Deklaratat e Kasperit nuk e përfaqësojnë qëndrimin e Vatikanit

“Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, qysh atëherë ka kërkuar sqarim zyrtar për këtë çështje dhe është informuar se askush nuk është kompetent të deklarohet për qëndrimin e Shtetit të Vatikanit, përveç Sekretarisë së Shtetit. E njëjta Sekretari asnjëherë nuk ka dhënë një deklaratë të tillë”, thuhet në një deklaratë për media të Ipeshkvisë së Kosovës.
Ipeshkvia e Kosovës ka bërë të ditur se Kardinali Walter Kasper, që nga 2010 është pensionuar dhe nuk e drejton asnjë dikaster të Shtetit të Vatikanit.
“Deklaratat e tija, as sot nuk e përfaqësojnë qëndrimin e Vatikanit e as të Ipeshkvisë së Kosovës. Ri-sjellja e deklaratave të mëparshme në media, lënë të kuptohen sikur po bartin tendenca të reja”, thekson Ipeshkvia e Kosovës.
Mediat kanë raportuar se Kardinali Walter Kasper, gjatë një vizite në muajin e kaluar në Rusi, u takua me kreun e Kishës Ortodokse Ruse, Patriarkun Aleksei i II-të.
”Vatikani kupton shqetësimet e Rusisë dhe Kishës Ortodokse mbi problemin e Kosovës . Ne gjithashtu kuptojmë se Kosova është djepi i Kishës Ortodokse Serbe”, raportohet të ketë thënë Kasper.
Ai gjithashtu ka theksuar se pozicioni i Selisë së Shenjtë është se të gjitha minoritetet etnike kanë të drejta të barabarta fetare, kulturore, sociale dhe për vetëvendosje. Por, sipas Kardinalit Kasper, serbët janë seriozisht të ”kufizuar” në arritjen e këtyre të drejtave. /Telegrafi/




















































