LAJMI I FUNDIT:

BE po formulon qëndrime për shtetet rreth integrimeve evropiane

Është koha e fundit që autoritet shtetërore të Kosovës, politika e jashtme e Kosovës të merret shumë seriozisht me temën e pjesës së veriut, për të integruar atë dhe për të kërkuar në një mënyrë garanci ndërkombëtare se Serbia nuk do të fitojë statusin e kandidatit për në BE, nëse nuk shuan barrikadat dhe institucionet paralele në veri.

Këto zhvillime pritet të ndodhin, dhe Prishtina zyrtare përmes institucioneve nuk po arrin të gjej rrugën e drejt dhe të kuptueshme diplomatike dhe politike për të vendosë në binare raporte tjera të rëndësishme me bashkësinë ndërkombëtare, ku kjo bashkësi do të obligojë Serbinë më ndryshe në ndërrimin e qasjes së saj ndaj shtetit të Kosovës.

Kosova tërësisht e udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtare është ndoshta garancia kryesore se përendemi nuk do të ketë raporte kontraktuale me Serbinë, po që se Serbia nuk bënë lëvizjet e duhura për të nxjerr në sipërfaqe vullnetin politik tjetër, kundrejt shtetit të Kosovës. Në këtë mënyrë regjioni nuk mund të integrohet në BE pa u zgjidhë problemet e shumta e mbi të gjitha ato politike.


Cooper së shpejti do ta takojë negociatorin serb dhe do t’i shprehë shumë shkurt opinionin e tij rreth bisedimeve me Kosovën për të gjetur modelin e pjesëmarrjes së Kosovës në forume ndërkombëtare. Është kërkesë imediate, që disa gjera duhet të ndodhin për një kohë të shkurtë që do të shtyjnë Serbinë te merr “hapa gjigant” në raport me Kosovën për të stabilizuar procesin integrues evropian të regjionit. Në këtë drejtim është e nevojshme të ndodhin disa segmente mjaftë të rëndësishme politike në raport me Serbinë, në një kohë të shkurtër së paku lëvizjet dhe garancat serbe duhet të jenë mjaft shpresëdhënëse si në vijim:

1. Serbia të pranojë një model përfaqësimi të Kosovës në forumet ndërkombëtare;
2. Serbia duhet të shuaj strukturat paralele në veri të shtetit të Kosovës;
3. Pjesa e veriut të shtetit të Kosovës në një periudhë të shkurtër kohore duhet të jetë e përfshirë në zgjedhjet për autoritet lokale ,ku zgjedhjet do të organizohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës;
4. Largimi i menjëhershëm i barrikadave në pjesën e veriut të Republikës së Kosovës.

Serbia është e shtyrë të pranojë një model të përfaqësimit të shtetit të Kosovës në forumet ndërkombëtare. Ka disa propozime në tavolinë, disa janë edhe të çuditshme, nëse krahasojmë në praktikat ndërkombëtare, e disa janë interesantë për të diskutuar. Normal që duhet diskutuar variantet që janë më të pranueshme për Kosovën dhe që nuk shkaktojnë degradime, por që shprehin në një mënyrë realitetin objektiv dhe regjional të krijuar në regjion.

Serbia nuk po mundet të “shkurorëzohet nga 1244”, që i duket se kjo formulë është e “përjetshme”. Përderisa BE insiston që te heq dorë Serbia nga kjo formulë. Porse, Serbia ka probleme kushtetuese e ligjore sipas autoriteteve në Serbi për ta bërë këtë. Serbia nuk ka shumë opsione për të zgjedhë, është kohë ndoshta e fundit të bëjë lëvizje të qarta se a është për të fituar statusin e kandidatit në BE, ose do të detyrohet te merret më shumë lloje të diplomacisë ndërkombëtare dhe presione.

Prandaj shtyrja e gjerave nuk po shkon më, duhet të ofrojë solucion për këtë, përderisa Serbia ka telashe të bëjë propozime tjera përveç 1244, e që kjo formulë më i ka dal “fala”, dhe shtetet perëndimore dëshirojnë diçka tjetër krejt, pra një ndryshim kualitativ në këtë segment.

Përderisa Kosova dhe politika e saj e jashtme nuk po kryen ndoshta edhe punën më së miri në lobizimin që duhet të bëjë, të cilën e ka mbështetur tërësisht në një njëri që merret me Serbinë. Andaj nuk po shihet ndonjë seriozitet shumë i madh në këtë qasje nga institucionet vendore.

Serbia ka edhe një detyrë të shpërndaj strukturat paralele të saj në shtetin e Kosovës dhe për këtë nuk është e gatshme fare ta bëjë, për shkak të shumë premtimeve që bënë liderët serbë gjatë vizitave të bëra në atë pjesë. A mund të bëjë këtë Serbia para marsit të këtij viti? Zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës për autoritete lokale që do të organizohen nga institucionet vendore të shtetit të Kosovës mund të vijnë vetëm nëse Serbia do të bëjë ndryshime esenciale në raport më Kosovën. Në të kundërtën nuk ka asgjë prej kësaj teme.

Barrikadat nuk janë më në “modë”, këtë e kanë kuptuar autoritet në Serbi, por duhet garantuar se ato janë larguar dhe më nuk do të vendosen në rrugët kyçe që pengojnë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve në atë pjesë të shtetit të Kosovës. Barrikadat duhet sa më parë të hiqen dhe aty diskutime dhe lojëra nuk mund te ketë. Këto janë kushte që Serbia vështirë mund t’i plotësojë për një kohë të shkurtër, dhe se gjasat e saj për të fituar statusin e kandidatit janë minimale, edhe pse BE i ka bërë me dije se vullnet ka në ketë temë. Por, duhet pritur Serbinë të bëjë ndryshime esenciale në raport më shtetin e Kosovës.