Këshilltari republikan në Këshillin bashkiak të Fierit është dënuar me 40 vjet burg nga Gjykata italiane. Por, në vendimin e 11 prillit, për masën e sigurisë, Gjykata e Fierit nuk caktonte asnjë nga efektivët e policisë të kryejë shërbim roje pranë banesës së biznesmenit.

Burime nga Komisioni Evropian kanë shprehur keqardhjen në lidhje me këtë trajtim të dobët të çështjes, por shtojnë se ekzekutivi i BE-së nuk mund të komentojë vendimin e gjykatës. Lajmi publikohet në faqen www.euroactiv.com.


“Komisioni Evropian nuk komenton vendimin e Gjykatës, por ndjek me vëmendje të madhe trajtimin e rastit të Fatmir Kajollit, dhe rezultati i saj do të ndikojë në marrëdhëniet BE- Shqipëri”, ka mësuar faqja Euractiv.

Në disa media në Shqipëri u raportua se ish ministri Mbrojtjes kishte miq të cilët siguruan një vendim të dobët në Gjykatë. Prej kohësh përflitej miqësia e hershme Mediut dhe Kajollit, e cila nis nga viti 1990. Po ashtu, Mediu ka punësuar shumë njerëz të afërt të Kajollit. I vëllai i Fatmir Kajollit është pjesë e kabinetit të Ministrit Fatmir Mediu, si këshilltar i tij, në ministrinë e Mjedisit të cilin e drejton aktualisht.

Euractiv përmend dhe faktin se Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar se Policia nuk e arrestoi atë pavarësisht faktit se lista e të kërkuarve ndërkombëtarë është si në dispozicion të Prokurorisë ashtu edhe në atë të Policisë. Nga ana e tij, Ministri Nishani kishte deklaruar se emri i Kajollit gjendej në një listë që nuk ishte në dispozicion të Policisë, por që i ishte adresuar Prokurorisë.

47 vjeçari u dënua nga Gjykata e Romës në Itali me 24 vjet burg për trafikim narkotikësh dhe nga Gjykata e Milanos në Itali me 16 vjet burg për “pjesëmarrje në organizata kriminale me qëllim trafikim narkotikësh”. Prokuroria kërkoi masën e arrestit me burg, duke i paraqitur gjykatës një sërë provash mes të cilave dhe dy vendimet e gjykatave italiane, si dhe kërkesën e ministrisë së Drejtësisë italiane për ekstradimin e 47-vjeçarit Kajolli për shkak të implikimit të tij në veprat penale të trafikut të narkotikëve dhe pjesëmarrjes në organizata kriminale.

Nga ana tjetër, avokatja Rezarta Plaku këmbënguli se klienti i saj është i pafajshëm dhe se Prokuroria nuk ka prova të administruara sipas ligjit, që faktojnë implikimin e Kajollit në akuzat e ngritura nga shteti italian. /Telegrafi/