Bujar Nishani, President i ri i Shqipërisë

Procesi i votimit nisi pas orës 17:00. Në sallë ndodheshin edhe deputetët socialistë, të cilët kishin paralajmëruar bojkotimin e procesit të votimit. Në votimin e fshehtë nga opozita mori pjesë vetëm deputeti dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili në mënyrë demostrative hodhi bosh - pa e plotësuar në këndin sekret - fletën e tij. Votoi edhe deputeti i përjashtuar nga grupi parlamentar socialist, Kastriot Islami, dhe kreu i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa.
Në përfundim të procesit, deputetët e mazhorancës uruan Bujar Nishanin për detyrën e tij të re, që do të nisë në ditët e fundit të korrikut, kur edhe përfundon mandati i presidentit Topi. Nishani do të jetë President i Republikës për mandatin pesëvjeçar, deri në vitin 2017.
Nishani ishte kandidatura e vetme në raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e presidentit. Ai u propozua gjatë pasdites së sotme, pas tërheqjes së Artan Hoxhës, i cili u largua nga gara pak minuta para se të niste votimi gjatë paradites, raporton “Top Channel”.
Ai ishte një ndër katër emrat që maxhoranca propozoi një natë më parë, në tryezën me liderin e opozitës.
Nishani është tashmë Presidenti i gjashtë, i cili u zgjodh pa konsensusin e opozitës. Gjatë orëve të pasdites pati debate nëse kjo kandidaturë ishte apo jo kushtetuese, për shkak se ai mban detyrën e ministrit të Brendshëm.
Sipas disa konstitucionalistëve, Nishani mund të quhej kandidat për president vetëm pasi të jepte dorëheqje si ministër dhe ajo të pranohej nga kreu i shtetit, Bamir Topi.
Ndonëse i porsazgjedhur, Nishani është përshëndetur nga presidenti në ikje i Republikës, Bamir Topi i uroi suksese në detyrën e lartë të kreut të shtetit. Ndërsa, nga faktori ndërkombëtar, ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, i ka uruar atij punë të mbarë në këtë detyrë të rëndësishme.
Edhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti zgjedhjen e Bujar Nishanit në postin e kreut të Shqipërisë.
"Zgjedhja e z. Nishani si president i ardhshëm i Shqipërisë është lajm i mirë. Ne e çmojmë punën e vendosur të ministrit për shtetin e së drejtës, në projekte të shumta me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri", deklaroi Wollfarth.
Edhe kandidati i vetëdeklaruar për president, ish kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i shprehi urime Nishanit.
“Sot Shqipëria ka Presidentin e saj më të ri i cili ka dalë nga një votim transparent në Kuvend. Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë të bashkohen”, deklaron Nano, transmeton NOA.
Gjatë 21 viteve të pluralizmit politik, Shqipëria ka pasur gjashtë presidentë. Në vijë kronologjike ata janë: Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Mosiu, Bamir Topin dhe Bujar Nishanin - i zgjedhur sot.
Por, kush është Bujar Nishani?
Nishani anëtarësohet në Partinë Demokratike në vitin 1991. Në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën. Ndërsa, në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike
Është i martuar me Odeta Nishanin, me të cilën kanë dy fëmijë, Ersi dhe Fiona Nishanin., shkruan “BalkanWeb”.
Ka diplomuar në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në vitin 1988. Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni - “Menaxhimi i Resurseve të Mbrojtjes” - në vitin 1996. Në vitin 2004 diplomohet si jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Ndërsa, në vitin 2005 merr titullin master në Studimet Evropiane
Në vitin 1988 ka punuar si pedagog në Akademinë Ushtarake "Skënderbej". Më 1993 punon në Ministrinë e Mbrojtjes, në sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë. Një vit më vonë angazhohet në Ministria e Jashtme (Marrëdhëniet me NATO-)n.
Më 1996 punon në kabinetin e ministrit të Mbrojtjes. Ndërsa, më 1997, ishte kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë;
Në vitin 2005 Nishani zgjidhet deputet ne Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 2007-2009 ishte ministër i Brendshëm, e në vitet 2009-2011 ministër i Drejtësisë.
Nga prilli 2011 e deri më sot, kur u emërua president i ri i vendit, ai kishte postin e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë. /Telegrafi/





















































