Burrneshat (të njohura edhe si virgjëreshat e betuara) i përkasin një tradite që u krijua dhe u zhvillua përgjatë një periudhe disashekullore, por që vazhdon të jetë e pranishme ende sot, kryesisht në disa zona periferike të veriut të Shqipërisë. Arsyet e lindjes së kësaj tradite lidhen me një sërë faktorësh, në bazë të të cilëve qëndrojnë rregullat që organizonin dhe orientonin shoqërinë e dikurshme.
Ndër këta faktorë, më themelorët lidheshin me nevojën që kishin familjet pa një trashëgimtar mashkull për të ruajtur pasurinë familjare; për të shmangur ndonjë konflikt me pasoja fatale; për shkak të kushteve të vështira të jetesës, të cilat e detyronin një femër të shndërrohej në personin kryesor që kujdesej për familjen; por edhe për shkak të një zgjedhjeje personale që bënte femra, e cila dëshironte të bënte një jetë të tillë.
Kjo traditë, pavarësisht se në përmasa më të vogla, vazhdon ende sot në Shqipëri në disa zona.
Një burrneshë konsiderohej apo konsiderohet edhe aktualisht një grua e cila vendos që ajo të mos martohet deri në fund të jetës së saj, të marrë përsipër në familje punë që janë në traditën e meshkujve, të ketë një status njësoj si të meshkujve në familje, apo edhe më gjerë, si dhe të mos e thyej këtë vendim.
Ilmije Lika, e cila ka lindur në vitin 1979, është njëra ndër femrat shqiptare, e cila mori vendimin të ishte burrneshë e betuar. Ajo jeton në një banesë me babanë e saj, në fshatin Gurrë e Madhe në Mat të Shqipërisë.
Pritja e mysafirëve në shtëpinë e familjes Lika është sipas të gjitha traditave shqiptare, ndërsa pjesë e kësaj pritjeje dhe bisedës me miqtë që vizitojnë shpesh shtëpinë është edhe vetë Ilmija.
Në moshën 13-vjeçare i vdiq e ëma dhe që prej asaj kohe, jeta e saj mori tjetër rrjedhë. Ilmije Lika, duke folur për Anadolu Agency (AA), tregon arsyet që e detyruan të marrë këtë vendim, si ndihet ajo në rolin e burrneshës dhe përse nuk e shkel kurrë një vendim të tillë.
Biseda me të rrjedh natyrshëm, teksa Ilmija rrëfen për të gjitha fazat e jetës së saj, që nga vdekja e së ëmës, vendimi për t’u shndërruar në burrneshë, jetesa e vështirë në fshat, si dhe gjendja e saj shëndetësore.
“Nëna ime ka ndërruar jetë në vitin 1993, për shkak të një sëmundjeje të rëndë që kishte. Më pas u detyrova që shumë punë t’i bëj unë, pasi babi punonte larg shtëpisë. Punët në fshat i përballoja vetë, të gjitha llojet e punëve që bën një burrë në shtëpi. Gradualisht kjo mënyrë jetese filloi të më pëlqejë. Unë siguroja drutë për dimrin, punoja arën etj. Kisha realisht një dëshirë të merresha me këto lloj punësh, të cilat këtu në fshat zakonisht bëhen nga burrat”, tregon ajo.
Ilmija dallon në karakteristikat e saj jo vetëm për statusin që tashmë i ka vënë vetes, por edhe për mënyrën e sjelljes, bisedës, veshjes, punëve që bën në shtëpi, vendit që gëzon në familje apo më gjerë.
Për shkak të problemeve shëndetësore që ka prej disa vitesh, ajo nuk bën punë të rënda, siç i bënte dikur: nuk shkon më në mal për të siguruar dru zjarri dhe as nuk ka mundësi të kujdeset për punët e tjera në fshat, të cilat zakonisht u përkisnin meshkujve, por që merreshin përsipër edhe nga ato gra, të cilat vendosnin të jetonin me statusin e burrneshës.
Po si ndihet ajo për këtë zgjedhje? A do ta mbajë një betim tillë gjithmonë? Si trajtohet në familje dhe në fshatin ku jeton? Këto janë disa nga pyetjet që asaj i drejtohen shpesh.
Me cigaren që nuk e heq nga dora, ajo shprehet: “Për këtë zgjedhje ndihem shumë e lumtur. Në fshatin ku jetoj nuk ka paragjykime. Këtë vendim, që e mora pas vdekjes së nënës, jam betuar të mos e thyej deri në vdekje. Unë kam vendosur të jem një burrneshë deri në fund të jetës sime.”
Në ceremonitë e ndryshme në fshat, si në raste fatkeqësish, në dasma, datëlindjeve etj., ajo është pjesë e mjediseve ku zakonisht qëndrojnë meshkujt e fshatit, ndërsa respekti dhe trajtimi ndaj saj është njëlloj dhe pa paragjykime, përkundrazi, me një kujdes të veçantë.
Babai i saj, Sulejman Lika, tregon se kjo është një zgjedhje e vetë Ilmijes, pa ndonjë imponim nga anëtarët e familjes. Ai kërkon ndihmën e organizatave dhe të institucioneve shtetërore që ta ndihmojnë Ilmijen, për shkak se ajo vuan nga astma bronkiale dhe nuk mund ta përballojë koston e lartë që i nevojitet për të blerë ilaçet.
Edhe kushërira e saj kishte bërë një zgjedhje të tillë më parë. Ajo jetoi me prindërit derisa ndërroi jetë, rreth moshës 70-vjeçare. Pavarësisht se dekada të shkuara kjo ishte një traditë shumë e përhapur në fshatrat e Matit, aktualisht numërohen pak individë që e vijojnë atë, gjë që u detyrohet edhe zhvillimeve e kushteve të reja, të cilat karakterizojnë shoqërinë bashkëkohëse.
Si ka lindur tradita e burrneshave në Shqipëri
Ashtu si shumë tradita të shqiptarëve, të tilla si besa, bujaria, mikpritja, toleranca fetare etj., të cilat janë bërë objekt studimi nga historianë dhe etnografë vendës e të huaj, edhe fenomeni i burrneshave ka ngjallur një interes në mesin e studiuesve, por edhe më gjerë. Por si ka lindur kjo traditë shekullore në Shqipëri?
Në Shqipëri, disa shekuj më parë, në kushtet kur jeta ndërtohej mbi baza patriarkale dhe sipas kanuneve, mashkulli ishte figura kryesore e drejtimit të familjes, por edhe ai që mbante peshën kryesore të saj. Nisur nga kjo, në rastet kur një familje përbëhej vetëm nga vajzat, apo kur mungonte mashkulli, në disa familje në veriun e Shqipërisë kultivohej tradita e burrneshave, të cilat betoheshin se nuk do të martoheshin deri në fund të jetës së tyre, për të pasur statusin “burrëror” në familje.
Por tradita në fjalë erdhi duke u përhapur edhe për shkak të një zgjedhjeje individuale që bënin femra të tilla. Një shkak tjetër i marrjes së këtij vendimi lidhej shpesh edhe me prishjen e martesës së parë, gjë që e shtynte femrën të hiqte dorë përjetësisht nga e drejta për t’u martuar sërish dhe për t’u shndërruar në burrneshë.
Në përgjithësi, burrneshat kanë bërë apo bëjnë një jetë të vështirë, për shkak se jetojnë në zona malore të veriut të Shqipërisë, por edhe për shkak të rrethanave që i kanë detyruar të kenë këtë status. Aktualisht, një numër i vogël i tyre jetojnë kryesisht në veri të Shqipërisë, si në Shkodër, Dibër, Mat, Bulqizë, Kukës etj.
Për historitë e burrneshave në Shqipëri janë botuar edhe libra, ndërsa një interes të veçantë ka pasur edhe kinematografia, ku janë realizuar dokumentare a filma të veçantë mbi këtë traditë, e cila edhe pse është krijuar në të shkuarën e ka vijuar për shekuj me radhë, vazhdon të praktikohet ende sot dhe të jetë pjesë e realitetit shqiptar. /AA/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëSerwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?
Njohësit e sigurisë: Serbia synon ta mbajë veriun të tensionuar
Fermeri shqiptar synon rekordin Guinness me vargun më të gjatë të qepëve
Darka e Lamës në Llukë të Deçanit, Haradinaj: Shenjë e jona që na bashkon
Analiza e "Octupus": Si po synon Serbia destabilizimin e Kosovës përmes luftës hibride
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj