Falë kushteve shumë të favorshme klimatike që ka Rrafshi i Dukagjinit, komuna e Pejës ka shënuar progres të konsiderueshëm sa i përket zhvillimit të blegtorisë. Mirëpo, ndonëse faktori kryesorë, ekziston për një veprimtari të tillë, fermerët çdo ditë po përballen me vështirësi. Isak Bytyqi, edhe pse ka zgjedhur të merret me këtë sektor, thotë se nuk është edhe aq fitimprurëse. Barrierë kryesore, Bytyqi e konsideron politikën aktuale fiskale.

“Po qe se nuk hiqet TVSH-ja për qumështin e freskët, po iu them sinqerisht se ndoshta do të jem i detyruar që ta lëmë këtë veprimtari. Nuk ka aspak leverdi të merresh me ferma, sidomos me lopë qumështore. Duhet të kemi parasysh se investimet po janë mjaft të mëdha, ndërsa përfitimet shumë të vogla”, shprehet Bytyqi.


Megjithëkëtë, për fermerët e kësaj ane, Bytyqi e konsideron fat të madh që kanë njërin nga përpunuesit më të mëdhenj të qumështit në Kosovë. “Është shumë e mirë që ne këtu e kemi edhe fabrikën për përpunimin e qumështit VITA. Ne jemi shumë të kënaqur me kushtet që na ofron por edhe me çmimin që e paguan për litër. Kjo na jep vullnet edhe më shumë që të përkushtohemi ndaj këtij profesioni, nëse mund ta quaj profesion. Por, prapë po e përsëris, TVSH-ja po na shkakton pasoja të shumta”.

Kur flasim për qumështin, grumbullimi i tij nëpër pika grumbulluese, por edhe drejtpërsëdrejti në kompaninë për përpunimin e qumështit VITA, është edhe një hap tjetër shumë i rëndësishëm që ua lehtëson punën fermerëve. Drejtori i qumështores VITA, Driton Shkololli, thotë për portalin "Ferma Ime" se kjo kompani është e përkushtuar që deri në maksimum të qëndrojë pranë fermerit.

“Qumështorja Vita nuk është e vetmja e cila merret me përpunimin e qumështit. Por, jemi e vetmja qumështore e cila ka qumësht UHT(Ultra High Temperature) dhe jemi lider i grumbullimit dhe përpunimit të këtij produkti. Kapacitet tona të përpunimit janë 200.000 litra në ditë. Por, ato mbesin të pashfrytëzuara për shkak se grumbullimi i qumështit është vetëm 60.000 litra në ditë. Shfrytëzimi i kapaciteteve bëhet përmes prodhimit të lëngjeve me fruta Tango Life dhe Dolce Vita”, tregon Driton Shkololli.

Ndërkohë, problemi i heqjes së TVSH-së, për qumështin e freskët, nuk mund të zgjidhet në mënyrë të shpejtë pasi duhet të ndryshohet ligji aktual për TVSH-në, thonë zyrtarë të Ministrisë së Financave. Gëzim Baxhaku, këshilltar i Ministrit të Financave, tha për portalin "Ferma Ime" se ministri Besim Beqaj i ka njoftuar fermerët për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për TVSH-në, që është pjesë e agjendës legjislative për këtë vit.

“Ministri Besim Beqaj i ka informuar fermerët se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me miratimin e ligjit për TVSH-në. Por, ne nuk mund të flasim për afate të shpejta, sepse kjo varet nga miratimi i ligjit për TVSH-në dhe nëse për këtë merret edhe pëlqimi nga ana e FMN-së”, ka thënë Baxhaku.

E ndërsa pritet që gjatë këtij viti, të hiqet kjo barrë fiskale për prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit, pushteti komunal në Pejë, e ka vënë zhvillimin e blegtorisë ndër prioritetet kryesore të tij. Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Tahir Cukaj, thotë për portalin “Ferma Ime” se investimet në sektorin e blegtorisë dhe ujitjes së tokave të punueshme, janë fushat kryesore në të cilat është përqendruar vëmendja e komunës së Pejës.

“Në komunën e Pejës aktualisht janë të regjistruara 12 mijë krerë lopë dhe 10 mijë krerë dele. Falë kushteve të përshtatshme natyrore që ka komuna e Pejës, ne jemi fokusuar kryesisht në investime në sektorin e blegtorisë. Jemi vazhdimisht në përpjekje të përmirësimit të bazës gjenetike. Pra, qëllimi ynë është që ta orientojmë popullsinë drejtë racave më fisnike siç janë: Simental, Holstein, Busha etj.” thotë mes tjerash drejtori Tahir Cukaj. /FermaIme/Telegrafi/