LAJMI I FUNDIT:

“Bibliotekat e intelektualëve” e Injac Zamputtit dhe … intelektualët pa biblioteka

“Bibliotekat e intelektualëve” e Injac Zamputtit dhe … intelektualët pa biblioteka
Frano Kulli

Nga: Frano Kulli

Injac Zamputti në librin e tij “Kujtime – njerëz, fakte, ngjarje”, në një syth të rrëfimeve, andej nga faqet e fundit të librit të titulluar “Bibliotekat e intelektualëve”, shkruan: Qysh në muajt e parë të mbasluftës (duhet të ketë qenë qershori 1945), Qarkori i Partisë komuniste (në Tiranë) shpërndau nëpër shtëpitë tonë një fletushkë me një listë autorësh dhe me titujt e librave që nuk duhej të mbaheshin në bibliotekat tona shtëpiake. Domosdo, të parat ishin veprat e Fishtës, Koliqit dhe të klerikëve katolikë. Por. ajo që më çuditi dhe që më bani të mendohesha qe fakti se, në këtë listë ishte vu edhe emni i im … Kjo listë librash të ndaluem ishte në gjurmët e Kundër-reformës të shekullit XVI kur, në Koncilin e Trentit (Trentos), u krijue ‘Indeksi’”.

Dhe, Zamputti, si rrallë kush tjetër e njihte dhe e dinte mirë se ç’kishte qenë ai “Indeks” i Koncilit të atëhershëm, të katër shekujve më parë, dhe se çka kishte me qenë ky që sapo u shfaq – referuar kohës për të cilën ai flet. Ai edhe e dallon fort mirë nuancën e grihtë në të zezë që e bënte të ndryshëm “indeksin” e ri nga ai i hershmi. “Indeksi” komunist po krijohej vetëm duke u nisë nga pozita klasore e autorëve … Dhe, natyrisht, njëri syresh që do të futej në orbitën e “indeksit” do të ishte me patjetër edhe vetë ai, Zamputti. Me origjinë italiane, nga babai, me shkollim e kulturë të atjeshme, përftuar atje në vitet 1930, dishepull i At Giuseppe (Zef) Valentinit e mësues në Seminarin Papnuer, koleg me Dom Ndre Mjedjen, s’kishte si të lihej jashtë rrethit të “indeksit” komunist.


Dhe, ky veçim për të do t’i mbetet gozhdë në kujtesë për kaq dekada sa ishte numri i shekujve të kaluar, një aso gozhde në të cilën dikush godet pa u ndalur dhe ajo ngulej pa pra (ndalur) në gjithë qenien e tij. Një shqetësim në formën e ankthit, që pasi shfaqet në një moment e gjendje të caktuar, të ndjek si sëmundje kronike për gjithë jetën. Çdo ndodhi e gjithçka që ngjet e ka një fillesë. Zanafilla e kësaj të keqeje është “atëherë kur kanë hy këta”, kur regjimi i ri i mbasluftës hapte shtigjet e reja të parakalimit të dhunës e shtypjes. Mbi të diturit më së pari …

Më mbas, sikurse për ata e për vetë Zamputtin, mbikëqyrja e vrojtimi sistematik e i pandalshëm i mbylli për të gjatë kohë në koracën e autocensurës së frikshme. Megjithatë, ai dhe nja pak, fare pak të tjerë si Çabej, Gjeçi, Shllaku, Ashta, Leka e nja pak, fare pak të tjerë, të cilët dalldia që erdhi i zuri këtu dhe qëndruan, mbas kalvarit të mundimshëm si të Jezu Krishtit ia dolën ta nxjerrin në breg veprën e vet të dobishme sa vetë ashti i kombit e me nijetin e shpirtin kulturëdashës tua trashëgojnë brezave. Qëndresa e tyre përballë rrebesheve absurde që sillte për ta sistemi i dhunës është fondamenti i artë i trashëgimisë sonë në fushën e dijes.

Libërdashja, si kategori publike e marrëdhënies së ndërsjellët të njeriut me dijen, gjithherë te ne ka ecë nëpërmjet lëkundjeve e ulje ngritjeve të përsëritura. Në varësi e sipas kurbës e trajtesës së kultivuar që asaj i ka bërë shoqëria, elita e saj … Pak më shumë se një muaj më parë uli qepenat njëra prej librarive të rëndësishme në Tiranë. Një tjetër, që shërbente edhe si agjenci shpërndarje për brenda vendit, ka filluar të paketojë nëpër kuti librat qëndrimgjatë aty, që sipas gjasave është preludi i melodisë krrakrraitëse të qepen-uljes.

Kurse marrëdhëniet e enteve publike me librin e me leximin, gjithherë kanë lënë për të dëshiruar. Edhe atëherë kur në krye të tyre, Ministrisë së Kulturës, kanë qenë shkrimtarë. Dhe, s’është kaq paradoksale sa duket, nëse gërmon pak, fare pak më thellë në njohjen e politikave qeverisëse për librin. Sot, sistemi i qarkullimit libror në Shqipëri është me cilësinë më të ulët krahasuar me vendet fqinje me ne. Sikundërse përkujdesja shtetërore për të e pakrahasueshme me asgjë dhe me askënd, kurrkund përreth nesh. E le më të të vijë në mendje ndonjë qasje me Evropën, për ku gërthasim se duam të shkojmë. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, sot ekziston më shumë si një ent ku rrogëtohen disa njerëz.

E shfytyruar padrejtësisht deri në dhimbje. E denjë për të lidhur aty Gomarin Viskë Babatasi, që Fishta e sjell te Komedia e vet Satirë “Gomari i Babatasit”, në pjesën e dytë të saj “Visku i Babatasit”. Visk Babatasi është një nga të rrallët personazhe me emër të vërtetë në vepër, është person real i jetës sociale dhe politike shqiptare. Asokohe (1922-1928) qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Ishte sekretar i revistës “Albania” të Konicës, po i përgojuar dendur edhe nga ai. Ishte korçar, antikatolik i shpallur, por edhe antigegë, gjithashtu. Kishte shumë humor dhe Fishtës i pëlqente humori i tij. Babatasi e kishte bërë zakon të shkonte në punë me gomar, sjellje kjo që i shkonte fort përshtat humorit të tij. Dhe, e lidhte gomarin te dritarja e Kryeministrisë, që ishte njëherësh edhe Ministri e Jashtme. Një ditë, ndërsa po lidhte gomarin në hekurat e dritares, i afrohet roja e i thotë: “Ka urdhnue zoti ministër mos me e lidhë ma gomarin këtu”. Atëherë Babatasi i kthehet e i thotë: “Ka të drejtë zotëria, dy gomarë në një ministri nuk bën të lidhen” …

Edhe statuskuosë së rrënuar të Bibliotekës së sotme Kombëtare i parapriu njëherë djegia e një tjetër herë përmbytja. Ndoshta për ta bërë më të pranuar atë që do të vinte më pas. Ndërsa sipër ambienteve të saj të stërngushta sa të marrin frymën, aty në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë bëjnë karshillëk ca zyra të një instituti italian. Me një kontratë, nënshkruar para gati tridhjetë vjetësh, me shtetin shqiptar. Sfiduese deri ku s’shkon, që përpos të tjerash është përmbytëse nga fyerja e poshtnimi që i bën librit, punëtorëve të librit, përdoruesve të tij, intelektualëve, krejt kulturës sonë kombëtare dhe dijes sonë.

Librat e vjetër hallakatur nëpër trotuare, buzë Lanës kanë ardhë duke u shtuar; vendpushimet e shpeshtuara të tyre janë gjithnjë e më plot. Në bisedat e prejkohëshme ndërmjet dashamirëve të librit ka zënë vend nevoja e lirimit të bibliotekave familjare … Tani, “indeksi komunist” ka pushuar së qeni, se nuk duhet më. Duhet diçka tjetër, po kaq e trishtë si duket, cytja e njerëzisë drejt padijes sistemike, pra. Ndoshta. Fundja a nuk mund të sundohen mjaft ma kollaj njerëzit e paditur?

Në trend Kultura

Më shumë
PARAJA

PARAJA

Poezi
Historia e fotos ikonike nga Belfasti i trazirave

Historia e fotos ikonike nga Belfasti i trazirave

Lufta e Vraninës dhe akti heroik i Oso Kukës

Lufta e Vraninës dhe akti heroik i Oso Kukës

Kulture
PORTRETI

PORTRETI

Poezi
DIGJITALE

DIGJITALE

Poezi
REFLEKTIME

REFLEKTIME

Poezi
Kalo në kategori