E përditshmja Mapo botoi të premten transkriptin e këtij debate duke cituar Berishën të ketë thënë se “Rama nuk futet për ‘të vdekur në grevë urie’… megjithatë, i thashë, thuaji mikut që të ka thënë se po të garantoj se do t’i bëj funeralin më madhështor që ka njohur Shqipëria dhe fjalimin më të bukur”.

Duke vazhduar lëmshin e akuzave, Berisha ka thënë kryetari socialist “këtë obsesionin e vdekjes e ka pothuajse jo familjare, por me Koçon e ka identik”. “Shkoni pak te noterja dhe merrni pak testamentin e Koços, se e ka të përbashkët. Do t’ua them noteren. A doni?. Inicialet janë M. S. Doni t’ju lexoj pjesë nga testamenti i të dyve”, citohet të ketë thënë Berisha.


Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi iu kundërpërgjigj duke thënë se “ju zoti kryeministër përrallisët, shpifët sikur jeni në ndonjë natë pranë oxhakut”.

“Unë pyes pse kjo mazhorancë nuk miraton atë çka partnerët tanë ndërkombëtarë me angazhimin edhe tuajin, në një rezolutë dhe raport jua kanë shkruar të zezë mbi të bardhë: të zgjidhet kriza, të bëhet transparenca dhe të ngrihet komisioni hetimor”, citohet të ketë thënë Ruçi. /Telegrafi/