Capusella një dekadë të Kosovës me sfidat e shtetndërtimit: demokracia, korrupsioni dhe BE-ja

Vitet e jetës e të punës së tij në Kosovë, për gati një dekadë, Andrea Lorenza Capusella i ka përmbledhur në librin e tij me titull “Shtetndërtimi në Kosovë: demokracia, korrupsioni dhe BE-ja”.
Në këtë libër, ish zyrtari i lartë i ICO-së, flet për situatën politike në vend, zhvillimin ekonomik, sundimin ligjit e demokracinë në vend, raporton KTV.
“Këtë libër e kam shkruar sepse mendoj se Kosova është një rast interesant për të gjithë të interesuarit në tranzicion, në ndërtim të shtetit dhe intervenimin ndërkombëtar, por edhe më gjerësisht në lidhjet mes zhvillimeve politike e ekonomike, mes demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Mendoj se rasti i Kosovës tregon mirë se demokracia s’është vetëm fundi i zhvillimit, por është instrument i rëndësishëm për të siguruar zhvillimin”, ka thënë Andrea Lorenco Capusela, autor i librit.
Andrea Lorenzo Capussela ka folur edhe për drejtësinë e brishtë e korrupsionin e madh në Kosovë, i cili nuk po luftohej as nga bashkësia ndërkombëtare.
“Eulexi nuk ishte i interesuar të hetonte rastet e mëdha të korrupsionit sepse do t'i tregonte botës probleme të mëdha këtu e që bashkësia ndërkombëtare i mohonte. Dhe e dyta ishte më e thjesht të realizohen disa nevoja vendore sesa të përmirësohen ato”, ka thënë më tej ai.
Libri është botuar nga “Botimet KOHA”. Botuesja dhe përkthyesja në shqip e këtij libri, Flaka Surroi, tha se “Shtetndërtimi në Kosovë: demokracia, korrupsioni dhe BE-ja” është libër shumë tërheqës për lexuesin kosovar.
Libri me titull “Shtetndërtimi në Kosovë: demokracia, korrupsioni dhe BE-ja” është botim i grupit “Koha”dhe mbulon periudhën nga 1999 deri në vitin e shkuar.




















































