Këngëtarja legjendare e viteve ’50 dhe ’60, Connie Francis, është ndarë nga jeta ditën e enjte.

Lajmin e ka konfirmuar miku dhe zëdhënësi i saj, Ron Roberts.


Ende nuk është bërë publike shkaku i vdekjes.

Connie Francis

E lindur më 12 dhjetor 1937 në Newark, New Jersey, Connie (emri i vërtetë Concetta Rosemarie Franconero) nisi të këndonte që në moshë të vogël dhe debutoi në televizione si “Arthur Godfrey’s Talent Scouts” dhe “The Perry Como Show”.

Ajo nënshkroi me MGM Records në moshën 17-vjeçare, por fama e saj nisi kur Dick Clark transmetoi këngën “Who’s Sorry Now?” në “American Bandstand” në vitin 1958.

Connie Francis

Në kulmin e karrierës së saj, Francis pati më shumë se 12 këngë në top 20 mes viteve 1957-1964, përfshirë hitet “Stupid Cupid”, “Lipstick on Your Collar”, “Pretty Little Baby”, “Everybody’s Somebody’s Fool” dhe dy këngët që arritën vendin e parë: “Don’t Break the Heart That Loves You” dhe “The Heart Has a Mind of Its Own”.

Ajo u bë e famshme edhe në mbarë botën duke i rikënduar këngët në gjuhë të ndryshme si italisht dhe spanjisht dhe gjithashtu luajti në disa filma si “Where the Boys Are” dhe “Follow the Boys”.

Francis do të mbahet mend si një prej ikonave më të mëdha të muzikës pop amerikane të shekullit XX. /Telegrafi/