LAJMI I FUNDIT:

Çka është kombi e çka nacioni?

Ky artikull trajton një çështje mjaft të nxehtë kohëve të fundit, siç është ajo e kombit dhe e identitetit kombëtar. Së pari unë e konsideroj krejtësisht absurde dhe antishkencore që të pyesim se "çfarë është kombi". Kjo sepse logjikshëm ekziston koncepti, pastaj krijohet fjala për ta emërtuar atë. Nuk ka kuptim që të shpikim një fjalë, pastaj të pyesim se çfarë është kjo. Megjithatë, kjo po ndodh me rastin e kombit, sepse njerëz të caktuar kanë shpikur teori koti për interesa të ndryshme që nuk kanë të bëjnë asgjë me shkencën e mirëfilltë dhe ne mundohemi këtu të sqarojmë disa gjëra.

Fjala komb në shqip nuk ka të bëjë asgjë me fjalën arabe Khavim, por është fjalë e brumit shqip, që ka edhe kuptime tjera, si p.sh.: "diçka e lidhur nyjë" ose "nyjë e drurit ku dalin dy degë". Nuk mund të themi nëse fjala shqipe komb u krijua duke përdorur fjalën “komb” në kuptimin e një gjëje të lidhur nyjë, apo në kuptimin e nyjës së drurit. Në rastin e parë, kombi do të jetë kuptuar si grup njerëzish të lidhur fort pas bashkësisë siç është e lidhur nyjë edhe litari, mënga, harrni etj. Në rastin e dytë kombi nënkupton lisin gjenealogjik. Kjo e dyta duket më e sigurt, sepse fjala lis në traditën shqiptare ka kuptimin e gjenealogjisë, si p.sh.: lisi i gjakut apo lisi i tamlit.


Në lidhje me kuptimin e fjalës "komb" në shqip, le të jetë e qartë se nuk ka të bëjë asgjë me fjalën "nacion", apo siç thuhet në gjuhë të ndryshme, gjer. “nacjone”, ang. “njëshen”, sllav. “nacija”. Identifikimi i kombit me nacionin është një gabim nga i cili rezultojnë shumë gabime tjera. Ka shumë autorë shqiptarë që nga fillimi i shek. XX e deri më sot, që e kanë përdorur fjalën komb me kuptimin e nacionit, por sidoqoftë gabimi mbetet gabim dhe nganjëherë gabon edhe ndonjë mendje e ndritur. Themi gabim sepse e dimë që është një ngatërrim që rrjedh nga gjuhët e huaja, nga përkthimi jo-adekuat.

Kombi në traditën shqiptare përkufizohet si bashkësi e njerëzve me një atdhe, gjak, gjuhë, dhe kulturë. Atdheu është thjesht territori i grupit, por që pjesëtarët e grupit ushqejnë ndjenja të caktuara ndaj tij. Kjo është diçka që ekziston tok me njeriun, sepse është ndjenjë e natyrshme. Nga ana tjetër gjaku nënkupton jo lëngun e kuq me hemoglobinë siç e kanë zakon të ironizojnë cinikët, por nënkupton lidhjet e gjakut dhe prejardhjen, ose të paktën njërën prej tyre. Në fakt, lidhjet e gjakut janë të vjetra po aq sa edhe vetë njerëzit. Shkencëtarët çdo herë e më shumë po vërtetojnë se njeriu është specie tipike ekzogame, d.m.th. që ka tendenca të natyrshme të martohet jashtë familjes apo jashtë fisit. Martesat janë ato që lidhin fise të ndryshme duke krijuar komunitete mbifisnore, apo thënë në përgjithësi integrojnë këto grupe vazhdimisht dhe kjo gjë vlen njëjtë si për kohëra të lashta prehistorike ashtu edhe për kohët e sotme.

Bie fjala: nuk është e rastit që shteti brazilian ndjek politikë "të përzierjes racore me çdo kusht", sepse e di se përmes këtyre martesave lidh mes vete të gjitha grupacionet e popullsisë së vet. Edhe prejardhja vlen patjetër në përcaktimin e kombit. Shqiptarët e Ballkanit me arbëreshë të Italisë nuk kanë pasur martesa qe pesë shekuj, por prejardhja e përbashkët i bën shqiptarë që të gjithë. Edhe gjuha është një element i kombit që ka ekzistuar tok me njeriun. Njerëz pa gjuhë nuk ka, sepse përndryshe do të quheshin kafshë. Prandaj, njerëz pa komb nuk ka. Kur ka gjuhë ka edhe komb.

Kultura po ashtu është aq e vjetër sa që mjafton të pyesim arkeologët për këtë gjë dhe do të bindemi. Kultura të shumta prehistorike janë ato që përcaktojnë identitetin kombëtar (etnik) të bartësve të tyre.

Kësisoj, vijmë në përfundim se kombi është identitet i dhënë dhe aspak i konstruktuar, sepse lidhjet e gjakut ekzistojnë nga vetë natyra, e gjuha po ashtu mësohet në mënyrë krejtësisht spontane nga fëmija duke dëgjuar të tjerët. Nuk ka këtu nevojë për ideologji nacionaliste që fëmijës t’i mësohet gjuha. Kultura po ashtu krijohet spontanisht nga nevojat e rastit e jo me paramendim të caktuar.

Ndërkaq, nacioni, ndonëse rrjedh nga fjala latine natio (pjellë), në mesjetë mori kuptimin e identitetit politik. Kështu, gjithë ajo mori romakësh që flisnin gjuhë latine vulgare, në mesjetë e gjetën veten pa një shtet të përbashkët dhe njëkohësisht mes tyre kishte dialect continuum, që nuk i lejonte të veçoheshin si kombe, prandaj identiteti i parë që arritën të krijojnë ishte ai shtetëror (venedikas, fiorentin, gjenovez, raguzan, lionez etj.), që atyre iu duk sikur pjellë apo farë e fis(natio), por që s’e kishte fare atë kuptim. Na duket gjithashtu e çuditshme se autorë të huaj mundohen termit nacion në mesjetë t’i japin plot kuptime, kur në të vërtetë kishte vetëm një kuptim, e ky është identitet politik apo shtetëror.

Bie fjala: disa mendojnë se me natio në mesjetë janë quajtur edhe nënndarjet e studentëve brenda universitetit. Në realitet, studentët janë ndarë sipas shteteve prej nga kanë ardhur, p.sh.: nga Venediku, Francia, Picardia, Normandia, Germania… Pra, sërish "natio" në mesjetë kishte kuptimin e identitetit politik. Që nga atëherë termi "nacion" ruajti atë kuptim dhe ende atë kuptim e ka. Por, këto nacione u rritën deri në nivelin e kombit, e kjo ndodhi gjatë bashkimit të këtyre republikave të vogla në shtete kombëtare. Dhe termi nacion vazhdoi të përdorej, por duke qenë i shkrirë me kufijtë kombëtarë, atëherë u njësua me kombin (Gjermania, Italia, Franca etj.)

Rasti i Francës do të na shpjegonte mjaft mirë dallimin mes kombit dhe nacionit. Në Francë, meqenëse është vetëm një shtet, atëherë kemi vetëm një nacion – nacionin francez që e merr emrin sipas shtetit apo sipas kombit sundues. Në këtë nacion bëjnë pjesë shumë kombe, shumica të okupuar pa dëshirën e tyre. Në Veri francezët si okupatorë dhe komb sundues, në Lindje alzasët dhe lorenët (kombe gjermanike të okupuara pas Luftës së Parë botërore), në Veri flamanët (komb gjermanik), në perëndim bretanët (komb kelt, të cilët nga okupimi francez deri më tani kanë përfituar asimilimin e gjysmës së kombit), provansalezët në Jug që flasin gjuhë tjetër dhe janë komb më vete të ndryshëm nga francezët, dhe baskët në gjirin e Biskajës gjithashtu jo të kënaqur me okupimin francez. Tani e shohim se kombi s’ka të bëjë me shtetin aq shumë, edhe pse dëshirat e pastra të njerëzve janë që secili komb të ketë shtetin e tij në kufij kombëtarë. Kurse, nacioni nënkupton identitet politik, që shpesh mund të jetë i imponuar.

Raste tjera që mund të përmendim janë spanjollët dhe anglezët. Kombi spanjoll në shekullin XIV e më tej u zgjerua shumë në Amerikë, duke kolonizuar ato vende. Mirëpo, ata sërish spanjollë mbesin, sepse atë gjuhë e flasin. Por, duke mos mundur të mbajnë gjallë një shtet në një hapësirë aq të gjerë, ata krijuan shtete të shumta dhe bashkë me këto kuptohet se krijuan edhe nacione: meksikan, bolivian, peruan, argjentinas etj. Anglezët po ashtu u zgjeruan dhe prej tyre sot rrjedhin nacionet: amerikan, kanadez, australian, neozelandez, jugafrikan etj. Por, këto janë vetëm nacione e jo kombe. Nacioni është një nocion aq i zbrazët, saqë nuk ka kurrfarë kuptimi pa shtetin. Hiq shtetin dhe nacion nuk ka. Sikurse edhe mileti që nuk mund të ekzistojë pa fenë, "hiqe fenë dhe milet nuk ka".

Ndoshta kjo është arsyeja pse disa insistojnë se kombi amerikan u krijua pas revolucionit 1787. Por, ata që e thonë duhet ta dinë se ky nuk është aspak komb amerikan, sepse nuk ekziston një gjë e tillë si “komb amerikan”, se një amerikan e anglez janë mes vete të një kombi, por ne mund ta përdorim në atë rast shprehjen “nacion amerikan”.

Ne shqiptarët shumë mirë e kemi kuptuar rëndësinë e kombit, duke qenë se nuk kishim shtet gjatë shekujve, por kombi u ruajt edhe pa shtet. Ndryshe qëndron puna me anglezët që duke qenë të izoluar në veriperëndim si një ishull, rrallë u pushtuan. Kësisoj, te ata as që ekziston shprehja komb me rrënjë angleze: e përdorin shprehjen "ethnic group", që është nga terminologjia shkencore. E kanë edhe shprehjen “people” që ka kuptim shumë të përgjithshëm. Dhe në fund e kanë shprehjen "nation" që e huazuan nga francezët gjatë mesjetës. Kjo e fundit të njëjtin kuptim e ruan edhe sot.

Popuj tjerë e kanë edhe shprehjen e kombit. P.sh. gjermanët kombin e quajnë “volk” dhe njëkohësisht e përdorin termin “nazione” me kuptim nacion dhe jo komb.

Duke e quajtur kombin "ethnic group", ndërsa duke e konsideruar nacionin si grupim bazë të njerëzve, kjo njëkohësisht mbështet ideologji të caktuara. Kështu, amerikanët mund të mburren se ata janë të parët që krijuan nacion, sepse u ndanë nga Anglia (mos të harrojmë se këto teori raciste, kur është në pyetje mesjeta dhe antika nuk përdorin termin "nacion", por popull sërish me tendenca raciste); ose francezët mund të mburren sepse janë të dytët, apo le ta shprehim më ëmbël “janë ndër të parët” dhe se tash pasi ata krijuan nacionet për vete nuk u ka mbetur tjetër vetëm të shkojnë nëpër vende tjera t’ju dërgojnë "dritën" e tyre, t’i "qytetërojnë" dhe të tjerët, ashtu siç shtetet kolonizatore "ndriçuan" Afrikën e Azinë gjatë shekullit XIX e XX më së shumti. Kjo e bën teorinë e nacionit tërësisht raciste. Duke mos patur vjetërsi, ata krijuan diçka të re, diçka moderne. Por, kjo "diçka e re" është koncept krejt abstrakt që ekziston në mendjen e tyre. Veç tjerash, sipas këtyre teorive, duke qenë se identiteti qoftë kombëtar a shtetëror është konstruktuar (duke e barazuar gabimisht kombin me shtetin), synon që ta paraqesë njeriun para-modern (d.m.th. të para revolucionit 1789) si njeri pa kurrfarë ndërgjegje kolektive e madje në gjendje shtazarake që grupoheshin përreth disa zotërinjve feudalë.

Unë mbaj qëndrimin se ne para se të jemi shkencëtarë, para se të mbështesim këtë apo atë autor, para se të na pëlqejë kjo apo ajo teori, duhet të jemi thjesht shqiptarë të mendojmë shqip, të mbajmë teorinë tonë tradicionale për kombin, atë që na mëson tradita shekullore. Duke pranuar teori të këtilla se "kombi na qenka krijuar në shekullin XIX" ne pranojmë rolin e të kolonizuarit, rolin e indigjenëve primitivë në dy kuptime:

1. Në kuptimin që botëkuptimin tonë për kombin, në vend se ta mbajmë ashtu siç ishte, siç e krijuan rrethanat tona shekullore, ne po e humbim në favor të botëkuptimit anglosakson apo francez. Në këtë mënyrë e idiotizojmë vetveten duke instaluar mënyra të menduari që nuk na takojnë neve dhe njëkohësisht zbatojmë imperativin e kolonizatorit që të kolonizuarit t’ia imponojë mënyrën e vet të të menduarit.

2. Në kuptimin që atë që ne e quajmë komb, të tjerët e quajnë "ethnic group" d.m.th. diçka më e ulët se nacioni sipas tyre. Kështu që s’kemi pse t’u pranojmë të tjerëve se kanë bërë diçka që në fakt nuk kanë bërë. Me revolucionin amerikan nuk u krijua kurrfarë kombi, por u krijua një shtet i ri duke u ndarë nga pjesa tjetër për shkak të largësisë gjeografike dhe çështje tjera të natyrës praktike. Ata ende janë "ethnic group", konkretisht komb anglez, sikurse ne jemi komb shqiptar.

Gjithashtu, ne nuk duhet të tolerojmë që në statistika të përdoren shprehje të tilla si "të ardhurat kombëtare", që është përkthim i gabuar i shprehjes "national incomes" ose "national anthem" që dikush e përkthen si "himn kombëtar". Gjithashtu ka qenë gabim i madh kur Presidentja e vendit e quajti Këshillin Nacional, "Këshill Kombëtar", me arsyetimin se i përmbledh ose i ngërthen në vete të gjitha institucionet e Kosovës. Në të gjitha këto raste do të duhej të përdorej shprehja “nacional” dhe shtetëror sipas rastit, përkatësisht "të ardhurat nacionale", "himni shtetëror", "këshilli nacional", etj.

Vlen të ceket dhe tmerri që fshihet prapa idesë se shteti formon kombin. Kjo është një mënyrë perfide për të maskuar asimilimin. Në cilindo rast kur shteti formon komb, kemi të bëjmë me asimilim popujsh, zhdukje gjuhësh, shkatërrim kulturash të lashta, prandaj shpesh është për t’u çuditur si ka mundësi që flasin me kaq lehtësi për kombin shtet, madje e propagandojnë me zë të lartë, sidomos ata që gojën e kanë plot demokraci. Ne si shqiptarë kemi luftuar me shekuj pikërisht kundër asimilimit, për ruajtjen e gjuhës e sidomos zakoneve tona, dhe nuk duhet sot të mbështesim një të keqe që ka kërcënuar pikërisht popullin tonë përgjatë shekujve. Është pikërisht asimilimi i arvanitëve në grekë, i malësorëve në malazezë, apo i shqiptarëve tjerë në maqedonë e serbë, që këta njerëz e quajnë proces i formimit kombëtar, kur në të vërtetë kombit shqiptar u janë hequr gjymtyrët e veta.

Prandaj, pas gjithë këtij elaborimi, them se teori të tilla për kombin, së bashku me përkthimin e gabuar nga nation në komb, janë përdhosje e mënyrës tonë shekullore të të menduarit dhe të të jetuarit.