Para, pushtet e forcë. I kanë të gjitha. Elitat politike që udhëheqin sot Kosovën sillen si cara, pa ua prishur kush tymin e cigares. Duke krijuar monopole në treg, e në anën tjetër duke përfituar miliona kinse për rregullimin e po këtij tregu “në emër të ligjit”, ata e forcojnë sundimin e tyre. Ndërkaq, duke udhëhequr parti politike me parime të fiseve e rajoneve, ata i forcojnë pozitat edhe në vendet nga vijnë, nëpërmjet të dërguarve të tyre politikë - carave të vegjël.

Pasi kanë mbushur institucione e kompani publike me familjarë e militantë, këta bajraktarë vazhdojnë t’i zgjerojnë zonat e interesit, ndërkohë që reketi, shantazhi, frikësimi e kushtëzimi janë metodat “demokratike” që i përdorin kur kanë nevojë.

Të mbledhur rreth grupeve të krijuara mbi baza të interesave të ngushta klanore, ata hapin e mbyllin tenderë, duke shfrytëzuar pushtetin dhe të qenit në politikë për qëllime personale. Shtëpitë shumëkatëshe e makinat e shtrenjta nuk janë asgjë krahasuar me milionat që iu grumbullohen në konto të dyshimta. Këta njerëz nuk mendojnë thjesht vetëm për të ardhmen e tyre, por për të ardhmen e fëmijëve, madje edhe të nipave të tyre. Ata qysh tash ua shtrojnë rrugën pasardhësve që t’i trashëgojnë atëherë kur ata të vdesin, sepse deri sa t’i marrë zoti, zor se largohen me qejf nga politika.
Kur i dëgjoni të flasin për përparime e begati në vend, kuptojeni se në radhë të parë po flasin për vete e familjen e tyre. Madje edhe kur i dëgjoni tek përlahen me fjalë, kuptojeni se në të shumtën e rasteve e bëjnë për shkak
të përzierjes në “zonat operative”. Tregu i naftës, cigareve, mishit, ndërtimeve, kazinotë… nuk janë arsye të vogla, apo jo?

* * *

Rasti më i fundit i tenderit për importimin e mishit në Kosovë është vetëm edhe një në vargun e rasteve të dyshimta dhe vendimeve pa bazë ligjore.
Dikush dëshiron të kallëzohet car edhe të përfitojë miliona edhe në këtë fushë, duke vendosur monopol. Bëhet fjalë për qarkullim vjetor prej miliona eurosh. Punë e madhe se shkelet Ligji për Prokurim Publik. Punë e madhe se dëmtohen kompanitë vendore. Me rëndësi është që të mblidhen miliona. E pastaj, pa pikën e turpit, carat i dëgjojmë duke folur për përkrahje biznesit vendor.

Ndërkohë, për pak muaj do të shohim shpenzime marramendëse të partive në fushatë elektorale. Pa fije transparence, politikanët sërish do të bëjnë thirrje për t’i votuar. Projektligji, i cili rregullon financimin e partive
politike dhe fushatat parazgjedhore, ende nuk është miratuar nga parlamenti. Kjo nuk iu vjen përshtati carave, sepse atëherë do të zvogëlohej mundësia për manipulime e lidhje me biznese të dyshimta. Ligjet i pengojnë, nuk i ndihmojnë në pisllëqet e tyre. Atyre s’ka çka iu bën as ligji. Ligjin e bëjnë vetë.

(Editorial i gazetës “Profil”)