Berisha takon presidentin Bush, merr garanci për pavarësinë e Kosovës

Berisha, që ndodhet në New York në kuadrin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ishte një ndër 20 të ftuarit e kësaj tryeze, e cila u organizua me nismën e presidentit amerikan.
Takimin me Bushin, Berisha e cilësoi si momentin kulmor të qëndrimit të tij në New York, njofton BBC.
Pas përfundimit të tryezës, kryeministri shqiptar në prononcimin e tij për shtyp deklaroi se bisedimet e tij me presidentin Bush në këtë tryezë u përqendruan në çështjet e demokracisë, lirisë dhe reformave në Shqipëri e vende te tjera.
Sipas Berishës, presidenti Bush dhe administrata amerikane kanë shprehur mbështetjen e plotë për Shqipërinë, për reformat e saj dhe veçanërisht për çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO mbi bazën e zbatimit të reformave në vend.
Një ndër çështjet më të rëndësishme që Berisha bisedoi me presidentin Bush ishte çështja e të ardhmes së Kosovës, e cila do të diskutohet këtë fundjavë në selinë e Kombeve të Bashkuara.
Berisha në prononcimin e tij për shtyp theksoi se, presidenti George Bush i garantoi mbështetjen e tij të plotë dhe të administratës amerikane për pavarësinë e Kosovës, gjë që do të realizohet në kuadrin e Treshes.
Po ashtu, Berisha theksoi se shumë anëtarë të kësaj tryeze u shprehën për zgjidhjen e pavarësisë së Kosovës si kusht i domosdoshëm për stabilitetin.
Çështja e Kosovës u diskutua edhe në takimin që ai pati me kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
Kryeministri Sali Berisha do të mbajë fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të enjten më 27 shtator. /bbc/





















































