Berisha: Policia e Shtetit, institucion model

”Në këtë jubile, dua të përulem me nderimin më të thellë ndaj mijëra e mijëra efektivave të policisë, që në këto 100 vjet kanë dhënë jetën e tyre për jetën, dinjitetin dhe pasurinë e shqiptarëve. Respektin më të thellë për të gjithë familjet e dëshmorëve të policisë”, tha kryeministri, transmeton TCH.
”Sot, funksionimi i policisë bazohet mbi ligje dhe teknologji moderne, por mbi të gjitha, ajo funksionon nëpërmjet trimërisë, ndershmërisë dhe vetëmohimit të efektivave të saj.
Që prej vitit 2005, janë shkatërruar 206 banda, janë kapur kriminelë si Aldo Bare, që bënin ligjin në bashkëpunim me qeverinë e mëparshme. Pa këto arritje madhore, shqiptarët nuk do të njihnin sot lëvizje të lirë dhe as anëtarësinë në NATO”.
Sipas Berishës, “policia ka një shkallë jashtëzakonisht të madhe të zbulueshmërisë dhe goditjes së krimit, duke dekurajuar krimin në vend. Policia do të ketë një rol thelbësor edhe në zgjedhjet që do të mbahen, detyrë që jam i sigurt që do ta përmbushë me sukses”.
Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, e konsideroi policinë si “tërësisht të depolitizuar”.
Sipas tij, “vullneti i qartë politik ka mundësuar luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit”.
”Policia e shtetit renditet sot krenare dhe e barabartë përkrah simotrave të saj evropiane”, shtoi Noka. “Menaxhimi i kufijve, lufta ndaj drogës dhe kurrupsionit janë ndër arritjet më të shënuara”.
Në fjalën hapëse të kësaj policie, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, falënderoi “qeverinë dhe partnerët ndërkombëtar për ndihmën e pakursyer”, ndërsa premtoi ecjen me hapa të shpejtë drejt modernizmit të mëtejshëm të policisë në vend. /Telegrafi/







































