Edhe pse avokati mbrojtës i Tafilit kërkoi gjykim të shkurtuar për klientin e tij, trupi gjykues e hodhi poshtë kërkesën.

Admir Tafili e pranoi vrasjen, duke shpjeguar se i kishte survejuar vëllezërit Nik e Gjovalin Pjetrushi për gati dy javë duke qenë në dijeni kështu të të gjitha lëvizjeve të tyre.


Ai detajoi më tej se u zuri pritë dhe i ekzekutoi.

Tafili e mbrojti veten duke u shprehur se vrasjen e dy vëllezërve Pjetrushi e kreu vetëm për të marrë gjakun e babait të tij, Bahri Tafili.

35-vjeçari Admir Tafili tha në gjykatë se ai e kishte njoftuar Prel Pjetrushin se do të hakmerrej ndaj vëllezërve, duke qenë se nuk hakmerrej dot ndaj tij.

I ati i Admir Tafilit, Bahri Tafili mbeti i vrarë në të njëjtën ditë kur u ekzekutua Drejtori i Policisë së Shkodrës Arben Zylyftari, gjatë një shkëmbimi zjarri mes policisë dhe disa të kërkuarve, vrasje për të cilën është dënuar Genc Tafili, vëllai i Admirit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Vrasja e Nik dhe Gjovalin Pjetrushit, përkatësisht 31 dhe 25 vjeç ndodhi më 18 mars të vitit 2011, rreth orës 08:00 në fshatin Grudë e Re, të komunës Rrethina, në Shkodër. /Telegrafi/