LAJMI I FUNDIT:

Davis: Çështja e Kosovës të zgjidhet në OKB

Davis: Çështja e Kosovës të zgjidhet në OKB

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terry Davis, ka deklaruar sot në Strasburg se, është qëndrim i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që çështja e statusit të ardhshëm të Kosovës, duhet të zgjidhet në Kombet e Bashkuara, sepse sipas tij, çështja e kufijve zgjidhet në OKB.

"Ky do të jetë një vendim që do ta marrë OKB-ja, sepse ky institucion zgjidh çështjen e kufijve dhe ne do ta respektojmë këtë vendim", ka thënë Davis para gazetarëve në Strasburg.

Ai ka theksuar se "Kosova është pjesë e Evropës, kurse standardet evropiane duhet të zbatohen kudo në Evropë, ndaj edhe në Kosovë".

“Çështja e Kosovës i përket tërë rajonit dhe Evropës e jo vetëm Serbisë”, ka thënë Davis.


Ai po ashtu ka thënë se është në pritje të përfundimit të një raporti për respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe do të ishte i befasuar nëse në të nuk gjen shkelje. Këshilli i Evropës do t’i monitorojë zgjedhjet që organizohen në Kosovë.