Presidenti aktual i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq që fitoi 35.3 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, u prezantua negativisht në televizionet serbe që kanë frekuencë kombëtare.
Bazuar në monitorimin e bërë në Radio Televizionin e Serbisë, Pink, Happy, Prva dhe B92 – nga shpallja e zgjedhjeve më 16 janar deri në fillimin e heshtjes zgjedhore më 17 mars – hulumtimi i organizatës për Kërkime Sociale (BIRODI), ka gjetur se Gjukanoviq është “i lidhur me anti-serbizmin, ka marrëdhënie negative ndaj Kishës Ortodokse Serbe”.
Krahas Gjukanoviqit, më së shumti hapësirë i është lënë kandidatit që nuk ka kaluar në raundin e dytë, Andrija Mandiq, i cili është paraqitur pozitivisht, si “kandidat serb” dhe si kandidat që insiston për pajtim në Mal të Zi.
Sipas hulumtimit, në televizionet që e kanë prezantuar Gjukanoviqin negativisht dhe Mandiqin pozitivisht, akterët më të përfaqësuar kanë qenë “analistët pro-qeveritar dhe pro të djathtë, të cilët në një numër të madh të rasteve nuk kanë pasur ekspertizë në fushën e zgjedhjeve”, ndërsa disa nga ata u përfshinë aktivisht në fushatat e kandidatëve për president.
BIRODI shton se Jakov Milatoviqit i atribuohet “mosbashkëpunimi në lidhje me kandidatin e përbashkët dhe mosgatishmëria për të thënë publikisht se do të mbështesë Mandiqin në raundin e dytë”.
Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi do të mbahet më 2 prill. /Telegrafi/