Mateo Kovacic është objektivi kryesor i Manchester Cityt për ta zëvendësuar kapitenin Ilkay Gundogan që do të largohet në verë si lojtar i lirë.
Mesfushori kroat ka pesë vite që është pjesë e Chelseat dhe londinezët duket se janë pajtuar për ta shitur atë.
29-vjeçari ka kontratë me Chelsean deri në verën e vitit 2024 dhe palët nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për të rinovuar atë.
City po insiston për transferimin e kroatit, megjithatë nuk është i lehtë transferimi i tij nga Chelsea, duke marrë parasysh çmimin e vendosur nga skuadra londineze.
The Blues i kanë bërë të qartë Cityt se nuk do ta lejojnë largimin e kroatit nga Stamford Bridges pa fituar shumën e 40 milionë eurove, shumë që po konsiderohet e lartë nga City për një futbollist që pas një viti del i lirë.
Në garë për Kovacic janë edhe skuadra të tjera si Bayern Munich, Liverpool dhe AC Milan.
Kovacic këtë edicion ka zhvilluar 37 ndeshje zyrtare me Chelsean, ku ka realizuar dy gola dhe ka asistuar në dy të tjerë. /Telegrafi/