LAJMI I FUNDIT:

Bizneset po ballafaqohen me probleme të shumta

Bizneset po ballafaqohen  me probleme të shumta

Shtimi i ultë i GDP-së, deficiti i lartë tregtar, struktura e pavolitshme ekonomike dhe vazhdimi i rritjes së papunësisë, janë problemet më të theksuara më të cilat po ballafaqohet ekonomia e Kosovës dhe ndërmarrësit. Kështu është konstatuar në mbledhjen e gjashtë të Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).

Gjatë kësaj mbledhje, Kuvendi i OEK-ut ka konstatuar se mungon angazhimi konkret në inkurajimin e investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë dhe se nuk është bërë sa duhet në luftimin e ekonomisë informale dhe krijimin e një ambienti të volitshëm për zhvillim ekonomik.

"Ndër lëvizjet pozitive në ekonominë e Kosovës u theksuan privatizimi i shpejtuar, vazhdimi i rritjes së depozitave dhe kredive në banka dhe në planin afatmesëm nënshkrimi i marrëveshjes së CEFTA-së", ka konstatuar Kuvendi i OEK-ut.

Sa i përket raportit gjashtë mujor të punës së OEK-së, është theksuar se në bazë të kapaciteteve profesionale dhe eksperiencës së fituar të gjitha aktivitetet e saj në fokus e kanë klientin, gjegjësisht anëtarin e OEK-ut.


"Shumica e aktiviteteve janë dizajnuar në bazë të kërkesave të anëtarësisë së gjerë dhe vlerësimeve pozitive nga viti i kaluar. Me rastin e planifikimit është marr parasysh që aktivitetet të jenë të shtrira nëpër regjione ashtu që të jemi më gjithëpërfshirës dhe të jemi prezent në tërë Kosovën" thuhet në raportin e punës së OEK-së.

Ndërsa sa i përket aktiviteteve të OEK-ut , është konkluduar se edhe në të ardhmën duhet të kenë fokus në aktivitetet e lobimit, analizat ekonomike, të ketë komunikim me ambasadat e huaja në Prishtinë dhe jashtë, bashkëpunim me institucionet e Kosovës, odat ekonomike jashtë vendit, si dhe bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare dhe donatorët. /Telegrafi/