhën shqipe dhe alfabetin shqip dhe jo atë arab dhe greko bizantin.

Lutjet zoti i pranon në gjuhën e atij populli që e thotë e jo vetëm në arabisht apo latinisht apo hebraisht, kjo është një mashtrim i madh i njerëzve të caktuar që luftojnë dhe predikojnë këto ideologji.

Edhe feja është parti, derisa ajo pretendon të marrë pushtetin e të sundojë. Ferexheja nuk është shqiptare, nëse dëshironi të mbuloheni atëherë le të jetë ajo e traditës shqiptare sepse ajo është më e shenjtë dhe e shtrenjtë se ajo fetare. Por kisha me thënë edhe njërën edhe tjetrën duhet kultivuar dhe përdorur për momente të caktuara, për festa kombëtare kombëtaren e vetëm për namaz ferexhenë, jo të aplikohet në jetën e përditshme.

Krahasimi që bëhet ma mirë me ferexhe se lakuriq, është krahasim ekstrem dhe përdorimi i ferexhesë nuk mund të arsyetohet në këtë mënyrë, sepse neve që jemi kundër ferexhesë, nuk jemi për lakuriqësi apo me mirë me thënë për veshje ekstravagante.

Ferexheja nuk është e shenjtë, nuk është e domosdoshme. Këtë e kane shpikur njerëzit për qëllime të caktuara vetëm për të na torturuar dhe lënë mbrapa civilizimit dhe emancipimit.

Në kohën e ish JU.. shumë rregulla kanë qenë të fabrikuara dhe përpunuara nga UDB-ja që janë përcjellë në popull përmes emisarëve të tyre, disa me dëshirë e disa edhe me dhunë. Çdo gjë, që ka qenë përparimtare dhe e dobishme, ka qenë e ndaluar për myslimanin shqiptar. Një kohë, edhe shkollimi i mashkullit ka qenë haram e gjynah e lere më vajzës. Tashti kur ndikimi sllav iku, kemi ndikimin arab drejtpërdrejt nga shtete të ndryshme me interesa të ndryshme, me rryma të ndryshme dhe interpretime të ndryshme, mes-hebesh të ndryshme që për njohësit e fesë mes-hebet janë të lejuara pasi që as Muhammedi as. nuk ka mundur të ndikojë në mënyrën e realizimit të lutjeve ndaj Zotit dhe për atë i ka lejuar vetëm për t’i mbajtur si përfaqësues të Islamit edhe pse nuk kanë qenë të kënaqur me këto drejtime.

Sot tek ne kanë depërtuar edhe këto mes-hebe, prandaj edhe kemi këtë rrëmujë edhe në interpretim edhe interesa grupore për të dominuar. Kjo është shumë e rrezikshme sepse për të dominuar, përdoren format me ekstreme siç ishte edhe demonstrata e para do ditshme që u organizua nga këta ithtarë të një drejtimi që dëshirojnë të dominojnë gjëja në emër të Islamit dhe Zotit. Kjo është e tepërt dhe e rrezikshme, sepse hidhen parulla si “Allahu ekber” “Allahu është i madh”; “ Allah, Allah etj. e ku na çojnë këto parulla????.

Veshja e një populli nuk e simbolizon besimin. Veshja e predikuesve të fesë ka një rendësi, por jo aq shumë fetare, sa ka rendësi formale dhe autoritare, që e dallon nga masa që i shkon mbrapa, në namaz si dhe lutjet dhe ritet tjera fetare.

Shpresoj të jem kuptuar mirë së paku nga ata njerëz që e donë Zotin shqip dhe i luten zotit shqip, mendojnë shqip, lexojnë shqip, flasin shqip dhe jetojnë shqip, pa turp dhe frikë sepse këtë gjuhë e njeh edhe Zoti dhe asnjëherë nuk e ka mallkuar, e kane mallkuar armiqtë tanë, e nga pak po e mallkojmë edhe ne vetë duke injoruar në shumë raste.

Predikuesit, Elita fetare duhet të punojë edhe më shumë në sqarimin dhe kthjellimin e shume dilemave dhe në përpilimin, përkthimin dhe interpretimin e Kur-anit dhe të distancohen nga grupet ekstremiste që janë të dëmshme për popullin tonë, për ardhmërinë tonë. Të përpilojnë tekste fetare që janë edhe me interes kombëtar.

Historia kombëtare është e lidhur edhe me historinë fetare. Nuk mund te shpjegohet evoluimi fetar ndarazi nga evoluimi kombëtar. Krahas zhvillimit kombëtar është ngritë edhe vetëdija fetare. Kjo që po ndodh tani me ferexhenë është një kthim prapa në emancipimin kombëtar dhe fetar.

Nuk mund të kthehet ferexheja e cila është flakur me mund të madh në vitet e pesëdhjeta. Kjo nuk na sjell përparim, por vetëm kënaqje e interesave grupore të disa njerëzve me ide dhe drejtime shumë të dyshimta kombëtare dhe fetare, kjo nuk na shkon në interesin e gjithëmbarshëm kombëtar.

Me ferexhe liria për femrat është e kufizuar, femra me këtë rast është e manipuluar nga mashkulli. Ky është një sulm i madh në kombin tonë sepse po gjymtohet një e dyta e kombit, kur dihet se femra përveç tjerash ka edhe rolin e emancipimit të kombit si nënë e kombit, prandaj ju lutem kujdes, kujdes nga mallkimi kombëtar, kujdes nga shkelja e gjakut të të gjithë atyre që me shekuj sakrifikuan për këtë tokë, këtë popull, këtë gjuhë.

(Autori është profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare)