LAJMI I FUNDIT:

Bekimi i Bekimit për shkencën

Bekimi i Bekimit për shkencën

Bekim Bejta, ndonëse relativisht i ri, ka hyrë fuqishëm në botën shkencore duke u bërë një banor i vyeshëm i Lagjes së shkencëtarëve seriozë. Ai po bën punë të përfillshme shkencore, qoftë si profesor universiteti, por edhe si krijues dhe sportist i përmasave ndërkombëtare duke hyrë edhe si shqiptari i parë në librin e Ginisit. Bekimi, ndonëse, vazhdimisht ka dyndje kohe, ai sikur e vodhi pak kohë për të zhvilluar këtë bisedë ekskluzive për portalin tonë.

Bisedoi: Shaqir Foniqi
Foto: Arton Humolli

Z. Bekim, duket se po ecni me sukses të plotë gjurmëve të babait tuaj, Prof. dr. Murat Bejta, sidomos në lëmin e përkthimit nga gjuha frënge në shqip dhe anasjelltas.
B. Bejta: Duhet të pranoj që ndikimi i babait në këtë fushë ka qenë mjaft i theksuar, për më tepër që kam qenë përherë i rrethuar nga librat e bibliotekës së tij.

Keni përkthyer vepra të përfillshme letrare nga shkrimtarë zulmëmadh, siç është Le Clezio (fitoi Nobelin më 2008).
B. Bejta: Natyra e përkthimit imponon ngarkesë mendore të rëndë. Nisem nga parimi që përkthimi i sinqertë i cilitdo shkrim është i vështirë. Për këtë arsye, gjithmonë mundohem të zgjedh veprat më të vështira për përkthim si dhe ato që kanë vlerë letrare të dëshmuar. Rrjedhimisht, autorët që kam përzgjedhur për përkthim i takojnë elitës së pendës.


Përveç gjuhës frënge, ju zotëroni edhe gjuhën angleze, madje keni doktoruar me temën “Asimilimi morfo-fonologjik i huazimeve frënge në gjuhën angleze dhe trajtimi i tyre leksikografik”. A do të thotë se tashmë kemi një F. Nol të ri?
B. Bejta: Mendoj që F. Noli është i papërsëritur. Por do ta marrë këtë si kompliment, qoftë edhe nëse kemi ndonjë element të përbashkët, kur dihet se kontributi i tij në fushën e përkthimit është tejet i rëndësishëm për shkronjat e gjuhës shqipe.

Aktualisht jeni profesor në Fakultetin Filologjik, ku ligjëroni në nëntë lëndë të metodologjisë së mësimdhënies. A është vështirë të bashkoni Parisin dhe Prishtinën?
B. Bejta: Ndoshta në këtë aspekt, shkrirja e hapësirave është më e lehtë falë udhëtimeve të hershme që kam pasur gjatë fëmijërisë. Por aroma e Prishtinës gjithherë më ka tërhequr, ngado të kem jetuar.

E merr këtë si një sakrificë për Kosovën, apo si privilegj?
B. Bejta: Me shumë si privilegj, kur analizoj se jetoj në vendin që dua, dhe duke pasur njëkohësisht profesionin që më pëlqen.

Si jeni pritur në këtë mjedis?
B. Bejta: Në përgjithësi mjaft mirë; ngrohtësia shpirtërore shqiptare ndijohet në ajrin e këtij vendi. Kurse rastet anësore të mungesës së mirësjelljes mund të trajtohen si ngathtësi që duhet përballuar si të tilla.

Natyrisht, arsimi ynë po kalon nëpër sfida të mëdha. Si të bëhen bazat njëherë e mirë për një arsim cilësor të modelit evropian, e pse jo edhe atij botëror.
B. Bejta: Të jem i drejtpërdrejtë: si në arsim, ashtu edhe në sferat e tjera profesionale dhe jetësore, për të pasur sukses të vërtetë kërkohet sinqeritet dhe disiplinë ndaj punës dhe respekt ndaj çdo personi. Mëpastaj, një qasje e tillë mund të sigurojë përparim ballas cilitdo qytetërim.

Sa jeni i kënaqur me nivelin e dijes së studentëve për të zënë dije sipërore?
B. Bejta: Niveli i dijes së studentëve është mjaft i mirë, në veçanti nëse merret parasysh që sistemi edukativo-shkollor nuk u ofron më shumë mundësi.

Jeni relativisht i ri për shkencën, por keni bërë gjurmë në të. Madje, synoni të prekni majat, sepse nuk thuhet kot se në shkencë ka vend për të gjithë. Shkenca, apo më mirë të themi, dija, është forcim mirëpo ajo nuk ofron shumë kënaqësi. Megjithatë ju, punën tuaj e bëni në vetë(flijim).
B. Bejta: Medoemos, ky shteg nënkupton një masë vetëflijimi. Kurse kënaqësia e përftuar nga ky proces shijohet më ngadalë në shkallë përpjesëtimore krahas shtrirjes kohore.

A shpaguhet të merresh me shkencë?
B. Bejta: Po, në momentin kur të jenë vendosur peshat përfundimisht në peshoren analitike. Ndërkohë, do të ketë disa zhgënjime.

Në laboratorin e shkencëtarit nuk ka asnjë ditë bosh. Çka keni nëpër duar aktualisht?
B. Bejta: Një përmbledhje poezish, dy libra që trajtojnë çështje fonetike dhe fonologjike të gjuhës angleze, dy libra të tjerë mbi linguistikën në frëngjisht, katër vepra të përkthyera nga Shakespeare, një vepër tjetër e përkthyer nga Le Clezio, dhe një përmbledhje-përkthim i novelave anglo-amerikane që përfshin më se tridhjetë autorë.

Jeni optimist se dija do ta mund paditurinë?
B. Bejta: Po. Mund të kalojë një mijëvjeçar, por kjo do të ndodhë.

Le ta parafrazojmë Sami Frashrin, nëse shqiptarët kanë nevojë për diçka, ajo është më së shumti dija, ose sikur do të thoshte një dijetar tjetër, pas bukës, popullit i duhet mençuria.
B. Bejta: Sami Frashëri ka pasur të drejtë. Ai ishte dijetar për mrekulli.

Mirëpo, si për koincidencë, shkencëtarët mund të merren edhe si njerëz të gjithanshëm, madje tingëllon çuditërisht, por është e vërtetë se shkencëtarët kanë afinitet, prirje dhe interesim edhe për sferat e tjera të cilat në njëfarë mënyre janë antipodi i shkencës. Cili është hobi juaj, në orët e pakta të lira që i keni?
B. Bejta: Sportet luftarake, karate, kikboks. I kam si zbutës të ngarkesës mendore ku shkarkohet tepria e energjisë e cila nuk mund të eliminohet me punë intelektuale.

Gjatë viteve 1996-2000 keni thyer disa rekorde botërore të pompave gjimnastikore të cilat janë edhe në Librin e Ginisit të atyre viteve…
B. Bejta: Gjatë epokës së shkollës së mesme pompat i kam pasur ushtrim të parapëlqyer, kurse më 1996 në Poitiers, Francë, më është ofruar rasti i parë për të thyer këto rekorde (rekordet e fundit janë – 5471 pompa, me dy duar për një orë; 3086 pompa, me një dorë për një orë).

Vitin e kaluar keni fituar titullin e kampionit botëror në karate në versionin karate-kickboks të WKA…
B. Bejta: Përherë kam pasur ëndrrën e fshehur për të marrë pjesë në kampionat botëror të karatesë duke përfaqësuar vendin tim, por rasti u shfaq në Huelva, Spanjë, nëntor 2009, me përkrahjen e çmueshme të federatës së kikboksit në Kosovë.
Medalja e artë në këtë kampionat botëror është një ndër dhuratat më të çmueshme për të cilën e falënderoj Krijuesin tim.

Sapo ka përfunduar Kampionati Botëror i futbollit “Afrika 2010”. Kishit favorin tuaj në këtë kampionat , apo më mirë të themi, profecinë tuaj…
B. Bejta: Holanda, kurse më herët Uruguai me një futboll të veçuar. Ndoshta me rastin e ndonjë kampionati tjetër…

Megjithatë, vendi i dytë, nuk është vendi i tretë.
B. Bejta: Po, vendi i dytë është i pari i atyre që nuk kanë arritur pikësynimin.

A ka shkencëtari çaste “jashtëshkencore”? A e kërkon edhe shkenca muzën e vet?
B. Bejta: Po, dhe kjo pasqyrohet ëndshëm në poezi. Sikur edhe sporti, edhe këto çaste “jashtëshkencore” janë fontanë frymëzimi.

A ka hyrë ndokush ende në botën tënde të brendshme. Dua të them, a ua ka dridhur ndokush telat e zemrës, psh, magjia e femrës?
B. Bejta: Besoj dhe shpresoj që kjo i ka ndodhur çdo mashkulli. Unë nuk jam përjashtim nga kjo rregull. Kurse ngjyresat sensuale të gjurmëve të kësaj magjie mund të ndijohen në disa nga shkrimet e botuara.

E keni sprovuar veten edhe në poezi. Mendoni se poezia është elitare, ose aristokratike?
B. Bejta: Mendoj që poezia është e hapur, ndërsa në disa raste njeriu i thjeshtë mund t’i ofrojë cilësi elitare.

Thuhet se prozën e shkruan mendja, kurse poezinë zemra. Pajtoheni me këtë konstatim.
B. Bejta:
Pas shumë përsiatjesh, mund të mbështes këtë konstatim por arteriet që shpien nga zemra tek zemra duhet të jenë të njomura nga sensualiteti mendor.

Zhan Kokto shprehje se krijuesit janë gënjeshtarët më të mëdhenj që e thonë të vërtetën. Ndërsa Volteri ka hedhë kushtrimin “nuk mund të mendoj jetën pa libra, kurse po i njëjti Volter, ka thënë edhe këtë vlerësim: “Sa më shumë libra, aq më shumë injorantë”.
B. Bejta: Përkitazi me Volterin, ai vërtet ka kuptuar që jeta pa libra shkakton pikëllim të pashërueshëm. Në një dimension tjetër, Volteri ka shprehur keqardhjen e sundimit të sasisë jocilësore ndaj cilësisë peshërëndë. Kokto ka të drejtë sepse flet për njeriun që konsiderohet si krijues. Njeriu “krijues” kalon nëpërmes gënjeshtrës tek e vërteta, kurse vetëm Allahu mbulon çdo gjë me vërtetësi kur dihet se është Krijuesi Suprem dhe i Vetëm.

Z. Bejta, ju falënderojmë sinqerisht për këtë intervistë shkencore, për të cilën, merita, ju takon juve.
B. Bejta: Ju falënderoj përzemërsisht juve. Kjo intervistë është mundësuar nga pyetjet e juaja që më kanë dhënë rastin të shprehem. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Hendboll
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika
Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Kosovë
Shkencëtarët kanë konfirmuar se çfarë ka brenda Hënës

Shkencëtarët kanë konfirmuar se çfarë ka brenda Hënës

Botë
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Darka e Lamës në Llukë të Deçanit, Haradinaj: Shenjë e jona që na bashkon

Darka e Lamës në Llukë të Deçanit, Haradinaj: Shenjë e jona që na bashkon

Lajme
Kalo në kategori