Site icon Telegrafi

De Bruyne shpjegon pse Interi do të jetë problematik për Man Cityn në finalen e Ligës së Kampionëve

Në prag të finales së Ligës së Kampionëve të shtunën mbrëma, mesfushori i Manchester Cityt, Kevin De Bruyne ka shpjeguar pse skuadra e tij mund të luftojë për shanse kundër Interit.

Duke folur së bashku me trajnerin Pep Guardiola gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes të Cityt të premten në mbrëmje, belgu tha se sistemi që Interi luan nën Simone Inzaghi është ai që ai dhe bashkëlojtarët hasin rrallë në Ligën Premier.

De Bruyne vlerësoi cilësitë mbrojtëse të Interit, duke theksuar gjithashtu se me presionin për të luajtur në një finale të madhe evropiane, ai nuk pret që të ketë shumë mundësi të pastra shënimi gjatë mbrëmjes.

Lexo po ashtu "Shumë projekte janë shkatërruar nga ndjekja e trofeut të Ligës së Kampionëve" - Guardiola tregon tërthorazi se çfarë e pret Interin në finale

“Ne e kuptojmë Interin. Ata janë kompakt, luajnë 5-3-2, dy sulmuesit e mbajnë mirë topin dhe kanë vrapues nga mesfusha. Ata mbrojnë jashtëzakonisht mirë. Nuk presim një lojë të hapur, kjo nuk ndodh shumë në finale”, ka thënë fillimisht De Bruyne në konferencën për shtyp.

“Nuk duhet të nervozohemi shumë shpejt. Ndoshta nuk do të ketë shumë shanse të hershme. Ne duhet të luajmë ashtu siç bëjmë, të jemi të rehatshëm dhe shpresojmë të gjejmë hapësira dhe të shënojmë gola”.

“Në 5-6 vitet e fundit në Ligën Premier, shumë skuadra më poshtë tabelës luajnë me pesë mbrojtës, ndoshta më shumë 5-4-1, por ata e bëjnë këtë me dy sulmues që është pak më ndryshe. Avantazhi që Interi ka ndaj skuadrave në Angli është se ata e luajnë atë gjatë gjithë kohës, ata e njohin sistemin brenda dhe jashtë dhe janë shumë të mirë në të”.

De Bruyne pranoi gjithashtu komplimentet e fundit që i janë dhënë Cityt nga trajneri i Interit, Inzaghi, i cili pretendoi se skuadra e Mançesterit është favorit i qartë për në finale.

“Faleminderit trajnerit, ne punojmë shumë për të bërë më të mirën që mund të bëjmë. Ne kemi qenë në gjendje të fitojmë shumë ndeshje dhe trofe brenda vendit. Të gjithë e dinë se si luajmë, të vendosur në mbrojtje dhe në sulm. Ne do të përpiqemi të bëjmë të njëjtën gjë në nesër (sot)”.

Lexo po ashtu “Interi ka nevojë për shumë zemër kundër Man City” – Inzaghi flet për finalen e Ligës së Kampionëve

Megjithëse ka plotë trofe që nga ardhja e tij nga Wolfsburg më 2015, De Bruynes dhe Cityt, ende po i mungon trofeu i lakmuar i Ligës së Kampionëve.

“Kam qenë këtu për një kohë të gjatë, për mua kanë qenë të pabesueshme tetë vitet që kam qenë këtu. Shumë momente të larta, padyshim që kemi konkurruar në këtë garë, por ende nuk kemi mundur ta fitojmë atë. Është e vetmja vërejtje që njerëzit mund të na japin. Ne kemi qenë të qëndrueshëm, të mirë në këtë garë. Duhet të gjejmë një mënyrë për të fituar të parin. Do të ishte e madhe për lojtarët, klubin, tifozët”, përfundoi ylli i Cityt. /Telegrafi/

Exit mobile version