LAJMI I FUNDIT:

Dashuria nuk njeh distancë, këtë e dëshmon lejleku kroat

Dashuria nuk njeh distancë, këtë e dëshmon lejleku kroat

Një lejlek mashkull dëshmoi edhe një herë se distanca nuk është pengesë për dashurinë e vërtetë, pasi ai fluturoi mijëra kilometra për t’iu kthyer partneres së tij të hendikepuar në një fshat të Kroacisë, njoftuan mediat lokale.

Ky është viti i pestë me radhë që lejleku me emrin Rodan, bën udhëtimin epik prej 13.000 kilometrave nga Afrika e Jugut në fshatin Brodski Varos, në lindje të Kroacisë, shkruan gazeta kroate “Jutarnji List”.

“Sivjet ai erdhi pak më herët”, thotë Stjepan Vokic, i cili kujdeset për lejlekun femër, që mban emrin Malena, e cila nuk mund të fluturojë pasi gjuetarët e plagosën derisa fluturonte.

Rodan dukej shumë i rraskapitur nga udhëtimi, tha Vokic. Çdo vit çifti ka rritur një tufë zogjsh të rinj, të cilët Rodani i ka mësuar të fluturojnë pasi Malena nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, rrëfen Vokic. As sivjet nuk pritet ndonjë ndryshim.


Në gusht, Rodani dhe lejlekët e rinj fillojnë të bëhen gati për udhëtimin e gjatë të dimrit për në Afrikën e Jugut, derisa Malena mbetet në Brodski Varos derisa t’i kthehet partneri në pranverë. /Telegrafi/